1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Zgjedhja e presidentit të Gjermanisë

Të dielën (12.02) në Gjermani zgjidhet presidenti i ri. Për rezultatin e votimit nuk ka asnjë mëdyshje: nga pesë kandidatët një mbështeteje të gjerë gëzon socialdemokrati Frank-Walter Steinemeier.

Kush do të qendrojë të dielën në godinën e Rajhstagut në Berlin, ndoshta do të habitet: Çfarë bën traineri i kombëtares gjermane të futbollit Joachim Löw këtu? E përse aktorja Iris Berben dhe humoristi Hape Kerkeling shkojnë drejt sallës plenare të Bundestagut?  Ata që të tre i bashkon diçka: ata janë si persona elektoralë që marrin pjesë në votimin në Asamblenë Federale për zgjedhjen e presidentit të ri.

Persona elektoral të të gjitha partive dhe personalitete

Asambleja Federale ka 1.260 anëtarë. Në të marrin pjesë deputetët e Bundestagut, që ndërkohë ka 630 syresh si dhe po i njëjti numër i personave elektoralë, që dërgojnë parlamentet e landeve. Ndaj në Asamblenë Federale janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e partisë liberale FDP, asaj Alternativa për Gjermaninë, AFD, si dhe zgjedhësit e lirë dhe të partisë së Piratëve, të cilat ndonëse nuk janë të përfaqësuara në Bundestag, janë të përfaqësuara në parlamentet e landeve të ndryshme.

Ndër personat elektoralë, që dërgojnë parlamentet, bëjnë pjesë edhe personalitete nga fusha të ndryshme. Partia kristiandemokrate (CDU) dërgon humoristin Hape Kerkeling dhe aktoren Veronica Ferres në Asamblenë Federale, ndërsa aktorja Iris Berben dhe këngëtari Peter Maffay janë dërguar nga socialdemokratët. Ekologjistët kanë dërguar trainerin e kombëtares Joachim Löw si dhe artisten Travesti Olivia Jones. Partia "E Majta" ka dërguar Semiya Şimşek Demirtaş, babai i së cilës është vrarë nga grupimi ekstremist i djathtë NSU.

Votim pa fjalim

Për zgjedhjen e presidentit salla plenare është areduar enkas: Kolltukët ngjyrë blu janë vendosur më ngjeshur njeri-tjetrit. Pasi të gjithë votuesit të kenë zënë vendet, presidenti i Bundestagut (parlamentit)  Norbert Lammert në orën 12:00 hap seancën plenare me një fjalim të shkurtër. Më nuk mbahen fjalime të tjera, sipas kushtetutës presidenti zgjidhet pa mbajtur fjalim. Kandidatët as nuk prezantohen, as nuk lejohet që personat elektoralë të marrin fjalën. Ata vetëm japin votën e fshehtë pasi thërritet emri i tyre. Vetëm në fund presidenti i sapozgjedhur mban një fjalim të shkurtër.

Steinmeier kandidati konsensual

Pas raundit të parë të votimit, që normalisht zgjat dy orë, numërohen votat. Nëse njëri nga kandidatët merr të paktën 631 vota, atëherë zgjedhja e presidentit ka përfunduar. Me shumë gjasë kështu pritet të ndodhë këtë të dielë. Frank-Walter Steinmeier, i cili deri tani ishte ministër i Jashtëm dhe një ndër politikanët më të dashur të Gjermanisë, është fare qartazi favorit. Ai ka mbështetejen nga shumica absolute e personave. Në të kaluarën disa presidentë janë zgjedhur pas raundit të dytë ose të tretë.

61 vjeçari Steinmeier jo vetëm mbështetet nga partia e tij socialdemokrate, por edhe nga unioni konservator kristiandemokrat-kristiansocial (CDU/CSU). Partitë simotra të këtij unioni kërkuan një kandidat të vetin, por në fund ato pranuan propozimin e SPD-së. Steinmeier është "në këtë kohë kandidati i duhur", pranoi kancelarja Angela Merkel duke vlerësuar "aftësinë e tij të të ruajtur ekuilibra, modestinë e tij si dhe njohuritë për botën e jashtme".

Pra Steinmeier mund të llogarisë me një shumicë komode të votave të personave elektoral nga SPD, CDU/CSU bashkë edhe me tri partitë e tjera duke grumbulluar kësisoj mbi 900 vota të Asamblesë Federale. Po ashtu pritet që edhe 147 personat elektoral të partisë ekologjiste të votojnë për Steinmeier-in. Gjithashtu liberalët e FDP-së kanë deklaruar, se e mbështesin atë.

Katër kandidatë të tjerë 

Alternativë kundrejt Steinmeier-it janë kandidatët e partive AfD, E Majta, Piratët dhe zgjedhësit e lirë. Të majtët kanë nxjerrë në garë politologun nga Këlni dhe studiuesin e varfërisë Christoph Butterwegge. Për AfD-në, që merr pjesë për herë të parë në Asamblenë Federale, kandidon nënkryetari i partisë, 75 vjeçari Albrecht Glaser. Zgjedhësit e lirë kanë nominuar kandidat juristin dhe gjyqtarin e televizionit Alexander Hold. "Demokracia jeton prej alternativave", kështu e ka argumentuar kandidaturën e tij të pashpresë Hold.

Pak para mbledhjes së Asamblesë Federale piratët deklaruan, se do të nxjerrin si kandidat në garë Engelbert Sonneborn, i cili është pothuajse i panjohur , ai është babai i eurodeputetit dhe satirikut Martin Sonneborn. 79 vjeçari Sonneborn ka "mjaft kohë për detyra reprezentative", deklaruan me ironi piratët, të cilët nominimin e tyre e konsiderojnë si kritikë ndaj "partive të etabluara".

Transferimi në kështjellën Bellevue

Mandati i presidentit aktual Joachim Gauck, i cili për arsye të moshës nuk dëshironte të rikandidonte, përfundon më 17 mars. Më pas sipas të gjitha gjasave për pesë vjetët e ardhshëm do të vendoset në rezidencën presidenciale në kështjellën Bellevue në Berlin Frank-Walter Steinmeier. "Një president federal nuk duhet të jetë një thjeshtëzues, por një inkurajues", pati deklaruar Steinmeier pas nominimit si kandidat për postin më të lartë në krye të shtetit. "Gëzimi im për postin është i madh, por edhe më i madh është respekti im për detyrat", ka thënë Steinmerier.