1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zëvendëspresidenti Pence shprehet pro partneritetit me BE

Tek shumë evropianë shkaktuan irritime deklaratat skeptike të Presidentit të SHBA Trump për BE. Tani në Bruksel vajti për herë të parë zëvendësi i tij. Ai kishte me vete një mesazh qetësues.

Sinjali nga Uashingtoni është më se i qartë: administrata e SHBA do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen ngushtë me BE. Kështu u shpreh në Bruksel zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence. "Për mua është një nder, që të deklaroj sot i ngarkuar nga Presidenti Trump, se SHBA ndihen të detyruara edhe më tej ndaj bashkëpunimit dhe partneritetit me BE". Pence e bëri këtë deklaratë pas një takimi me Presidentin e BE, Donald Tusk.

Tusk foli për një "mesazh pozitiv". Në bisedat "e hapura dhe të çlirëta" ai dëgjoi fjalë, të cilat janë "shumë premtuese" për të ardhmen dhe që shpjegonin shumë gjëra për mënyrën e re të veprimit në Uashington. BE llogarit "mbështetjen pa rezerva dhe të qartë" të qeverisë së Trumpit, tha Tusk. Ai shtoi se muajt e fundit ka pasur "shumë shprehje mendimesh të reja e nganjëherë të papritura për marrëdhëniet tona dhe sigurinë tonë të përbashkët" ndaj nuk mund të bëhet sikur gjithçka është njësoj si ka qenë.

Deklarata shqetësuese

Pak para marrjes së postit, Trump deklaroi se për të nuk luan asnjë rol, nëse Bashkimi Evropian është i ndarë apo i bashkuar. Më tej Trumpi shprehu mendimin se BE ishte themeluar "për t'i mundur në tregti SHBA." Daljen e Britanisë së Madhe nga BE ai e quajti një "gjë madhështore".

Në stacionin e parë të udhëtimit të tij në Evropë, Pence takoi të shtunën ndër të tjera në Mynih kancelaren Angela Merkel. Në një fjalim para Konferencës së Sigurisë në Mynih ai u përpoq t'ua hiqte aleatëve shqetësimin për politikën e Presidentit të ri të SHBA. "Premtimi i Presidentit Trump është: ne do të qendrojmë në anën e Evropës", tha ai. "SHBA duan miqësi me Evropën dhe me të gjitha kombet."

Më parë Pence pati takuar të Ngarkuarën me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini. Ai tha se do të "kërkojë rrugë, në mënyrë që t'i thellojmë marrëdhëniet tona". Mogherini e quajti në twitter "një takim të shkëlqyer" takimin me Pence.