1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zannier: OSBE krijon kushte, nuk e vendos paqen

Nemanja Rujevic23 Dhjetor 2014

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier thotë për DW se zbatimi i marrëveshjes së Minskut është mundësi e mirë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Por çështja e Krimesë duket se nuk do të zgjidhet shpejt.

https://p.dw.com/p/1E8ul
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Në ministerialin e fundit të OSBE-së shtetet pjesëmarrës ishin të mendimit se nuk ka zgjidhje ushtarake të krizës në Ukrainë. Nga ana tjetër të dyja palët në konflikt nuk duket se lëshojnë pe nga qëllimet e tyre. Si mund të tejkalohet kjo disonancë?

Lamberto Zannier: Ne kemi parë një përmirësim të situatës në terren. Ka patur disa thyerje të armëpushimit në muajit e fundit, por situata është përmirësuar, çka na bën optimistë. Për OSBE-në mbetet e rëndësishme zbatimi i procesit politik të nisur në Minsk. Në themel të këtij procesi është armëpushimi, por edhe dorëzimi i armëve e shkëmbimi i të burgosurve. Ne kemi njerëz në terren, të cilët do të angazhojnë të dyja palët për të implementuar marrëveshjen.

Tetë muaj më parë, ministrat e jashtëm të Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe BE njoftuan në një deklaratë të përbashkët se do të mbështesin misionin tuaj. Por më pas kemi parë disa raste dhune. Cilat janë pengesat e OSBE për të arritur një paqe të qendrueshme?

Ne nuk mund të vendosm paqe, vetëm mund të krijojmë kushte për një gjë të tillë. OSBE vepron në dy nivele: politikisht dhe në terren. Por ne nuk kemi kontroll direkt mbi armët. Aktorët kryesorë në terren duhet të luajnë rolin e tyre, vetëm ata mund të qetësojnë situatën.

Puna juaj e fundit ishte të përfaqësonit OKB-në në Kosovë. Ish provinca serbe është shembull i një konflikti të ngrirë, që nuk ka zgjidhje përfundimtare prej 15 vitesh. Mund të jetë Ukraina dhe veçanërisht Krimea rasti tjetër i tillë?

Në fillim të një konflikti të ngrirë asnjeri nuk mund të parashikojë, nëse ky konflikt do të qendrojë i ngrirë apo jo. Por ka disa elemente, që sugjerojnë se problemi mund të jetë për disa kohë. Kjo është shqetësuese.

Përveç luftimeve në Ukrainë, është edhe lufta financiare, që përdor sanksionet si armë në konfliktin mes Rusisë dhe Perëndimit. Si preken bisedimet e paqes nga kjo?

Këto sanksione kanë një impakt, si të gjitha proceset e tjera, që kanë të bëjnë me krizën. Ato theksojnë akoma më shumë ndarjen, që kemi brenda OSBE-së. Disa shtete pjesëmarrës kanë implementuar sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa disa të tjera nuk e bëjnë dhe shkelin disa parime themelore.

OSZE Treffen in Kiew Zannier 04.12.2013
Lamberto Zannier gjatë protestave në UkrainëFotografi: cc-by-nd-3.0/OSCE/Jonathan Perfect

Serbia do të marrë presidencën e OSBE në 2015. Beogradi është kritikuar shpesh për marrëdhëniet e ngushta me Rusinë. Por disa ekspertë mendojnë se Europa duhet të përdorë këto marrëdhënie të mira, që Perëndimi dhe Rusia të gjejnë një zgjidhje për krizën. Mendoni se Beogradi mund t'i përshpejtojë gjërat?

Unë jam dakort që të kesh marrëdhënie të mira ndihmon. Ne kemi parë Zvicrën që është deklaruar në një pozicion neutral dhe mundohet të ndikojë në lehtësimin e situatës për të dyja palët. Kjo nuk ishte e lehtë, por krijon një hapësirë për të kontribuar. Mendoj se Serbia mund të jetë e njëjta gjë. Është e angazhuar në perspektivën europiane dhe ka tradicionalisht marrëdhënie të mira me Moskën. Këto janë elemente pozitive që Beogradi të luajë rolin e mediatorit. Sigurisht që Serbia ka eksperiencë me konfliktet rajonale dhe ka marrë disa mësime të hidhura që tani mund t'i aplikojë në një kontekst tjetër.

Diplomati italian Lamberto Zannier mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së më 1 korrik 2011. Nga 2008 deri më 2011 ai ishte Përfaqësuesi Special i OKB në Kosovë.