1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashton takohet me kreun serb në Beograd

Agjnecitë e lajmeve / Esat Ahmeti10 Korrik 2013

Catherine Ashton dhe kreu shtetëror serb thanë dje (09.07.) në Beograd se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është i nevojshëm për një jetë më të mirë për qytetarët.

https://p.dw.com/p/19543
Fotografi: REUTERS

Në një konferencë për shtyp pas një takimi me baroneshën Ashton, presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq tha se Serbinë askush nuk mund ta largojë nga rruga evropiane. Ai theksoi se Serbia do të përmbushë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj qytetarëve të saj por kurrë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Në foto: Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq
Në foto: Catherine Ashton dhe Ivica DaçiqFotografi: EU Commission

Ndërkaq shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton shprehu kënaqësinë që bisedimet me kreun serb në Beograd i zhvilloi, siç theksoi ajo, pas vendimit historik të Këshillit të Evropës për të hapur negociatat me Serbinë dhe këshilloi se puna duhet të vazhdojë.

"Hapi kryesor që duhet të bëni tani është zbatimi i marrëveshjes", tha Ashton, e cila vuri në dukje se procesi teknik i zbatimit në praktikë të një vendimi politik, nuk është i lehtë. Por si Ashton ashtu dhe kreu shtetëror serb thanë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është i nevojshëm për një jetë më të mirë për qytetarët.

Catherine Ashton njoftoi edhe për takimin të hënën (08.07.) në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Njëkohësisht ajo paralajmëroi një takim tjetër deri në fund të korrikut. "Për disa, nuk do të ketë pushim veror", shtoi ajo.

Pala serbe kërkon negociata edhe për çështje të tjera

Vendimi i Këshillit të Evropës për të hapur negociatat me Serbinë është sinjal i të arriturave të mëdha të lidershipit serb, tha Ashton. Ajo falendëroi liderët serb dhe popullin e Serbisë, siç tha ajo, për inspirimin që i dhanë rajonit dhe botës. "E gjithë kjo punë ishte njohur nga të gjitha shtetet anëtare kur ata njëzëri morën vendimin për të filluar negociatat pa kushte shtesë", tha baronesha Ashton.

Në foto: Catherine Ashton, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi
Në foto: Catherine Ashton, Ivica Daçiq dhe Hashim ThaçiFotografi: European External Action Service

Ndërkaq kryeministri Ivica Daçiq ka deklaruar shkurt para gazetarëve, se Serbia ka kërkuar tashmë të vazhdojë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, por jo vetëm për temat e përcaktuara nga BE-ja. Pjesë e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jenë edhe çështja e pronës publike dhe private në Kosovë, pozita e kishës ortodokse serbe, trashëgimia kulturore si dhe prona kishtare, tha ai.

Presidenti Nikoliq nga ana e tij tha se me siguri që Prishtina dhe Beogradi nuk do ishin në gjendje të arrinin deri tek një marrëveshje, pa ndihmën e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës është marrëveshje "për një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen, në qoftë se jo për fëmijët tanë atëherë për fëmijët e fëmijëve tanë ".

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton qëndron sot (10.07.) në Prishtinë ku do të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeminstrin e vendit, Hashim Thaçi.