1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zemërim për vendimin kundër gazetarëve të Al Xhaziras

Në Egjipt tre gazetarë të stacionit televiziv Al Xhazira u dënuan secili me tri vjet heqje lirie. Dënimi është në përputhje me vijën e ashpër të drejtësisë egjiptiane kundër gazetarëve.

"Në jemi në Egjipt. Gjithçka është e mundur": ndoshta Baher Mohammedi e kishte parandierë përfundimin e keq të procesit gjyqësor. Ndoshta ai kishte një pamje më realiste të gjendjes në drejtësinë egjiptiane, kur u shpreh me këto fjalë pak kohë më parë në bisedë me DW. Ai dhe të akuzuarit e tjerë bashkë më të, gazetarët që gjithashtu punojnë për Al Xhazirën Mohamed Fahmy dhe dhe gazetari i dëbuar në shkurt të këtij viti në Australi, Peter Greste u dënuan me tri vjet heqje lirie.

Gjykata i gjeti fajtorë, se kanë mbështetur Vëllazërinë Myslimane, e cila në Egjipt konsiderohet terroriste. Veç kësaj, gazetarët kanë shpërndarë të pavërteta, sipas gjyqit. Kundër vendimit lejohet revizioni.

Al Xhazira reagoi menjëherë ndaj vendimit. "Vendimi i sotëm i gjykatësve sfidon logjikën dhe arsyen e shëndoshë njerëzore", tha Mostefa Soua, njëri nga drejtorët e stacionit. "Vendimi është një sulm tjetër ndaj lirisë së shtypit. Eshtë një ditë e zezë për drejtësinë egjiptiane. Në vend që të mbrojë lirinë dhe mediet e lira, ajo e ka sakrifikuar pavarësinë e saj për synime politike".

Dyshime për shtetin juridik në Egjipt

Vendimi shkaktoi zemërim në të gjithë botën. Ministria e Jashtme kanadeze kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasit kanadez Mohamed Fahmy. "Ky vendim minon në mënyrë serioze besimin tek shteti juridik në Egjipt", shkruhet në faqen e internetit të Ministrisë.

Edhe Amnesty International e kritikoi vendimin. Philipp Luther, përgjegjësi për Lindjen e Afërt dhe të Mesme të organizatës e quajti vendimin "farsë, që synon zemrën e lirisë së shtypit në Egjipt"."Reporterë pa kufij" foli për një "vendim të turpshëm "politik"

Ligj antiterror i diskutueshëm

Sipas kërkimeve të "Komitetit Ndërkombëtar në Mbrojtje të Gazetarëve", në Egjipt aktualisht të paktën 18 gazetarë ndodhen në arrest për shkak të profesionit të tyre. Në mes të gushtit, Presidenti Abdel Fattah al-Sissi nënshkroi një ligj antiterror, i cili lejon ndërmarrjen e masave edhe kundër gazetarëve. Nëse paraqitja e një vepre penale shmanget nga paraqitja zyrtare, gazetarët mund të dënohen me një gjobë deri në 23.000 Euro. Në ato raste që gjykata i sheh veçanërisht të rënda, ajo mund ta dyfishojë dënimin. Koncepti i papërcaktuar qartë në ligj i "terrorizmit" mundëson përfshirjen në të të shprehjeve dhe veprimeve nga më të ndryshmet - dhe në përputhje me këtë veprime kundër gazetarëve të papreferuar si dhe personave të tjerë.

Drejtësia egjiptiane vepron edhe kundër gazetave. Gazeta liberale arabe që del në Londër "Al-araby-al-jadeed" raportoi pak ditë më parë se gazeta egjiptiane "Al-Misriyon" nuk qe lejuar të shtypej, sepse ishte shprehur në mënyrë kritike për retorikën fetare të Al-Sisit.

Pas dënimit me vdekje këtë vit në disa procese të qindra përfaqësuesve të Vëllazërisë Myslimane, së fundi ajo u drejtua edhe kundër këngëtarëve të muzikës pop. Në fund të qershorit ajo ngriti aktpadije kundër tri këngëtareve popullore në Egjipt: Rida al-Fouly, Suha Muhammed Ali dhe Dalia Kamal Youssef. Të treja kishin treguar në veprat e tyre "mungesë morali dhe dinjiteti"- "shkelje" që në Egjipt dënohen me heqje lirie nga tre muaj në tri vjet.