1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbatimi i ligjeve – sfida kryesore në Europën Juglindore për t'i dhënë fund dhunës në familje

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një abuzim serioz dhe i patolerueshëm i të drejtave të njeriut dhe jo vetëm një çështje marrëdhëniesh private, thotë në bisedë me DW-në Cheryl Thomas-

DW: Znj. Thomas, organizata "Global Rights for Women” që ju drejtoni, është aktive dhe e pranishme edhe në Europën Juglindore (EJL). Si është situata në vendet e këtij rajoni lidhur me dhunën në familje dhe dhunën dhe diskriminimin ndaj grave ?

Cheryl Thomas: Ashtu si kudo në botë, dhuna ndaj grave është një problem serioz dhe i përhapur në Evropën Juglindore. Por në këtë rajon ka shumë zhvillime pozitive në përmirësimin e mënyrave të reagimet dhe të përgjigjes për rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Një nga hapat më premtues është miratimi dhe përmirësimi i ligjeve që fuqimisht ndalojnë dhunën, u ofrojnë viktimave të saj mbështetje dhe mundësi të reja për të dalë nga cikli i dhunës dhe riintegruar në shoqëri. Ligjet dërgojnë mesazhin tek komunitetet e qytetarëve në vendet e Europës Juglindore se dhuna ndaj grave dhe vajzave është një abuzim serioz dhe i patolerueshëm i të drejtave të njeriut dhe jo vetëm një çështje marrëdhëniesh private. Megjithatë situata në rajonin EJL mbetet shqetësuese dhe kërkon një reagim të fortë nga qeveritë e vendeve të tij. Një sfidë e madhe në Europën Juglindore është zbatimi efektiv i ligjeve. Kjo është një përpjekje e madhe dhe kërkon që profesionistët e shërbimeve sociale në rajon të kuptojnë mirë dinamikën e dhunës në familje, të sulmeve seksuale dhe të kenë aftësi për të zbatuar ligjet me rigorozitet. Shumë vende në rajon nuk sigurojnë burime të mjaftueshme financiare dhe trajnime të përditësuara për profesionistët. Prioritet duhet të ketë përherë siguria e viktimave të dhunës dhe pëgjegjshmëria e dhunuesve, ndjekja e tyre penale dhe ҫuarja para drejtësisë.

DW: Në fillim të kësaj jave, (13.06.2017) Bashkimi Evropian (BE) firmosi Konventën e Stambollit dhe tani pritet ratifikimi i saj nga Parlamenti Evropian. Çfarë roli mendoni se do të luajë ky hap i BE-së, kur në vendet që e kanë ratifikuar këtë Konventë të Këshillit të Europës (KiE), e cila hyri në fuqi 3 vjet më parë, përfshirë ndër to edhe Shqipërinë niveli i dhunës nuk është ulur?

Cheryl Thomas: Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave mbetet një problem shqetësues dhe me kosto në BE. Përgjigja ndaj rasteve të dhunës në BE ka një kosto prej 226 miliard eurosh ҫdo vit, shifër që përfaqëson 2% të buxhetit vjetor të BE-së. Konventa e Këshillit të Europës për parandalimin e dhunës dhe luftën kundër dhunës ndaj grave, e njohur si Konventa e Stambollit, është marrëveshja më gjithëpërfshirëse ndërkombëtare për këtë ҫështje. Ajo është një instrument i jashtëzakonshëm ndërkombëtar për të parandaluar dhe luftuar këtë dhunë, për të mbajtur qeveritë dhe sistemet ligjore të përgjegjshme në një reagim të fuqishëm dhe efektiv duke i dhënë përparësi sigurisë së viktimave. Por zbatimi i Konventës saj Stambollit kërkon angazhim, burime financiare, ndryshime të thella në qëndrimet dhe politikat për të siguruar që vizioni i saj të bëhet një realitet në jetën e grave dhe shoqërive në përgjithësi. Ky lloj ndryshimi transformues është një process I tërë, kërkon kohën e vet, kërkon shumë vite. Dhe miratimi nga BE-ja i Konventës së Stambollit është një hap i rëndësishëm në këtë proces, duke pasur parasysh që viti 2017 është shpallur nga Komisioni Europian si "Viti europian i aksioneve të fokusuara për të luftuar dhunën ndaj grave”.

Cheryl Thomas (DW/A. Ruci)

Cheryl Thomas

DW: Në Bukuresht sapo përfundoi konferenca ndërkombëtare për rajonin e EJL "T'i bëjmë ligjet të zbatueshme për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave”, organizuar nga "Global Rights for Women”dhe Unioni Botëror Ndërparlamentar . Cili ishte qëllimi i saj?

Cheryl Thomas: Vendet në Europën Juglindore kanë arritje të rëndësishme në reformimin e legjislacioneve kombëtare për t'i bërë ato në përputhje me instrumentet ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut. Por hartimi dhe miratimi i ligjeve nuk mjafton. Vetëm një numër i vogël rastesh dhune denoncohet. Dhe një numër edhe më i vogël ndiqet penalisht. Zbatimi i ligjeve është sfida kryesore. Kjo konferencë ishte një mundësi për të diskutuar mangësitë në legjislacionet kombëtare të vendeve të EJL dhe për të ecur përpara drejt politikave të përbashkëta për të përmirësuar sistemet që u përgjigjen rasteve të dhunës. Ne besojmë që ligjet janë themeli, baza e ҫdo ndryshimi të madh. Ka shumë përvoja në të gjithë botën me reforma ligjore, që datojnë në vitet 1970, kur u miratuan ligjet e para për dhunën ndaj vajzave dhe grave. Shpresojmë që konferenca në Bukuresht, ku morën pjesë të gjitha vendet e Europës Juglindore, mes tyre edhe ato të Ballkanit Perëndimor, të ketë kontribuar për shkëmbimin e përvojave që legjislacionet përkatëse në këtë rajon të zbatohen në mënyrë të plotë dhe efektive për të mbrojtur në radhë të parë sigurinë e grave dhe ҫuar dhunuesit para një drejtësie që funksionon. Investimi në vendet e EJL-së në sistemet përkatëse të drejtësisë është jetik.

DW:Znj. Thomas, nga përvoja juaj, si një aktiviste e palëkundur për kauzën e të drejtave të grave për të jetuar pa frikën e dhunës, cili është faktori kryesor i ndryshimit?

Barazia dhe siguria për gratë është shumë e rëndësishme, thelbësore për një botë të shëndetshme. Megjithatë, sot ka shumë forca në botë që e kundërshtojnë ndryshimin e nevojshëm për ta arritur këtë. Në këtë situatë vizionin tonë për një botë të shëndetshme, pa dhunë ndaj grave do ta arrijmë vetëm nëse transformojmë komunitetet tona në shumë nivele - fëmijët duhet të edukohen për rëndësinë e të drejtave të grave dhe të vajzave, shërbimet mjekësore duhet të njohin dhe adresojnë pasojat serioze të dhunës, sistemi juridik duhet të trajtojë rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave me seriozitetin që meritojnë.

 

Global Rights for Women  është një organizatë e shoqërisë civile me seli në Minesota, SHBA, që ushtron aktivitet në gjithë botën për të promovuar të drejtat njerëzore të grave përmes reformimit të sistemeve ligjore.