1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbardhja e së shkuarës - Për të kaluarën nuk është reflektuar

Me 11 prill mbushen 25 vjet nga dita, kur ndërroi jetë diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha. Pse Shqipërisë i ka munguar lëvizja disidente dhe përse ende nuk është reflektuar intelektualisht e shkuara?

default

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, 20 shkurt 1991

Në jetën e intelektualit shqiptar Maks Velo, që asokohe vuante internimin, vdekja e Enver Hoxhës ka shënuar fillimin e lirisë, jo vetëm për atë si individ: „Ndodheshim tek ushtarët jashtë zonës së rrethuar të kampit, sepse ishte shkëputur një shkëmb nga mali dhe u kishte rënë ushtarëve në krevate. Ishin ushtarët, që na ruanin. Aty pashë se ata ishin ndoshta më keq se ne të burgosur. Nga drejtoria e minierës në mal vinte muzikë funebër dhe ne e dinim se kjo do të thoshte vdekje e një udhëheqësi. U mrekullova e sikur e gjeta se ishte vdekja e tij. Atje në kamp shokët e prisnin me vite të tëra, krijonin imazhe, ishte një sëmundje e tërë, që qarkullonte tek të burgosurit, puna e vdekjes së tij."

Ndërkohë anëembanë Shqipërisë qytetarët zhvillonin homazhe dhe vajtonin diktatorin e vdekur. Nëse lotët e vajit për diktatorin kanë qenë të vërteta, ose jo, këtë mund ta vlerësojë kushdo për veten e tij. Fakt është që shqiptarët me hir, ose me pahir i qëndruan bensik për mbi katër dekada me radhë sistemit. Shqipëria është thuajse i vetmi vend i ish-bllokut lindor, ku ka mungar lëvizja e mirëfilltë disidente.

Maks Velo: "Nuk kishte mundësi të bënim disidencë sepse ishte një vend i vogël, ishte një vend i kontrolluar në çdo minutë, në çdo sekondë kudo që shkoje, çfarëdo që thoje, të regjistrohej."

Vdekja e diktatorit, pikërisht në momentin, kur kishte nisur edhe Perestrojka ishte një ngjarje, që ngjalli shpresat për ndryshime, edhe pse të heshtura në Shqipëri. Megjithatë kthesa ndodhi vetëm pesë vjet më vonë.

08.03.2007 Quadriga Shi Ming

Publicisti Shi Ming

Një diktaturë e thjeshton jetën, e standartizon atë, pasi mungojnë alternativat, që individi të shpaloset i lirë, thotë publicisti dhe analisti Shi Ming, gazetar në DW. Ai madje kujton, se asokohe kinezët krahas citateve të Maos ishin të detyruar të mësonin përmendësh edhe citatet e Enver Hoxhës. Shi Ming: „Ideologjia e fut në shabllon jetën e komplikuar dhe e kthen atë në një model të stërthjeshtësuar. Një gjë e tillë nga disa njerëz mund të shihet edhe si lehtësim, sepse dikush tjetër mendon në vend të tyre."

Efekti postum i diktaturës - Shqipëria ende nuk e ka përpunuar intelektualisht të kalurën

"Që të zbardhësh të shkuarën duhet të kesh dëshirë për ta bërë këtë. Ne fshihemi, nuk jemi njerëz të vertetë, çdo gjë që e bëjmë e fshehim. Ne nuk jemi të qartë, se kemi bërë poshtërisra dhe prandaj nuk duam ta shohim, ta njohim dhe ta korigjojmë atë që kemi bërë. Zbardhja është e vonuar, sepse asnjëri nuk do që ta zbardhë.", thotë Maks Velo. Shqipëria ka mbetur kështu i vetmi nga ish-vendet e bllokut komunist, me përjashtim të Bjellorusisë, që nuk janë çliruar nga ky ngërç.

Oliver Jens Schmitt

Historiani, Oliver Jens Schmitt, profesor në universitetin e Vjenës

Sipas, Oliver Schmitt, historian në Institutin për Historinë e Evropës Lindore në Vjenë, shkaku i mosreflektimit është vazhdimësia e fortë e kuadrit, e elitës shumë të vogël, e cila ka në pjesën e saj më të madhe lidhje familjare me elitën e vjetër komuniste. Numri i intelektualëve, që e trajtojnë çështjen në mënyrë kritike, është shumë i vogël dhe ato kanë vështirësi, se vazhdojnë të luftohen shumë.

Schmitt: „Tragjikja në Shqipëri është sigurisht që si shkenca, ashtu edhe shumë elementë qendrorë të identitetit kombëtar u konceptuan dhe u përhapën në komunizëm. Për këtë arsye ato janë në këtë moment pa alternativë, ndaj edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë efekt i njëjti nacionalizëm vetëizolues."

Sipas historianit Schmitt, gjatë komunizmit në Shqipëri zuri vend botëkuptimi egocentrike e perceptimit për vendin dhe kulturën e tij. Nga ana tjetër vlen të theksohet, që Shqipëria përpara periudhës së komunizmit ka qenë e hapur dhe ka pasur shkëmbime ndërkulturore me botën e jashtme. "Trashëgimia e dimensioneve të mëdha hapësinore dhe e relacioneve kulturore ndërkombëtare, që u zhduk me ardhjen e komunizmit, së paku nga ana ideore intelektuale nuk është kthyer as sot e kësaj dite."

Autor: Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 12.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MtDu
  • Data 12.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MtDu