1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

“Zbatimi i reformës në drejtësi çelësi për negociatat Shqipëri-BE”

Johannes Hahn: BE mbështetje me 150 milionë Euro për vijimin e procesit të Berlinit. Përfundoi në Durrës Takimi i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Albanien Aussenministertreffen der Balkanstaaten

Komisioneri i BE-së Johannes Hahn dhe ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në konferencë shtypi (31.03.2016)

Deklarata e Komisionerit për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për zgjerimin e BE-së për këtë mbështetje finanaciare vjen në një kohë kur nga 4 korriku i Samitit në Paris, si vijim i procesit të Berlinit, kanë mbetur vetëm tre muaj. Ecuria e këtij procesi, si një nismë diplomatike e inicua para dy vitesh nga kancelarja gjermane Angela Merkel për t'i dhënë energji të re procesit të afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, ishte në fokus të takimit dyditor të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit, që përfundoi të enjten (31.03. 2016) në Durrës.

"Kemi vendosur të vemë në dispozicion një financim të ndjeshëm për këtë vit, rreth 150 milionë euro, si formë e një pakete investimi që synojmë ta prezantojmë në Paris. Është një shifër domethënëse përsa i përket projekteve që na janë prezantuar. Bëhet fjalë për pjesën më të madhe të projekteve dhe jo ku secili vend do të ketë nga një, por ato vende që kanë ecur mjaftueshëm në përgatitjet për t'i zbatuar", tha komisioneri europian Hahn, në përfundim të takimit të Ministrave të Jashtëm, të Ballkanit Perëndimor, në Durrës.

Samiti i Parisit –transformimi i Ballkanit në një rajon ekonomik

Ecuria e Procesit të Berlinit nga Samiti i Vjenës, që u zhvillua në gusht të vitit të kaluar dhe paketa e projekteve të përbashkëta rajonale që do të paraqiten në Samitin e Parisit ishte një nga çështjet prioritare që u diskutuan në takimin dyditor në Durrës, të inicuar nga Shqipëria. Situata paraqitet kritike për sa kohë që në Samitin e Vjenës nuk u siguruan dot fonde europiane për realizimin e projekteve rajonale strategjike në sektorin e energjisë, furnizimit me gaz dhe transportit, projekte që kanë potencialin për ta shndërruar rajonin e Ballkanit Perëndimor në një rajon real ekonomik dhe politik. Nga samiti i Vjenës Shqipëria mori mbështetje financiare për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni, pjesë e Korridorit të Kaltër, që do të bëjë lidhjen automobilistike të rajonit përmes vijës bregdetare me Kroacinë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha në takimin e Durrësit që "Shqipëria ka kërkuar financim edhe për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe për ndërtimin e një degëzimi hekurudhor drejt aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza".

Albanien Aussenministertreffen der Balkanstaaten

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor

"Shqipëria është përfituese dhe kontribuese në Procesin e Berlinit. Dëshiroj t'i bëj jehonë asaj çfarë tha komisioneri Hahn në lidhje me nevojën për zbatimin e projekteve të dakortësuara në Vjenë, për ta transformuar Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë edhe në kuptimin ekonomik të fjalës", theksoi ministri Bushati.

Samiti i Parisit, i treti në serinë e katër samiteve, që përmban procesi i Berlinit, pritet të jetë një lloj prove për financimin e projekteve rajonale, për të cilat është rënë paraprakisht dakord. Komisioneri Hahn theksoi në Durrës se është fjala për projekte të përbashkëta europiane dhe jo të veçanta të sejcilit vend të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur pikëpamjen e zhvillimit të rajonit si një i tërë.

Eridana Çano, zëvendësdrejtore e kabinetit të Kryeministrit, thotë për DW: "Samiti i Parisit duhet të jetë një moment historik për të ndërmarrë hapa konkretë në identifikimin e financimit të projekteve rajonale strategjike që ndërlidhin ekonomikisht Ballkanin Perëndimor dhe e kthejnë atë në një rajon real, projekte që sjellin përfitime të menjëhershme për qytetarët".

Fondi prej 150 milionë eurosh, i paralajmëruar në Durrës (31.03) nga Komisioneri Hahn është përqasja që kanë pritur që vitin e kaluar prej BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor, të përfshira në procesin e Berlinit. Mbetet për t'u parë nëse ky fond do të jetë relativisht i mjaftueshëm për projektet rajonale që do të miratohen në Samitin e Parisit, në infrastrukturë, transport dhe energji, pasi është pranuar tanimë që të tilla projekte kanë kosto të lartë. Pamjaftueshmëria apo mungesa e fondeve rrezikon që projektet e përbashkëta në këto fusha të mos realizohen. Ose të cënohen strategjitë kombëtare për zhvillim dhe integrim dhe të rritet borxhi publik nëse vendet e Ballkanit Perëndimor përdorin fonde të tyre.

Hapja e negociatave Shqipëri-BE peng i fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi

Fillimi sa më parë në Shqipëri i zbatimit të reformës në drejtësi ishte kryefjala tjetër në takimet që komisioneri europian Hahn zhvilloi në Tiranë me autoritetet e larta të vendit dhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Komisioneri europian Hahn e vlerësoi fillimin e zbatimit të kësaj reforme në pranverën e këtij viti si çelësin që hap negociatat Shqipëri-BE. "Elementi kyç është reforma në drejtësi. Këtu shumë shpejt BE-së i duhen vendime. Përfundimisht qëllimi im është t'i paraqes vendeve anëtare të BE-së një raport pozitiv për ecurinë e reformës gjatë këtij viti, që të kenë në duart e tyre diçka për të marrë vendimin. Pasi besoj që hapi tjetër duhet të jetë hapja e negociatave për të filluar kështu procesin", tha komisioneri Hahn në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Fillim i zbatimit të reformës këtë pranverë i jep mundësi BE-së të vlerësojë nëse ajo po ecën në drejtimin e duhur, si një bazë që vendet e tij anëtare të marrin ose jo vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por pranvera, nga e cila kanë mbetur 2 muaj, duket e vështirë tani për tani. Kjo pasi maxhoranca dhe opozita parlamentare janë në një ngërç marrdhëniesh dhe përqasjesh të ndryshme ndaj emergjencës së fillimit të zbatimit të kësaj reforme në pranverë. Mazhoranza socialiste e mbështet idenë e komisionerit Hahn, kurse opozita e djathtë kërkon që para fillimit të zbatimit të saj, të shikojë zbatimin në praktikë të ligjit të ri të dekriminalizimit, i cili përjashton nga politika personat me rekorde kriminale. Në këtë situatë Komisioneri Hahn u bëri thirrje palëve të bashkëpunojnë në të mirë të interesave të qytetarëve të Shqipërisë, përderisa hyrja në BE duhet të jetë një çështje kombëtare, theksoi ai në Tiranë, gjatë bisedimebve me palët. Apeli për bashkëpunim maxhorancë-opozitë dhe vënien e interesave kombëtare mbi ato partiake përsëritet pandërprerë nga politikanë dhe zyrtarë të lartë të BE-së duke karakterizuar ecurinë e procesin të integrimit europian të Shqipërisë, të vështirësuar nga lufta politike mes palëve. Kryeministri Rama ka ftuar sërish opozitën, në prani të komisionerit Hahn, të ulet në tryezën e bisedimeve, pa vënë kushte, për të diskutuar mosmarrëveshjet dhe për të filluar zbatimin e reformës në drejtësi. Por lideri i saj, Lulzim Basha vendos si kusht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.