1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Zënka për Greqinë në koalicionin qeverisës në Gjermani

Sekretari i përgjithshëm i partisë CSU në Bavari, Alexander Dobrindt, nuk lëviz nga e tija: Greqia duhet të heqë dorë nga euro dhe të rikthehet tek dhramia. Por me këtë qendrim ai po bën gjithnjë e më shumë armiq.

"Llomotitje provinciale“ - kështu i karakterizon një politikan drejtues i CSU-së deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të partisë, Alexander Dobrindt. Për gazetën „Bild am Sonntag“ Dobrindt kishte deklaruar se dalja e Greqisë nga eurozona është e pashmangshme. Kështu ai iu kundërvu kancelares Angela Merkel (CDU) e cila jo më larg se e premtja (24.08.2012) në një takim me kryeministrin grek Antonis Samaras, kishte deklaruar: “Unë dua që Greqia të mbetet edhe më tej pjesë e eurozonës“. Merkel shtoi se „nuk njihte asnjë në grupet parlamentare të partive në qeveri, që nuk e donte këtë gjë.“ Por Dobrindt është anëtar i grupit të përbashkët parlamentar të Partisë Kristiandemokrate dhe asaj Kristiansociale (CDU dhe CSU).

Merkel: "Të peshohen fjalët!"

Angel Merkel

Kancelarja Angel Merkel

E pyetur në lidhje me Dobrindt, në një intervistë televizive të dielën në mbrëmje, kancelarja Merkel tha se përpjekjet për shpëtimin e euros kanë hyrë në një fazë vendimtare. „Për këtë arsye mendoj se të gjithë ne duhet t'i peshojmë fjalët.“ Të tjerë politikanë kristiandemokratë u shprehën edhe më qartë. Zëvendësi i Merkelit në kryesinë e partisë kristiandemokrate Volker Bouffier, deklaroi të hënën (27.08.2012): „Çështja është tashmë mjaft e komplikuar, ajo nuk thjeshtohet nëse çdo ditë dikush hedh një bombë.“ Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti i Bundestagut Norbert Lammer (CDU): „Situata është shumë serioze për t'u zgjidhur me një garë retorike.“ Komisioneri i BE-së Günther Oettinger, gjithashtu nga CDU, deklaroi: „Stili nuk është i duhuri, përmbajtja nuk është në rregull dhe llogaria krejt e gabuar.“

Fushatë elektorale me euron

„Llogaria“ sipas Oettinger është përpjekja e kristiansocialëve në prag të zgjedhjeve për parlamentin e landit në Bavarisë, në të cilat bëhet fjalë për mbijetesën e CSU-së si parti qeverisëse, që të shënojnë pikë me retorikë të ashpër, kundër vendeve në krizë në eurozonë.

Por mënyra e Dobrindt është edhe për shumë kolegë të partisë së tij e tepruar. Deputetja kristiansociale në Bundestag, Gerda Hasselfeldt, tërhoqi vëmendjen: "Nëse Greqia mbetet apo jo në eurozonë, nuk është një çështje që vendoset në këtë moment apo nga emocionet e çastit." Fjalë më të qarta përdori deputeti kristiansocial Max Straubinger, nga i cili erdhi edhe shprehja „llomotitje provinciale“. "Është absurde të besosh se Greqia mund të ngrihet në këmbë më shpejt nëse rikthehet tek dhramia." Me një valutë të zhvlerësuar vendi nuk do të ishte më në gjendje të paguante importet, as ato nga Gjermania.

Edhe liberalët distancohen

Kryetarja e Partisë Liberale në Bavari, ministrja federale e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, kërkoi të hënën (27.08.) një pozicionim të qartë të kryetarit të CSU-së Horst Seehofer. Sipas saj Seehofer duhet t'i kërkojë llogari sekretarit të përgjithshëm Dobrindt dhe të shprehet qartë në favor të kursit evropian të koalicionit konservatoro-liberal në Berlin: „ Seehofer duhet të bëjë të qartë se CSU nuk do të zhvillojë fushatë elektorale kundër Evropës. Evropa është shumë e vlefshme për t'u rrezikuar me llomotitje populiste.“

Philipp Rösler (FDP), Horst Seehofer (CSU) dhe Angela Merkel (CDU)

Philipp Rösler (FDP), Horst Seehofer (CSU) dhe Angela Merkel (CDU)

Seehofer ka kohë që nuk është prononcuar për krizën e euros. Është praktikë e vjetër e Partisë Kristiansociale që kryetari i partisë tregohet i rezervuar dhe përdor sekretarin e përgjithshëm për deklarata të ashpra në publik. Por ndryshe nga zakonisht për sekretarin e përgjithshëm nuk ka ardhur mbështetje pas deklaratave, madje as nga ministri bavarez i Financave Markus Söder, i cili në fillim të gushtit donte ta bënte Greqinë „shembull“. Distancimit të qartë të ministres së Drejtësisë i bashkohet në rang federate edhe pozicioni i kryetarit të FDP-së Philipp Rösler, i cili përkrah linjën e Merkelit për qendrimin e Greqisë në eurozonë.