1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zemërim në mediet konservatore - Reagime në SHBA për fjalimin e Obamas

Presidenti amerikan Barack Obama bëri të enjten në Egjipt thirrje për një fillim të ri në raportet me botën islame. Para 3000 pjesëmarrësve në Universitetin e Kajros, Obama tha se feja islame është edhe pjesë e Amerikës.

Mediet në SHBA reagojnë për fjalimin e Obamas për marrëdhëniet me botën myslimane

Mediet në SHBA reagojnë për fjalimin e Obamas për marrëdhëniet me botën myslimane

Televizioni konservator Fox News shtroi pyetjen kryesore për shumë amerikanë: a e ka bërë Obama me fjalën e tij botën islame më të sigurt?

"Jo, përkundrazi", mendon Marc Thiessen, i cili dikur shkruante fjalimet e ish - presidentit Bush e tani për këtë televizion komenton fjalimet e presidentit Obama. Nga këndvështrimi i republikanëve, Obama me fjalët e tij në Kajro i takon të paktën në aspektin retorik, "Boshtit të së keqes".

"Presidenti amerikan, me fjalën e tij, i shkon për dore propagandës shumëvjeçare të Al Kaidës", pohon komentatori i Fox - News. Shtypi konservator amerikan në veçanti është i shqetësuar për shkak të pohimeve të presidentit Obama, se Amerika pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, kohë pas kohe nuk u është përmbajtur traditave dhe idealeve të demokracisë. Fjala është për dhunën e ushtruar në burgun e Guantanamos.

"Obama i ka goditur pas shpine ushtarakët dhe shërbimet tona sekrete - dhe atë mu në Kajro para publikut mysliman", thotë i mllefosur komentatori i Fox-News-it, Thiessen.

Shumë media konservatore pohojnë se Obama e ka turpërurar dhe njollosur vendin e vet, ndërkohë që asnjë herë nuk ka përmendur fjalën "terrorizëm". Mirëpo shumica e mediave amerikane mendojnë ndryshe.

"Pikërisht ky është kontributi më i madh retorik i Obamës", theksojnë televizionet CNN dhe NPR. Obama i ka ikur me shkathtësi fjalës së përmendur kaq shpesh në kohën e Bushit, ndërkohë që ka sulmuar ashpër ekstremistët militantë.

"Një fjalim i shkëlqyeshëm", pohon New York Times duke e quajtur atë si fjalim i fuqishëm, por i balancuar.

"Obama ishte i ashpër ndaj të dyja palëve: palestinezëve dhe izraelitëve", komenton radioja NPR. Kaq fjalë të qarta drejtuar qeverisë izraelite nuk ka folur asnjë president i deritanishëm amerikan. Në këtë mënyrë ka krijuar bazën për bisedime të mirëfillta mes botës islame dhe asaj perëndimore. Megjithë kritikat e konservatorëve, në mediat amerikane mbizotërojnë tonet pozitive ndaj fjalës së presidentit Obama.

Madje edhe kritikët më të mëdhenj të Obamës e pranojnë, se fjala e tij në Kajro ishte shumë e rëndësishme. Fjala e tij bëri shumë të qartë dallimin nga koha e Bushit, si nga forma ashtu edhe nga brendësia.

Autor: Ralf Sina/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 05.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3yQ
  • Data 05.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3yQ