1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zbardhja e krimeve të komunizmit në Shqipëri - Ndihmë nga Komisioni ndërkombëtar për gjetjen e të humburve

Komisioni Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur do të bashkëpunojë në Shqipëri me autoritetet lokale për të gjetur eshtrat e të pushkatuarve nga regjimi komunist dhe kryer çvarrosjen dhe identifikimin e tyre.

Instituti i integrimit për ish të përndjekurit politikë në Shqipëri.

E vërteta për të pushkatuarit dhe të zhdukurit nga regjimi komunist në Shqipëri mbetet ende mister për t'u zbuluar. Megjithatë, Simon Mirakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë, jep për programin shqip të DW shifra zyrtare për numrin e tyre. “Në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, më egra në gjithë ish Evropën Lindore komuniste, u pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq rreth 6 mijë vetë. Më shumë se 4 mijë prej tyre nuk u janë gjetur eshtrat dhe janë pa varr.”

Simon Mirakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Simon Mirakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Familjarë dhe të afërm të tyre kanë rreth 20 vjet që i kërkojnë privatisht eshtrat për t'u dhënë një banesë të fundit dhe nderuar kujtimin në përvjetorët e lindjes se të vdekjes nuk dihen. Por shumica nuk ia kanë dalë mbanë për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe fondeve financiare të limituara. Shqipëria mbetet kështu i vetmi vend nga ish vendet komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore që nuk ka zbardhur krimet e komunizmit, që nuk ka ende një ligj për hapjen e dosjeve të informatorëve të Sigurimit famëkeq.

Zgjatja në kohë i ka dhënë kësaj çështjeje ngjyrime politike, akuza të ndërsjellta mes kundërshtarëve politikë për implikim politikanësh aktivë në ingranazhet e mekanizmit kriminal të regjimit të kaluar. Një vendim i kohëve të fundit të qeverisë së djathtë të Tiranës synon të fillojë fundin e kësaj situate. Vendimi ka të bëjë me ngritjen e një Task Force që merr përsipër t'i gjejë, çvarrosë dhe identifikojë eshtrat e të pushkaturave nga regjimi komunist. Sukses i parë i kësaj strukture është gjetja e një varri masiv, me eshtrat e ish të burgosurve të pushkatuar, për organizimin e një revolte në burgun politik famëkeq të Spaçit. Shumë varre të tilla masive pa emra, pa shenja presin për t'u zbuluar në Shqipëri. Ky mision nuk është i lehtë. Nga pushkatimi i të humburve ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli, ende nuk egziston një listë për të pushkatuarit, mjaft dëshmitarë kanë vdekur, të tjerë janë shumë të moshuar, dokumentat kanë humbur. Është pikërisht Komisioni ndërkombëtar për njerëzit e humbur që mund ta bëjë kthejë atë në një një mision të mundur.

Simon Mirakaj, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë dhe anëtar i Task Force konfirmon ardhjen e këtij komisioni në Shqipëri. “Kanë ardhur përfaqësues të këtij komisioni, kemi marrë kontakte me ta. Shpresoj që gjithçka do të ecë mbarë, në rrugë institucionale. Komisioni ka një përvojë dhe ekspertizë të pasur dhe logjistikën e nevojshme” - thotë Z. Mirakaj.

Kjo logjistikë ka të bëjë në radhë të parë me laboratorin që ky komision ka për nxjerrjen e kodit gjenetik ADN nga eshtrat e gjetura dhe krahasuar atë me kodin e familjarëve të viktimave. Pa këtë analizë askush nuk është i sigurtë se të kujt mund të jenë eshtrat e gjetura. Ndihma e këtij komisioni për Shqipërinë është ofruar falas.

I krijuar në vitin 1996 me iniciativën e ish-presidentit amerikan Klinton, ky komision ka arritur sukses në gjetjen e të humburve gjatë luftës në Bosnje - Hercegovinë, Kosovë dhe madje edhe në fatkeqësi natyrore si tërmete dhe cunami. SHBA-ja dhe vende të tjera demokratike të botës, që financojnë aktivitetin e tij e vlerësojnë gjetjen e personave të zhdukur “ një shqetësim kryesor politik pasi pasiguria rreth fatit të personave të zhdukur shpesh pengon procesin e paqes, zbatimin e plotë të sundimit të ligjit dhe dobëson besimin tek institucionet demokratike”.

Por për suksesin e tij në Shqipëri ka skepticizëm. Adrian Kati, ish i përndjekur politik, thotë për DW se mungon një listë e të pushkatuarve nga regjimi komunist, mungon vullneti politik për ta hartuar atë. Sipas tij më tepër se me gjetjen e eshtrave zbardhja e krimeve të komunizmit lidhet me dekomunistizimin e shoqërisë.

Adrian Kati, ish i përndjekur politik.

Adrian Kati, ish i përndjekur politik.

“ Ne, si shoqëri, kemi ende të hapur identifikimin e krimit komunist. Ne ende nuk e kemi magazinuar këtë krim, nuk e kemi identifikuar se çfarë do të thotë krim komunist, ende nuk arrij të mendoj sesi do të detyrohen të gjithë ata që e dinë, ata që kanë urdhëruar dhe ata që kanë ekzekutuar të tregojnë vendin e krimit. Për 20 vjet nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë. Nuk shoh të ketë ndryshuar diçka tani”

Por situata duket se ka filluar të ndryshoje për mirë: së fundi ka një vullnet politik të shprehur me vepra për ta dekomunistizuar shoqërinë në Shqipëri. Me një ligj të posaçëm së shpejti do të fillojë nga funksionimi Instituti i Dekomunistizimit me një staf të përbërë nga akademikë, historianë, përfaqësues të njohur të shoqërisë civile. "Më mirë vonë se kurrë", thotë Simon Mirakaj.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Msid
  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Msid