1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Zgjatja e pranisë ushtarake të Bundesverit në Kosovë

Qeveria gjermane paraqiti më 26.5. në Bundestag kërkesën për të zgjatur edhe me një vit praninë ushtarake të Gjermanisë në Kosovë. Ministri i Jashtëm e ai i Mbrojtjes theksuan se problemet e sigurisë nuk janë zgjidhur

Ushtar i Bundesverit në Kosovë

Ushtar i Bundesverit në Kosovë

Guido Westerwelle lavdëroi faktin që krizat presidenciale dhe zgjedhjet gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit në Kosovë kaluan pa tensione të mëdha dhe që problemet u arritën të zgjidhen në qetësi. Por ministri gjerman i Punëve të Jashtme tha se ende në popullsi ka frikë dhe pasiguri: «Situata në veri mbetet e tensionuar, problemi i strukturave paralele nuk është zgjidhur, mbrojtja e manastireve ortodokse serbe mbetet një çështje tepër e ndjehsme e sigurisë», argumentoi ndër të tjera politikani liberal kërkesën e tij për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it në Kosovë edhe me një vit.

Trupat ushtarake gjermane do të reduktohen

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere

Reduktimi do të jetë nga sot maksimumi 2500 në maksimumi 1850. Siç e shpjegoi ministri i Mbrojtjes, kristiandemokrati Thomas De Maiziere, në Kosovë do të jenë të stacionuar rreth 900. «Pjesa tjetër do të qëndrojë në Gjermani në gatishmëri për të ndërhyrë në rast trazirash, për këtë jemi marrë vesh edhe me qeverinë e Kosovës», sqaroi ai më tej. De Maiziere, i cili në mars të këtij viti pat vizituar Kosovën vuri në dukje përgjegjësinë e veçantë të gjermanëve atje, për çka flet edhe fakti, që edhe në vitin e ardhshëm komandanti i KFOR-it do të jetë gjerman.

Lëvdata në adresë të ushtarëve të stacionuar në Kosovë erdhën edhe nga folësi i fraksionit socialdemokrat nga radhët e opozitës, Michael Groschek, i cili u shpreh gjithashtu pro zgjatjes së mandatit. Folësja e grupit parlamentar Aleanca 90/Të gjelbrit, Katja Keul, e justifikoi gjithashtu praninë ushtarake në Kosovë, por e quajti shqetësues faktin që Forca e Sigurisë së Kosovës po kthehet gjithnjë e më shumë në një ushtri «në formë milicie»: «Një milici e tillë e armatosur shumë shpejt mund të shndërrohet në një djep konfliktesh të reja ndëretnike», tha Keul. Deputetja e gjelbër e mbylli fjalën e saj me thirrjen drejtuar qeveverisë që të mos i dëbojë refugjatët romë nga Gjermania.

Kundër mandatit të KFOR-it vetëm të majtët

Problemet e sigurisë nuk janë zgjidhur plotësisht

Problemet e sigurisë nuk janë zgjidhur plotësisht

Kundër mandatit të KFOR-it janë tradicionalisht deputetët e partisë e «E Majta». Ky qëndrim pritej që para se të merrte fjalën folësja e saj, Inge Hoeger. Por konstatimi i saj që në fillim se: «Në shumë fusha të vendit situata është më katastrofale se para luftës», e befasoi shumicën e deputetëve dhe thirrjet e tyre protestuese sollën një moment gjallërimi në sallën thuajse të zbrazur të parlamentit gjerman.

Angazhimi i Bundeswehr-it në Kosovë në kuadër të KFOR-it u miratua për herë të parë më 11 qershor 1999. Para zgjatjes së parë të mandatit, më 7 qershor 2000, qeveria gjermane në një seancë të Komisionit të Jashtëm i kishte premtuar parlamentit federal se do ta shtronte kërkesën për zgjatjen e mëtejshme të mandatit çdo 12 muaj. Kërkesa e 12-të e qeverisë gjermane për pjesëmarrjen gjermane në KFOR u kalua të enjten për shqyrtim në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica