1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbardhja e krimeve të komunizmit në Shqipëri

Në Shqipëri ende nuk janë zbardhur krimet e regjimit komunist. Zbulimi kohët e fundit i një varri masiv me eshtrat e 19 të pushkatuarve ka sjellë këtë çështje në rend dite. Pse deri tani nuk ëshë realizuar ky proces?

default

Kisha Katolike në Tiranë

Në Kishën e vjetër Katolike të Tiranës, të ndërtuar më 1865 nga perandori austriak Franz Josef, diku në hapësirën e projektuar për prehjen pas vdekjes të klerikëve të lartë, është edhe një varr bosh... Në pllakën prej mermeri lexohet: " Dom Shtjefën Kurti, 1900 - 1971, i pushkatuar nga regjimi komunist".

Pushkatim për shkak të "prashitjes së keqe të misrit"

Pushkatimi i Dom Shtjefën Kurtit është tipik për krimet e atij regjimi që kanë mbetur pa u zbardhur edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas rënies së tij. I diplomuar në vitin 1918 për teologji në Isbruk të Austrisë, më pas në Vatikan, Dom Shtjefën Kurti filloi karrierën e tij në Arkipeshkvinë e Shkupit, ku u zgjodh nga Nënë Tereza, atëhere 12 vjeç dhe e njohur si Gonxhe Bojaxhiu, për t'u rrëfyer në gjuhën shqipe. Nga Shkupi, në Gjakovë, pastaj në Shkodër, në Tiranë ku u bë kryetar i komunitetit katolik të kryeqytetit. Por fati i tij si i shumë klerikëve të shkolluar në Perëndim ishte i paracaktuar nga regjimi komunist. Ai regjim e arrestoi, e burgosi për 18 vjet, e detyroi pas ndalimit të fesë të prashiste misër në kooperativat bujqësore dhe në fund e pushkatoi me akuzën e dëmtimit te “pronës së popullit nga prashitja e keqe e misrit”. Këto i tregon në mikrofonin e DW i nipi, Nikolin Kurti, i cili prej 20 vitesh kërkon eshtrat e xhaxhait të tij, Dom Shtjefënit.

Nikolin Kurti Tirana

Nikolin Kurti

“Gjatë këtyre 20 viteve shumë familjarë që kanë humbur njerëzit e tyre, të pushkatuar me gjyq, pa gjyq, të varrosur në vende të mistershme, kanë pritur që shteti të merrte përsipër zgjidhjen e këtij problemi. Por kjo deri tani nuk ka ndodhur pasi mungon vullneti politik”, thotë Nikolin Kurti.

Në këto kushte ai iu drejtua Arkivit Qendror të Shtetit, gjeti me qindra dokumenta, zbuloi dhe hapi varre masive në Malin e Dajtit, por nuk gjeti dot eshtrat e xhaxhait të tij. Përpjekjet e tij individuale nuk sollën asnjë rezultat.

Mungesë vullneti politik

Ai nuk është vetëm në përpjekje dhe dështim. Në dyert e Arkivit Qendror të shtetit kanë trokitur dhe trokasin shumë familjarë të të pushkatuarve dhe të humburve gjatë regjimit komunist që kërkojnë të dhëna për të gjetur eshtrat dhe për të pasur një varr ku të vendosin lule në përvjetor. A ka pasur kërkesa për të dhëna nga institucione shtetërore? “Ka patur vetëm kërkesa individuale dhe nuk mbaj mend të ketë pasur qoftë edhe një kërkesë të vetme institucionale”, thotë studiuesi Shaban Sinani, ish-drejtor i këtij arkivi.

Shaban Sinani Tirana Albanien

Shaban Sinani

Nikolin Kurti ka gjetur arësyen e vet pse ka ndodhur kështu.

”Të dyja palët, si e majta, ashtu dhe e djathta, në strukturat drejtuese kanë të afërm që janë të implikuar me këto procese”, pohon ai.

Kurse Shaban Sinani mendon se ka një mungesë të vullnetit politik nga të dyja palët. "Është një çështje që hapet dhe rihapet sa herë që midis palëve në konflikt politik në Shqipëri ka çështje më të rëndësishme për të diskutuar dhe ashtu si hapet edhe mbyllet”, thekson ai.

Shqipëria ende nuk i ka plotësuar standardet ndërkombëtare për zbardhjen e krimeve të komunizmit

Zbulimi kohët e fundit i eshtrave të 19 të pushkatuarve në një varr masiv, përsëri pranë Malit të Dajtit, e ka rihapur çështjen e zbardhjes së krimeve të komunizmit. Vonesa në këtë proces u kritikua javën e kaluar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri për të drejtat e njeriut Philip Alston.

Philip Alston in Tirana

Philip Alston

“20 vjet pas rënies së komunizmit,” tha ai në Tiranë, “ ky nuk është një tregues pozitiv për Shqipërinë, që ka mbetur pas vendeve të tjera dhe nuk ka plotësuar standardet ndërkombëtare lidhur me detyrimin për të hetuar vrasjet masive”, tha Alston.

Opsione për ndryshimin e situatës

Por hetimi i tyre dhe zbardhja e krimeve të regjimit të kaluar mund të realizohet pa humbur kohë thotë studiuesi Shaban Sinani. Hapi i parë është ”krijimi i një regjistri kombëtar të të gjithë qytetarëve të këtij vendi që nga 1945-1990 që janë dënuar me gjyq. Dokumentacioni është i hapur, është Fondi i Presidiumit të Kuvendit Popullor që ndodhet edhe në Arkivin Qendror. Presidiumi ishte si një Gjykatë Supreme. 16 anëtarët e tij dhe Presidenti duhet të votonin për çdo pushkatim dhe dënim me vdekje. Kjo shoqërohej nga një dokumentacion i hollësishëm. Të gjitha janë në këtë fond. Pastaj janë edhe arkivat e Ministrisë së Brendshme. Nuk ka asgjë sekrete qoftë për individë qoftë për institucion pasi ka kaluar afati i rezervimit të dokumentacionit.”

Kurse Nikolin Kurti beson se vetën një institucion ndërkombëtar i pavarur, si Komisioni Ndërkombëtar për gjetjen e të humburve,( International Commission for Missing People) me qëndër në Sarajevë, i krijuar nga ish-Presidenti amerikan Bill Clinton, që po gjen të humburit në Kosovë, Bosnjë - Hercegovinë, Kroaci dhe vende të tjera, ka mjete financiare dhe ekspertizë për të gjetur eshtrat e të pushkatuarve dhe zbardhur krimet e regjimit të kaluar në Shqipëri. Ndërkohë qeveria Berisha ka premtuar ngritjen për këtë qëllim të një "task foprce" në Ministrinë e Brendshme dhe të një Instituti të posaçëm.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 06.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MLo5
  • Data 06.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MLo5