1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zejtarë me model gjerman

Në Shqipëri është duke u përpiluar sipas modelit gjerman ligji për funksionimin e sektorit të zejtarisë. Një grup eskpertësh nga Shqipëria u ndodhën ditët e fundit në Koblenc për të biseduar me ekspertët në këtë sektor.

default

Tirana

Dhoma e Zejtarisë së Koblencit është duke punuar prej disa vitesh me vendet e Ballkanit për t`i ndihmuar ato në organizimin e sektorit të zejtarisë sipas modelit gjerman. Të gjitha vendet janë përfshirë në këtë projekt, së fundi edhe Shqipëria.

Aleksander Baden, është drejtori ekzekutiv i Dhomës së Zejtarisë të Koblencit dhe drejton edhe ndërmarrjen Ost- West me seli në Sofie. "Ministria gjermane për zhvillim ekonomik dhe landi i Nordrajn Vestfalisë ka dhënë 2,5 milionë euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit në krijimin e organizatave dhe forcimin e tregut të zejtarisë, për ta hapur atë drejt Evropës. Ndërmarrjet zejtare duhet të fuqizohen në mënyrë që të kenë mundësi të shesin produket e tyre në Evropën perëndimore. Zejtaria në Ballkan duhet të kuptojë më mirë rregullat e tregut në Evropën perëndimore."

Ndërtimi i një shtëpie prej druri në Bullgari

Ndërtimi i një shtëpie prej druri në Bullgari


Vendet e Ballkanit ndodhen në faza të ndryshme të organizimit të sektorit të zejtarisë. Në Shqipëri është duke u punuar fillimisht për të përpiluar ligjin për tregun e zejtarisë, në mënyrë që të jepen strukturat ligjore. Por ngritja e këtij sektori nuk ka të bëjë vetëm me ligjin. Edhe specializimi i forcave është pjesë e rëndësishme. "Ne i kemi thënë vendeve të Ballkanit se kjo është diçka që ata mund ta marrin prej nesh, përvojën, shkollimin që është i lidhur me të, që të rinjtë të marrin shkollimin dual në sektorin e zejtarisë, dhe Dhomën e Zejtarisë."


Por vendet ballkanike, shpesh me struktura kaotike mund të kenë vështirësi në përfitimin e përvojës gjermane.

A mund të eksportohet ne fakt përvoja gjermane? "Ligjet gjermane mund të eskportohen. Sistemi i zejtarisë, me ligjet dhe rregullat mund të eksportohen, sepse ato janë dije dhe dijet mund të eksportohen po ashtu si mallrat. Ligjet gjermane në këtë sektor janë ligje që nuk lidhen vetëm me gjermanët, ato mund të zbatohen në çdo vend, sepse kanë të bëjnë me një profesion dhe specializimin për të."


Këtë pranverë parlamenti shqiptar pritet të shqyrtojë ligjin. Për eskpertët, zbatimi i tij nuk do të jetë i vështirë, sepse modeli është evropian. E vështirë do të ishte nëse modeli do të ishte anglo-sakson.

Sallon bukurie

Sallon bukurie

Fillimisht do të ngrihen strukturat organizative të ngjashme me ato në Gjermani, ku do të ketë një dhomë zejtarie kombëtare dhe disa dhoma rajonale. Më pas pritet marrja e përvojës gjermane për zhvillimin ekonomik të sektorit. Projekti gjerman që është përpiluar fillimisht për pesë vjet ka marrë parasysh këtë.


Niveli aktual i Shqipërisë i ka shumë të nevojshme prodhimet e zejtarisë. Aleksander Baden është shumë i bindur se: "Në ndërtimin e Shqipërisë duhen zejtarët shqiptarë. Ata do të specializohen sipas modelit gjerman."


Manfred Huber, jurist në Dhomën e Zejtarisë të Koblencit ka hartuar ligjin e zejtarisë në të gjitha vendet e Ballkanit, dhe në Shqipëri. Si ka punuar ai për ligjin shqiptar?


"Në Gjermani ne kemi rregullat zejtarie, të cilat unë i morra si bazë për përpilimin e ligjit shqiptar. E rëndësishme ka qenë që të mos bëjmë kopjimin e ligjit gjerman dhe dërgimin e tij në Shqipëri por, përfshirjen në ligj të veçantive të vendit."


Çfarë veçorish ka Shqipëria në këtë sektor?


"Në Shqipëri duhet marrë parasysh sektori i punimeve artistike. Siç e pashë në diskutimin me specialistët shqiptarë edhe qeveria është e interesuar që ta zhvillojë këtë sektor. Prandaj projektligji duhet parë për të bërë përpunimin e tij për aspektin e punimeve artistike. Por zejtaria nuk është vetëm "punime artistike" por është më e zgjeruar, të paktën tek ne në Gjermani, " thotë Huber. Atij i duhet të ketë parasysh edhe çështje të tjera. "Në projektligjin tonë është paraparë që ndërmarrjet të pagujanë kuotë të detyrueshme në Dhomën e Zejtarisë. Por specialistët shqiptarë duan që ta ndryshojnë këtë."


Projektligji kërkon që shteti t`ia kalojë kompetencat në këtë sektor Dhomës së Zejtarëve. Kjo mund të arrihet nëse ndërmarrjet detyrohen të bëhen anëtare të Dhomës së Zejtarisë, përndryshe ato nuk mund të jenë pjesë e sektorit. Prandaj Huber mendon se "kuotat e detyrueshme" duhet të ekzistojnë. Megjithatë "fillimisht ndërmarrjet mund të bëhen anëtare të Dhomës Rajonale të zejtarisë dhe për një periudhë të caktuar kohe të mos jenë të detyruara të japin kontributin financiar. Por nëse ato dëshirojnë të përfitojnë nga shërbimet e Dhomës së Zejtarisë, atëherë duhet të paguajnë, pra të blejnë shërbimet që mund të jenë këshillime për taksat, për teknologjinë, për arsimimin, etj.."


Synimi i Dhomës së Zejtarisë të Koblencit është që të fusis në rajon sisteme ekonomike të krahasueshme me sistemin gjerman. Pjesë e tij është edhe projekti me Shqipërinë.

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Dr. Pandeli Pani




  • Data 02.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HOy6
  • Data 02.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HOy6