1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zëri i vetëm kundër - Natasha Kandiq propozohet për çmimin e qytetares së nderit të Ferizajt

Në zyrat e organizatës joqeveritare Inicitiva për Progres - INPO, u nënshkrua të mërkurën (17.03) kërkesa për t’i dhënë çmimin "Qytetare Nderi Komunës të Ferizajt" aktivistes nga Beogradi, Natasha Kandiq.

Albulena Sadiku dhe Natasa Kandic

Albulena Sadiku dhe Natasa Kandic

Kërkesën drejtuar kryetarit të Asamblesë dhe shefave të grupeve të këshilltarëve, e kanë nënshkruar tri organizata joqeveritare, të mbështetura edhe nga klubi i gazetarëve ferizajas, "Haki Braha". Kërkesën për ndarjen e këtij çmimi në emër të shoqërisë civile e ka argumentuar Albulena Sadiku nga INPO. Për DW-në ajo sqaroi: "Kjo iniciativë realisht ka dalur në muajin qershor të vitit 2009, kur në bashkëpunim me shoqatën e ish të burgosurve politikë nga komuna e Ferizajt, kemi organizuar një takim të përbashkët me zonjën Kandiq. Duke pasur parasysh rolin e saj në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të të burgosurve politikë nga komuna e Ferizajt, i njohur ndryshe si grupi i Ferizajt, në mesin e tyre kanë qenë 11 persona, katër prej të cilëve tani janë të ndjerë, ka lindur iniciativa që zonja Kandiq dhe kontributi i saj të njihet në komunën e Ferizajt përmes shpalljes qytetare nderi. Duke qenë se zonja Kandiq, ka qenë ndër zërat e vetëm gjatë asaj kohe në Serbi gjatë viteve 90-99 në protestimin kundër torturës dhe vrasjes dhe në dokumentimin e mizorive të kryera gjatë luftrave jugosllave ne kemi menduar, që kontributi i saj në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë e veçanërisht në komunën e Ferizajt, të shpërblehet me ndarjen e çmimit qytetare nderi".

Nuk është çmimi i vetëm

Pas priftit italian Dom Sandro Shaboleta dhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, Natasha Kandiq nga Serbia, do të jetë personi i tretë i nderuar me çmimin "Qytetar Nderi" i komunës së Ferizajt. Por ky nuk do të jetë shpërblimi i parë për themeluesen dhe drejtuesjen e "Fondit për të Drejtat Humanitare", nga Beogradi, Natasha Kandiq.

Albulena Sadiku nënvizon se: "Kontributi i zonjës Kandiq në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut është çmuar dhe shpërblyer me mbi 20 çmime ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe çmimin "Qytetare nderi e Sarajevës", pastaj "Urdhërin e Nderit" të Republikës së Kroacisë pikërisht në mbrojtjen e të burgosurve pastaj në përgjithësi në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut."

Natasha Kandiq është shumë e nderuar dhe shumë e emocionuar për iniciativën e shoqërisë civile nga Kosova. Gjatë një vizite në Ferizajt, vitin e kaluar ajo ka deklaruar se e ndjen veten të lidhur emocionalisht me grupin e ish të burgosurve nga Ferizajt. "Ne jemi në kontakt me zonjën Kandiq që nga qershori i vitit 2009. Kemi biseduar me të dhe në atë kohë ia kemi shprehur idenë rreth iniciativës për shpalljen e saj qytetare nderi. Zonja Kandiq, e ka pritur mjaft mirë këtë iniciativë. Në takimin e qershorit 2009 ajo pati thënë, se është e lidhur emocionalisht me grupin e Ferizajt, me ish grupin e të burgosurve politikë meqenëse njihen ndër grupet që kanë qenë më të torturuarit nga policia serbe e asaj kohe prandaj ajo vazhdon ende që të mbajë një lidhje të fortë emocionale me këtë grup dhe pati thënë, se ndihet jashtëzakonisht e nderuar në një formë që ka pas mundësinë të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e tyre në një kohë kur familjet e këtyre të burgosurve nuk e dinin për ta a janë gjallë dhe se ku gjinden ata."

Të gjithë dakord

Para se propozimi të dorëzohet në Asamblenë Komunale të Ferizajt përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë zhvilluar biseda me përfaqësuesit e të partive politike në Kuvend. Kështu që ekziston një pajtueshmëri e plotë që asambleja komunale në seancën e prillit ta zyrtarizojë ndarjen e këtij çmimi.

"Ne para se të bëjmë publike kërkesën e dërguar në Asamblenë Komunale paraprakisht kemi kontaktuar me udhëheqësit e grupeve parlamentare në Kuvendin Komunal, po ashtu edhe ekzekutivin e komunës për të marrë pajtimin e tyre rreth kësaj inciative dmth një pajtueshmëri absolute e të gjitha grupeve ekziston prandaj besoj, që gjatë muajit prill do të finalizohet kjo iniciativë dhe zonja Kandiq do të shpallet qytetare nderi e komunës tonë,"

thotë për Deutsche Wellen Albulena Sadiku, e cila në fund shfaq shpresën se ndarja e këtij çmimi do të ndikojë sadopak edhe në përafrimin dhe mirëkuptimin mes dy popujve: "Besoj që në një formë personat e komunitetit serb që jetojnë qoftë në Kosovë apo në Serbi, ata të cilët i ndajnë të njëtat mendime me zonjën Kandiq besoj që do ta çmojnë shumë ashtu siç e çmojnë edhe shqiptarët ndarjen e këtij çmimi, veçanërisht ata të komunës së Ferizajt. Megjithatë puna që ka bërë zonja Kandiq në përfaqësimin dhe mbrojtjen e të burgosurve politikë nga Kosova, ka ngjallur urrejtje ndaj saj tek ish udhëheqja e asaj kohe në Serbi. Por sidoqoftë, ndarja e një çmimi një qytetareje serbe në një formë ose tjetër do t'i shërbejë përfarimit ose së paku mirëkuptimit mes dy popujve".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama






  • Data 20.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MY3d
  • Data 20.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MY3d