1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbatimi rigoroz i ligjit – rrit besimin e qytetarëve tek rezultati i zgjedhjeve

Sipas ekspertëve, legjitimiteti i procesit elektoral është kyç për ndërtimin dhe mbajtjen e një demokracie të shëndetshme.

default

Fasada e dyqanit të vogël të Altin Memos, në Tregun Elektrik të Tiranës, është e mbushur plot me portrete kandidatësh për deputetë: demokratë, socialistë, republikanë, legalistë,etj etj. Të gjithë ata burra dhe rrallë ndonjë grua nga portretet e tyre ftojnë Altinin, klientët e tij dhe kalimtarët në rrugën e sapoasfaltuar me rastin e zgjedhjeve, që këtë të dielë, më 23 qershor, t'ia japin votën njërit prej tyre. A do të votojë Altini ?

“Patjetër, një herë në katër vjet e kam këtë shans. Per mua zgjedhjet janë zemra e demokracisë. Jam inxhinier elektrik, shes materiale elektrike dhe bëj ndonjë punë të vogël private, ndonjë instalim, ndonjë meremetim që të mbaj familjen. A kam besim se vota ime nuk do të manipulohet? Them se çdo votë e lë një gjurmë fizike, që nuk mund të shkatërrohet, nuk mund të humbasë, nuk mund të preket, nëse zbatohet ligji, Kodi Elektoral, nëse nuk zbatohet jo vetëm vota ime por edhe e shumë të tjerëve nuk dihet ku shkon, ku përfundon dhe çfarë roli luan në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Shpresoj që Kodi, pra ligji të zbatohet ” thotë ai për DW.

Sistemi elektoral e ka vetë brenda mosbesimin.

Albanien Parlamentswahlen Juni 2009

Kodi Elektoral mbi bazën e të cilit do të zhvillohen zgjedhjet këtë të dielë do të provojë me këto zgjedhje, për herë të pare, sa i plotë dhe i zbatueshëm është. Ai u reformua pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe vullnetit politik të dy forcave kryesore politike në Shqipëri, PD- PS. Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të kryen perseri në bazë të sistemit elektoral rajonal proporcional. Eksperti i sistemeve zgjedhore, Kristaq Kume thotë për DW se Kodi Elektoral është ndërtuar në mënyrë të tillë që të rrisë besimin e votuesve në procesin zgjedhor.

"Ligji zgjedhor në Shqipëri është ndërtuar nga dy subjektet politike kryesore PD- PS në kushtet kur mes tyre mungon besimi i ndërsjelltë. Për rrjedhojë përmes këtij Kodi, PD-PS, janë përpjekur të krijojnë mekanizma që bëjnë të mundur një kontroll të ndërsjelltë. Kodi Zgjedhor është produkt bipartizan, që garanton PD- PS për të kontrolluar reciprokisht administrimin e procesit zgjedhor. Për pasojë kjo rrit besueshmërinë në rezultatin e zgjedhjeve, ne çertifikimin e fituesit.” thotë Zoti Kume.

Por njëherazi kjo mënyrë bipartizane e ndërtimit të Kodit Elektoral krijon kushte për ndërhyrje abuzive në procesin zgjedhor dhe mundësi për të mos pranuar rezultatin nga pala humbëse, që në analizë të fundit çon në mosbesim të zgjedhësve.

“Sistemi elektoral e ka vetë brenda mosbesimin. Kur flasim për mundësi ndërhyrjeje abuzive nga partitë që mënyra bipartizane e hartimit të Kodit i lë hapur, është fjala psh për votim të një zgjedhësi më shumë se një herë, votim familiar, mbushje të kutive të votimit me fletë votimi, numërues që shkruajnë një numër të ndryshëm nga ai që numërojnë etj ” thekson Kume.

Abuzimet mbeten një mundësi. Realizimin e tyre e limiton në maksimum ligji, dispozitat e të i cilit i konsiderojnë të tilla ndërhyrje vepra penale që dënohen me burgim.

A është i besueshëm KQZ që sipas ligjit çertifikon rezultatin?

DPA Wahlkampagne

Administrata Zgjedhore në Shqipëri është ndërtuar mbi parimin e përfaqësimit dhe balancimit politik. A besojnë qytetarët se një administratë e tillë zgjedhore nuk do të manipulojë dhe tjetërsojë votën e tyre?

“Që qytetarët të besojnë këtë administratrë zgjedhore ajo duhet të kryejë detyrat që i ngarkon ligji, Kodi Elektioral, dhe të ketë prioritet zbatimin e ligjit dhe jo subjektin politik që ka cuar aty përfaqësuesit e vet. Kjo vlen edhe për komisionerët e të gjitha niveleve. Partitë politike nuk duhet në asnjë rast t'i konsiderojnë ata si të dërguarit e tyre dhe të kenë prioritare interesat e partive dhe jo zbatimin e ligjit” thotë Kristaq Kume.

Në kompleksitetin e administratës zgjedhore vend të veçantë për mandatin e tij zë KQZ. Ai është institucioni që çertifikon rezultatin e zgjedhjeve, që shpall forcën politike fituese që do të drejtoje vendin në 4 vitet e ardhshme. Por kriza e funksionimit të tij vetëm me 4 anëtarë në vend të 7 syresh rrezikon që ky komision të mos gëzojë besimin e zgjedhësve për vendimet qe merr dhe perceptimi publikut ndaj tij të jetë jo ai i një institucioni teknik, të pavarur nga politika.

“Situata në KQZ, që vazhdon të funksionojë pa tre anëtarët e zgjedhur nga opozita ul besimin e qytetarëve në integritetin e procesit dhe parathotë një produkt përfundimtar të procesit elektoral që vështirë se mund të konsiderohet në përputhje të plotë me Kodin Elektotral. Kur KQZ nuk do të ketë mundeësi të marrrë vendime me shumicë të cilësuat, pra me 5 anëtare, ai do t' i drejtohet Kolegjit Zgjedhor. Procesi përfundon, vendimet merren por rruga është tepër e sforcuar” thotë Z. Kume.

Pse është i rëndësishëm besimi i qytetarëve tek rezultati?

Kristaq Kume Albanien

Kristaq Kume, ekspert i sistemeve zgjedhore.

Në fakt rezultati i procesit zgjedhor ndodhet në kutitë e votimit. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor bëjnë çertifikimin e asaj që ka ndodhur në kutitë e votimit. Çelesi i besimit te zgjedhesve tek rezultati vjen nga një kombinim i mekanizmave, procedurave për të regjistruar dhe numëruar votën me kopetencën dhe ndershmërinë e komisionerëve dhe nëpunësve të administratës zgjedhore.

“Zgjedhjet e besueshme janë shumë të rëndësishme në demokraci. Legjitimiteti i procesit elektoral është kyc për ndërtimin dhe mbajtjen e një demokracie të shëndetshme”thotë Kristaq Kume.

Besimi i qytetarëve ne rezultatin e shpallur dhe pranimi i tij nga pala humbese është faktori kryesor për legjitimitetin e qeverisë që del nga zgjedhjet,shmangjen e protestave qytetare në rrugë dhe destabilizimin e vendit. Tonet e qeta dhe paqësore të kësaj fushate i shërbejnë rritjes së besimit, thirrjet e dy liderëve politikë kryesorë, Sali Berisha dhe Edi Rama për të marre pjesë në votime po kështu.Të dy parashikojnë fitore spektakolare dhe jo me diferencë të ngushtë, faktor tjetër që rrit besimin e Altinit por edhe të votuesve të tjerë tek një rezultat i pakontestuar.