1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zemërimi i Koresë së Veriut ndaj Kinës

Pavarësisht retorikës shkumbëzuese me të cilën Koreja e Veriut iu përgjigj të mërkurën sanksioneve të reja të Këshillit të Sigurimit: ato zor se do të dëmtojnë Korenë e Veriut.

E vetmja gjë e parashikueshme e Phenianit mbetet paparashikueshmëria e tij: Testi provokues me raketa në mes të dhjetorit u ndoq nga fjalimi befasues i diktatorit të Koresë së Veriut me rastin e Vitit të Ri. Në të ai u shpreh jo vetëm për një ndryshim rrënjësor në politikën ekonomike, por edhe në marrëdhëniet me Korenë e Jugut. Tani përsëri kërcënime: njoftime për raketa e madje edhe një provë tjetër bërthamore që sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA "kanë si objektiv SHBA-të". Koreja e Veriut duket se edhe nën drejtimin e trashëgimtarit të ri Kim Jong-un po vazhdon lojën e vjetër me provokime dhe kërcënime, lojë që Pheniani e zotëron çuditërisht mirë. Kjo edhe për shkak se udhëheqja lokale i luan kartat e saj pa e marrë fare parasysh popullsinë e vendit.

Pavarësisht retorikës shkumbëzuese me të cilën Koreja e Veriut iu përgjigj të mërkurën (23/01/2013)sanksioneve të reja të Këshillit të Sigurimit: ato zor se do të dëmtojnë Korenë e Veriut. Kjo kryesisht për shkak se masat e vendosura tani janë dobësuar ndjeshëm kundrejt draftit fillestar të Shteteve të Bashkuara. Ata janë thjesht një ashpërsim i lehtë i sanksioneve ekzistuese, të drejtuara në mënyrë specifike kundër disa kompanive dhe individëve që janë të përfshirë direkt në programin e raketave. Por ajo që koreanoveriorëve u dhemb vërtet, është fakti se Pekini ka rënë dakord me sanksionet, si dhe në vitin 2006 dhe 2009, pas testeve bërthamore të Koresë së Veriut. Aleati i fundit qi i ka mbetur Koresë së Veriut i ka kthyer në para të gjithëve shpinën, Pheniani është më i izoluar se kurrë më parë.

Rruga e dytë drejt bombës

Kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara kanë qenë deri tani boshe. Edhe pse testi i raketave në dhjetor qe një sukses teknik. Ende Pheniani nuk është në gjendje të prodhojë një raketë me të aftë për të shpërthyer. Koreja e Veriut ka kryer deri tani dy teste bërthamore me bomba me bazë plutoni. Dhe që të dy herët para këtyre testeve ishin kryrer teste me raketa. Tani, ekspertët presin, që Pheniani mund të shpërthejë për herë të parë një bombë me uranium të pasuruar, për të provuar në një rrugë të dytë bombën bërthamore.

Koreja e Veriut ka investuar shumë për programin e saj bërthamor dhe programin e raketave. Ushtria vazhdon të jetë fuqia vendimtare në shtetin vetëm me një monarke staliniste të trashëgueshme. Ushtria nuk do ta lëshojë kollaj nga dora këtë armë prestigjioze. Në fund të fundit edhe kërcënimi se do të zhvillojë një test e sjell shtetin e izoluar në vëmendjen ndërkombëtare. Në raste të tilla, e gjithë bota sheh gjithmonë drejt Pekinit, fqinjës së Koresë së Veriut dhe aleatit të saj të vjetër. Por sot nuk mund të bëhet më fjalë për një marrëdhënie aq të ngushtë si "si buzët dhe dhëmbët", sikurse formulonte propaganda për dekada të tëra. Pheniani është vërtet ekonomikisht krejtësisht i varur nga Kina, por megjithatë ndikimi i Pekinit ndaj Phenanit është i kufizuar.

Si një "fëmijë i keq"

Udhëheqja e Koresë së Veriut i ka bërë disa herë karshillëk qeverisë kineze. Falë Wikileaks është e njohur se një zëvendëministër i jashtëm kinez e ka krahasuar kundrejt diplomatëve amerikanë sjelljen e Koresë së Veriut me atë të një fëmije të keq, që do të tërheqë vëmendjen e të rriturve me sjelljen e tij provokuese. Ky fëmijë i keq e ka mësuar në të kaluarën, se si mund të arrijë me qëndrimin e tij kompromisa politikë dhe ekonomikë. Sepse si për Pekinin dhe për Seulin rreziku është i madh: kolapsi i Koresë së Veriut do të ishte një fatkeqësi: humanitare për Korenë e Jugut, së cilës do t'i duhej të integronte 25 milionë njerëz të varfër, të cilët janë rritur dhe edukuar gjithë jetën me urrejtjen ndaj Koresë së Jugut. Një fatkeqësi në fushën e sigurisë poltike për Kinën, për shkak se ajo do të humbasë amortizatorin e saj ndaj trupave amerikane në Korenë e Jugut dhe do t'i duhet të përballet me një valë të refugjatësh.