1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zannieri : Administrata e Kombeve të Bashkuara është ende e nevojshme në Kosovë

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannieri, thotë se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për çështje teknike dhe këto biseda mund të zgjidhin problemet ndërmjet komuniteteve.

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannieri.

Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannieri.

Deutsche Welle : Zoti Zannieri, cili është roli i UNMIK-ut në këtë fazë në Kosovë, dy vjet pasi shpalli pavarësinë?

Lamberto Zannieri : Po unë vazhdoj të jem shef i UNMIK-ut, në bazë të rezolutës 1244 të KS-it, e cila është ende në fuqi në Kosovë. Çdo tre muaj, unë raportoj për zhvillimet në Kosovë dhe realisht unë monitoroj me kujdes çfarë ndodh në vend. Unë mendoj se administrata e Kombeve të Bashkuara është ende e nevojshme në Kosovë. Ky mision mund të ndihmojë në lehtësimin e raporteve ndërmjet komuniteteve dhe mund të ndihmojë Kosovën të lidhet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, që nuk e njohin pavarësinë e saj. UNMIK-u mund të ndihmojë edhe në çështje shumë praktike. Marr shembull studentët shqiptarë që kanë studiuar këtu dhe dëshirojnë ta vazhdojnë shkollimin në shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë apo të studiojnë në Serbi. Ata mund të marrin vula nga UNMIK- u në dokumentet e tyre që ato të pranohen nga këto vende.

Deutsche Welle : Zoti Zannieri, ju thoni se çdo tre muaj raportoni për zhvillimet në Kosovë. Një raport të tillë do ta paraqisni më datën 22 në një seancë të KS-it. Cilat janë pikat kryesore që do të përfshini në raport?

Lamberto Zannieri : Raporti im për zhvillimet në Kosovë fokusohet në zhvillimet e tre muajve të fundit. Raporti aktual do të përfshijë zgjedhjet lokale të Kosovës, që u zhvilluan në muajin nëntor, zhvillimet politike si ato në nivelin qëndror ashtu edhe lokal dhe për këtë vlerësimi im është që ka patur progres nga të gjithë mekanizmat, në kompetencat që ato kanë. Pra, është shënuar progres, ka qenë një situatë stabile dhe nuk ka pasur kriza të mëdha. Por, unë them se është i nevojshëm që dialogu ndërmjet komuniteteve të vazhdojë.

Deutsche Welle : Zoti Zannieri, në këtë seancë do të marrë pjesë edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni. Kordinoheni ju me zotin Hyseni para se të udhëtoni për në Nju Jork?

Lamberto Zannieri : Gjithmonë kam konsultime me udhëheqësit politik kosovarë. Në këtë rast në KS-it, unë do të paraqes pikëpamjet e UNMIK-ut për zhvillimet në Kosovë, kurse zoti Hyseni paraqet pikëpamjet e institucioneve të Kosovës. Unë e respektoj këtë, po ashtu siç respektoj edhe faktin që në seancën e KS-it, merr pjesë edhe ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq, i cili paraqet pikëpamjet e Serbisë për zhvillimet në Kosovë. Pra unë mendoj se do të jetë një diskutim dinamik në seancën e 22 janarit.

Deutsche Welle : Zoti Zannieri, cilat janë raportet tuaja me udhëheqësit politik kosovarë? Ka një kohë të gjatë që ju nuk jeni takuar me ta, fjalën e kam për takime zyrtare me percjelljen e mediave?

Lamberto Zannieri : Ju e dini në muajt e shkuar ka patur një presion mbi ne, mbi UNMIK-un që të përfundojë mandatin, mirëpo që të jemi të qartë kjo është përgjegjegjësi e KS-it. Le të themi se politika neutrale ndaj statusit është një politikë që nuk është kundër Kosovës por një politikë e fokusuar në çështje praktike, pra unë them se Kosova akoma ka nevojë për UNMIK-un dhe mendoj se ka mjaft vend që UNMIK-u të merret me çështje praktike.

Deutsche Welle : Ju thoni sa ka vend në Kosovë edhe për misionin e UNMIK-ut, mirëpo këtu kemi edhe misionin e BE-së EULEX-in, kemi zyrën civile ndërkombëtare dhe në anën tjetër kemi institucionet e pavarura të Kosovës. Me të gjitha këto mekanizma, sa mendoni se mund të jetë funksional një vend si Kosova?

Lambeto Zannieri : Në këtë pikë deri diku pajtohem me ju se mund të duket se ka shumë mekanizma, por në aspektin e jashtëm kjo mund të shpjegohet në raport me shtetet që e kanë njohur pavarësinë dhe ato që nuk e kanë njohur. Pra, disa vende mbështesin institucionet e pavarura të Kosovës dhe ato që nuk e kanë njohur mbështesin mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo unë këtë do të shikoja nga aspektin e një tranzicioni. Në këtë mes, e mira është se kemi mekanizma ndërkombëtarë me mandate të ndryshme, dhe secila të mund të ndihmojë këtë tranzicion në mënyra të ndryshme. Për shembull EULEX-i, është pozitiv sepse paraqet perspektiven evropiane, në këtë mes UNMIK-ku ka bashkëpunim të ngushtë me këtë mision dhe unë vazhdimisht udhëtojë në Bruksel dhe takojë zyrtarë të lartë atje.

Deutsche Welle : Zoti Zannieri, UNMIK -u tashmë është përqëndruar më shumë në pjesën veriore të Mitrovicës. Çfarë bëni saktësisht në veri të Mitrovicës?

Lambeto Zannieri : Ne akoma administrojmë në pjesën veriore të Mitrovicës, pjesë kjo ku adresimi i problemeve është akoma i vështirë. UNMIK-u akoma repektohet nga popullata lokale në pjesën veriore. Pra, roli ynë në veri është që të jemi sa më konstruktiv, bisedojmë me të gjitha palët, kemi kontakte të mira më udhëheqësit komunalë të Mitrovicës në pjesën jugore dhe poashtu kemi raporte të mira me popullatën lokale në veri.

Deutsche Welle : Zoti Zannieri, në pjesën veriore të Mitrovicës funksionojnë strukturat paralele serbe, të mbështetura nga Serbia. Këto struktura janë të papranueshme për udhëheqësit kosovarë dhe sipas tyre ato duhen shpërbërë. Cila është pikëpamja e juaj?

Lamberto Zannieri : Me lejoni të them se e rëndësishme për Kosovën është që në gjithë teritorrin e saj të ketë struktura shumëetnike, ku të gjitha komunitetet punojnë së bashku. Ku ka paralelizma, kur kemi dy palë struktura, ato kanë dallime dhe në këtë rast kemi dy angazhime që zakonisht nuk mund të funksionojnë. Në këtë situatë nevojitet që të ketë dialog dhe në mënyrë të veçantë dialogu nevojitet në veri të Mitrovicës. Me këtë nënkuptoj një dialog teknik për nivelin lokal ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Deutsche Welle : Jeni ju në favor të përfshirjes së strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës dhe që kjo të arrihet me dialog?

Lamberto Zannieri : Unë personalisht jam për dialog, në mënyrë që të gjendet rruga më e mirë dhe le të jetë ky një dialog i nivelit teknik dhe të mos përfshihen aktorët e lartë politik. Pra, dialogu i nivelit teknik të fokusohet në çështje të caktuara në mënyrë që të kemi struktura që janë në të mirë të të gjitha komuniteteve.

Intervistën e zhvilloi Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 15.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LWkR
  • Data 15.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LWkR