1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zëdhënësi i Fyle: Nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë i marrëveshjes së nëntorit

Në muajin tetor Shqipëria do të përballet për të tretën herë me publikimin e raport-progresit të Komisionit Evropian, i cili do të shprehet nëse vendi i ka përmbushur 12 prioritetet kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE.

Z.Stano, a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?

Peter Stano: Në njëfarë pike Shqipëria do ta marrë statusin, kur të përmbushë prioritetet dhe kriteret që kërkohen. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do ta marrë atë, por kur do ta marrë. Dhe në këtë moment, nuk mund t´ju them diçka më të saktë, vetëm se në momentin kur kushtet të plotësohen, kriteret të përmbushen, kur Shqipëria të dorëzojë të gjithë prioritetet kyçe, vetëm atëherë Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të rekomandojë statusin kandidat për Shqipërinë.

A janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian një vit më parë, apo do të jetë sërish një shans i humbur?

Peter Stano: Muajin e ardhshëm Komisioni Evropian do të publikojë raportin vjetor. Progres-raportet janë shumë të mira, objektive dhe një vlerësim shumë i ndershëm për secilin shtet që është në këtë proces, të performancës së secilit shtet që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, kështuqë muajin e ardhshëm ne do të japim vlerësimin tonë se si ka ecur Shqipëria në përmbushjen e kritereve të nevojshme, si është punuar për realizimin e 12 prioriteteve kyçe të dhëna nga Komisioni Evropian herën e fundit.

Cili është mendimi juaj për çështjen e kufizimit të imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë? Komisioni Evropian kërkoi heqjen e tij. A e vonon mosmarrjen e statusit mosmiratimi i tij në Parlament?

Peter Stano: Në lidhje me rëndësinë e çështjes së imunitetit unë mund t´i referohem asaj çka Komisioneri Stefan Fyle diskutoi me ministrin e ri të Jashtëm shqiptar Panariti gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Komisonieri tha se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.

Në këtë takim, z.Fyle ka përmendur nevojën për dialog konstruktiv për reformën parlamentare, e cila nuk është realizuar ende, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit. A mendoni se në Shqipëri ka një vullnet politik për bashkëpunim?

Peter Stano: Nuk ka lidhje me atë se çka besojmë ne, por ka lidhje me atë që politikanët në vend janë në gjendje të arrijnë. Dhe Komisioni Evropian, Komisioneri Fyle vazhdon t´u përsërisë partnerëve shqiptarë se ajo që është e rëndësishme dhe që Brukseli do të shohë është zbatimi i plotë i marrëvëshjes politike të arritur në nëntor 2011. Kjo do të thotë që të vijohet konsensusi, dialogu dhe puna politike e të gjitha partive politike në axhendën evropiane në mënyrë konsensuale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe siç tha edhe Komisionieri (Fyle) Shqipëria ka një perspektivë të vërtetë për progres drejt Evropës, duke i ofruar vendit dorëzimin e prioriteteve kyçe. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është se si po vihet në jetë marrëveshja politike e nëntorit dhe sigurisht që nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë. Sepse kjo nuk është diçka që i duhet Brukselit. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, për progresin e vendit dhe nga i cili nuk do të përfitojë Brukseli por Shqipëria, dhe mbi të gjitha, që të përfitojnë qytetarët shqiptarë.

Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të kërkuara nga Komisioni Evropian. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani në këtë drejtim?

Peter Stano: Siç ju thashë, Komisioni Evropian do të paraqesë raport-progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat. Në këtë progres-raport do të vlerësohet se çfarë po bëhet, çfarë është bërë, çfarë është bërë shumë mirë, çfarë është bërë në mënyrë të tillë që ka hapësira për të bërë përmirësime. Komisioni Evropian po shikon me shumë vëmendje çdo hap që është bërë në këtë drejtim, sepse ju e dini që sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Prandaj ne shikojmë rezultatet në vendet që duan të anëtarësohen dhe kjo është arsyeja se pse ne e kemi vënë kaq shumë theksin në këtë fushë, që është pjesë e procesit të negociimit në kapitujt 23 dhe 24. Çka do të thotë që shtetet që aspirojnë të bëhen vende kandidate dhe të nisin negociatat duhet të jenëi gati ta trajtojnë këtë çështje shumë thellë që nga nisja e procesit. Komisioni po i ndjek shumë nga afër dhe me vëmendje të madhe se çfarë po bën Shqipëria në këtë fushë e më pas do t´i publikojmë mendimet tona në progres-raportin e muajit të ardhshëm.

Së fundmi z. Stano, duhet të presim për një raport pozitiv apo negativ të Shqipërisë në tetor?

Peter Stano: Unë nuk mund të shprehem para se të dalë progres-raporti. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë po e shohin se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e tyre politikë. Qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë pret Bashkimi Evropian nga liderët kryesorë politikë, dhe qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë presin ata vetë nga liderët politikë. E kam fjalën, që qytetarët shqiptarë jetojnë atje, po i votojnë dhe po i ndjekin nga afër çdo ditë dhe unë mendoj se ata e kanë ndjesinë se si po performojnë liderët e tyre. Por siç thashë, muajin e ardhshëm publikohet raporti vjetor dhe progres-raporti është shumë objektiv dhe jep një vlerësim të ndershëm se çfarë është bërë, çfarë është bërë mirë, ku ka mangësira. Ne do të themi qartësisht se ku ka nevojë për t´u bërë më shumë. Nuk dua të flas para kohe, para publikimit të progres-raportit. Dua të inkurajoj çdo njeri që të presë për të, dhe në tetor gjithkush mund ta lexojë atë dhe se si i sheh Brukseli përpjekjet e bëra, në mënyrë që të përmbushet perspektiva evropiane. Sepse siç e thashë, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe në interes të politikanëve shqiptarë që të dorëzojnë sa më shpejt që të jetë e mundur të gjithë kriteret e nevojshme, si dhe plotësimin e 12 prioriteteve kyçe!

Shënim: Peter Stano është zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Stefan Fyle.