1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zërat kritikë në Bullgari bëhen më të fortë

Me vendin 106 në listën e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij, Bullgaria është në fund të listës së shteteve të BE. Eksperti i njohur bullgar i medieve, Georgi Lozanov përmend shkaqet.

Pamje qyteti Sofia

Të duket e vështirë ta besosh, por pasi Bullgaria hyri në vitin 2007 në BE, pozicioni i vendit në listat e klasifikimit të lirisë së shtypit u keqësua në mënyrë të vazhdueshme. Ky zhvillim është i habitshëm, por krejtësisht i shpjegueshëm.

Atëherë, shumë profesionistë bullgarë të medieve menduan se liria është "e garantuar" nga jashtë, pra e quajtën të kryer këtë temë për vete. E humbën interesin kritik. Duke i nisur nga i njëjti mendim, edhe përfaqësues të shoqërisë civile e kufizuan luftën e tyre për lirinë e medieve.

Nën regjimin komunist bullgarët qenë mësuar me një jetë pa shtyp të lirë. Atëherë njerëzit i diskutonin temat më të rëndësishme vetëm privatisht dhe duke pëshpëritur. Pas kolapsit të sistemit të vjetër nuk zgjati shumë dhe bullgarët u rikthyen te ky pozicion: të rëndësishme nuk janë zhvillimet publike, por privatja, pikantja në zhvillimet publike. Këtë tendencë e ndoqën edhe mediet. Pas euforisë fillestare politike në vitet e kthesës politike, mediet rrëshkitën me ngadalë në stilin bulevardesk. Duke ndjekur ligjet e tregut, shumica e medieve sot përqendrohen tek tirazhi dhe tek kuotat. Gazetaria cilësore nuk është objektivi i tyre.

Paralelisht me këtë, kriza politike largoi shumë investorë të mëdhenj perëndimorë nga tregu bullgar i medieve. Vakumi u plotësua me ndihmën e kapitalit vendas - pjesërisht nga burime të dyshimta. Njëkohësisht, tregu i reklamave dhe i shpalljeve është rrudhur në gjysmën e tij dhe tirazhet kanë rënë në mënyrë drastike. Mediet u bënë të detyruara nga halli, instrumente të luftërave midis korporatave.

Georgi Lozanov

Georgi Lozanov

Dhe megjithatë: klasifikimet ndërkombëtare për lirinë e shtypit në Bullgari pasqyrojnë vetëm vlerësimin që kanë për veten profesionistët bullgarë të medieve. Sepse pikërisht këta njerëz janë ekspertët dhe partnerët në intervista, mendimet e të cilave ndikojnë klasifikimet. Gazetarët dorëzohen përballë humbjes masive të simpatisë dhe besimit në profesionin e tyre. Disa heronj të paktë që kanë mbetur në jetën e përditshme vazhdojnë të luftojnë për etikën profesionale.

Shpresa të mëdha ndaj medieve publike

Mediet publike në Bullgari deri tani kanë mbetur një ishull i pluralizmit. Kësaj i shtohet fakti, që shumica e medieve raportuan hollësisht për protestat masive në vitin 2013. Me këtë ato edhe e mbështetën luftën legjitime kundër oligarkisë. Kjo jep shpresë, që kufizimet e lirisë së medieve të krijojnë një kundërpresion, në fund të sukesshëm për kapërcimin e tij.

Diçka e do vërtet kur e ndien në mënyrë të dhimbshme mungesën e tij. Që prej dy vjetësh kjo duket se po ndodh në Bullgari. Ndjeshmëria në çështjet e lirisë së shtypit është rritur, zërat kritikë janë bërë më të fortë. Po të pasohen këto edhe nga ndryshime përkatëse ligjore, atëherë Bullgaria mund t'i ngjisë sërish shkallët, të cilat deri tani e kanë çuar poshtë vendin.

Georgi Lozanov është një ekspert i medieve, profesor i shkollës së lartë dhe zëvendëskryeredaktor i gazetës javore "Kultura". Aktualisht ai drejton edhe Këshillin për Mediet Elektronike në Bullgari.