1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbardhja e ngjarjes së 21 janarit në duar të drejtësisë

Prokuroria e Përgjithshme dhe një komision hetimor parlamentar, i përbërë vetëm nga deputetë të maxhorancës se djathtë në pushtet, po vazhdojnë hetimet për të zbardhur ngjarjet e 21 janarit, ku u vranë tre demonstrues.

default

Të gjitha palët: drejtësia, shteti. faktori ndërkombëtar janë të interesuara të zbardhin këto ngjarje. Por kjo dëshirë që në krye të herës po përballet më vështirësi. Ato lidhen me respektimin e kodit të procedurës penale, marrëdhënieve mes institucioneve, ruajtjes së pavarësisë dhe kompetencave të tyre. Situata është e tillë, ku opozita dhe maxhoranca vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për vrasjen e 3 demostruesve, ku komisioni hetimor parlamentar konsiderohet antikushtetues nga kreu i shtetit, Bamir Topi, që refuzoi dje të dëshmonte tek ky komision. Fletëarrestet e Prokurorisë së Përgjithshme për 6 oficerë të Gardës së Republikës vazhdojnë të mos ekzekutohen nga policia e shtetit, që varet nga pushteti ekzekutiv. Por çfarë thotë Kushtetuta për kompetencat e Prokurorisë?

Aurela Anastasi, pedagoge e së drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës: “Kushtetuta e parashikon institucionin e Prokurorisë si institucion të pavarur kushtetues, që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq, në emër të shtetit. Është absolutisht kompetencë e Prokurorisë që të japë urdhërndalime, apo urdhërarrestime dhe vleftësimi i këtyre masave bëhet brenda 48 orëve nga Gjykata, që është institucioni i vetëm kompetent, që mban ne fuqim ose hedh poshtë si të paligjshëm urdhërin e Prokurorsë. Por Prokuroria nuk mund të paragjykohet për urdhëratm që ajo lëshon.”

Duke iu referuar Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale Znj. Anastasi vë në dukje se ndalimi, ose arrestimi nuk presupozon fajësinë, ose pafajësinë e personit të ndaluar, por vetëm hapjen rrugë të hetimeve për të zbardhur ngjarjen.

Përzierja e politikës me drejtësinë - shenjë e dobësisë së shtetit ligjor në Shqipëri.

Situata e krijuar lidhur me hetimin e ngjarjeve te 21 Janarit për analistin politik Eduard Zaloshnja tregon brishtësinë e shtetit ligjor dhe të institucioneve në Shqipëri. " Shteti ligjor në Shqipëri është shumë i dobët. Atje ku ka demokraci të pjekur dhe shtet ligjor ekzekutivi do të tërhiqej plotësisht nga hetimi dhe do t‘ia linte Prokurorisë t'i shkonte procesit deri në fund. Ngjarjet e 21 janarit tregojnë se jemi një vend parademokratik, apo gjysëm ligjor. Nuk ka ende një drejtësi të pavarur. Për këtë flasin edhe raste të tjera, kur anëtarë të lartë të ekzekutivit janë hetuar nga Prokuroria, çështja ka shkuar madje deri në Gjykatë, por Prokuroria nuk ka arritur t'i përballë ata me Drejtësinë. Përzierja e politikës me drejtësinë është shenjë e sigurtë e dobësisë së shtetit ligjor", thotë Eduard Zaloshnja.

Kushtetuta - e parespektuar

Për një shtet ligjor të dobët pedagogia e së drejtës kushtetuese Aurela Anastasdi sjell edhe argumenta të tjerë, që i kanë nxjerrë në pah ngjarjet dramatike të 21 janarit. " Është fjala për shkelje të disa ligjeve. Njëra palë thotë se është shkelur ligji për tubimet, duke u tejkaluar me veprime nga demonstruesit. Pala tjetër thotë se ka shkelje të procedurës penale, pasi policia e shtetit nuk ekzekuton urdhërat e Prokurores së Përgjithshme. Por ka edhe aspekte konstitucionalë: marrëdhëniet mes Parlamentit dhe institucioneve të pavarura, midis qeverisë dhe këtyre institucioneve, marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës në Parlament.” thotë Znj. Anasatasi.

Faktori ndërkombëtar dhe hetimet.

Shkeljet e ligjit, akuzat e ndërsjellta mes palëve dhe mosrespektimi i pavarësisë së institucioneve e bën zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit një rebus të ndërlikuar. Për të shkuar tek e vërteta dhe vënë përgjegjësit para Drejtësisë në ndihmë ka ardhur faktori ndërkombëtar. Ekspertë amerikanë po asistojnë Prokurorinë e Përgjithdshme në hetimet e saj. Përfitimet në një situatë të nderë janë shumëplanëshe. Duket se ekspertërt ndërkombëtarë janë njëherazi një lloj arbitri, një lloj pale e tretë mes Prokurorisë dhe pushtetit Ekzekutiv. "Interesi kryesor i partnerëve ndërkombëtarë është që Shqipëria të ketë stabilitet”, thotë Eduard Zaloshnja.

Pa dyshim rol parësor ne stabilitetin politik luan drejtësia e pavarur, ajo që vë përballë saj shkaktarët e dhunës në demostratën e 21 Janarit në Tiranë. Në këtë kuptim edhe ndërkombëtarët janë përballë sprovës së rradhës për të kontribuar në funksionimin e një drejtësie të pavarur në Shqipëri. “ Ndërhyrja e ndërkombëtarëve është në kohën e duhur, është shumë e nevojshme jo vetëm për të garantuar hetime profesionale, të bazuara në metodat shkencore më të përparuara, që Prokuroria shqiptare nuk i ka, për të garantuar paanshmërtinmë e hetimeve, por në rradhë të parë edhe për të garantuar respektimin e të drejtave të lirive dhe të drejtave qytetare në Shqipëri, për njeriun që këto të drejta të mos shkelen”, thotë Aurela Anastasi.

Respektimi i këtyre të drejtave është baza e qëndrueshme e stabilitetit politik në Shqiperi.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 03.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10AIu
  • Data 03.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10AIu