1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

WikiLeaks Assange

Lindita Arapi12 Korrik 2011

Platforma e internetit "WikiLeaks" është kthyer tashmë në një mit. Qeveria amerikane e ka shpallur themeluesin e saj Julian Assange armik shteti. Të martën (12.7.) ai do të dalë sërish para gjyqit në Londër.

https://p.dw.com/p/11tXA
Julian AssangeFotografi: dapd

Assange është një personazh ekzotik në "world wide web". Për ithtarët e tij ai është një hero, për qeverinë e SHBA-së kërcënim serioz për sigurinë kombëtare: Julian Assange, themeluesi i platformës së zbulimit të sekreteve WikiLeaks. Ajo u ngrit në vitin 2006 nga australiani që merrej me programim dhe pirateri në rrjet. Emri i platformës vjen nga "Wiki" për "Wikipedia" dhe "leaks", nga anglishtja "rrjedhje". Ideja: WikiLeaks bën publike për të gjithë në internet informacione sekrete.

Sigurimi i informacioneve mbetet sekret

Të ashtuquajturit "whistleblower“, informantët, të cilët mbeten anonimë, i dërgojnë Assange-it dhe kolegëve të tij dokumente origjinale delikate. Bashkëpunëtorët e platformës së internetit nuk shkruajnë asgjë gjë në to, por i vendosin thjesht në rrjet, për të nxjerrë në shesh sjelljen joetike të qeverive apo kompanive. Motoja e tyre është: "në rast dyshimi, publikojmë".

Dossierbild Wikileaks Julian Assange 08.02.2011 Prozess Bild 1
Julian Assangit i bëhet procesi për ngacmim seksualFotografi: picture-alliance/dpa

Kështu ish-presidenti kenian Daniel Arap Moi gjeti njëherë në WikiLeaks një listë me paratë publike që ai dhe familja e tij kishin përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Ish-kandidatja republikane për zëvendëspresidente Sarah Palin mund të lexonte në faqet e WikiLeaks mailet e saj private. Në platformë janë dokumentuar ndër të tjera keqtrajtimet e të burgosurve në kampin e Guantanamos dhe një video, e cila tregon një sulm të një helikopteri ushtarak amerikan kundër civilëve irakianë.

Vitin e kaluar platforma arriti njohje ndërkombëtare pasi publikoi më shumë se 90.000 faqe nga dokumente të fshehta të administratës amerikane mbi luftën në Afganistan. Në mesin e tyre sipas vlerësimeve janë edhe emrat e shumë pjesëtarëve të ushtrisë, por edhe ato të informantëve. Shumë revista të njohura si ajo gjermane "Spiegel" dhe ajo britanike "Guardian", vendosën të publikonin pjesë nga ato dokumente.

Julian Assange London Gericht
Julian Assange del të hënën para gjyqit (12.07)Fotografi: AP

Çfarë fshihet prapa imazhit të Julian Assange?

Qysh atëherë është ndezur një debat se çfarë i lejohet dhe çfarë jo një platforme interneti. A është fjala për spiunazh apo opinioni publik ka të drejtë të mësojë se çfarë ndodh prapa kulisave të luftës?

Qeveria në Uashington prej vitesh e lufton Julian Assange-in dhe bashkëpunëtorët e tij, një dokument mbi këtë strategji të shërbimit të fshehtë amerikan mund të lexohet gjithashtu në WikiLeaks. Prej mëse gjashtë muajsh Julian Assange ndodhet në arrest shtëpie në Londër. Atë e kërcënon ekstradimi në Suedi, ku akuzohet se ka abuzuar seksualisht dy gra. Assange i hedh poshtë akuzat dhe e sheh veten si viktimë të një komploti politik.

Autor: Friederike Schulz/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi