1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zëra nga shtypi ndërkombëtar

EA26 Tetor 2008

"Independent" mbi pasojat e krizës financiare dhe "Die Presse" për gjendjen në Kroaci

https://p.dw.com/p/Fgpd
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta liberale e majtë britanike "Independent" komenton pasojat e krizës financiare:


"Në Amerikë dhe Japoni, në dy vendet më të mëdha të industrializuara të botës, ekonomia po ngadalësohet. Kjo po ndodh edhe në Francë dhe Gjermani, dy ekonomitë më të fuqishme të eurozonës. Në mbarë botën po bien fitimet e sipërmarrjeve, për këtë arsye po shiten aktualisht aq shumë aksione të tyre në bursa. Por ç'është e keqe për sipërmarrjet është e keqe edhe për ne, prandaj masat e qeverive tona në muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare për amortizimin e krizës ekonomike. Paketa shpëtuese e bankave ishte e nevojshme për ta zbutur këtë recesion global, por nevojitet shumë më tepër për të rigjallëruar ekonominë. Ulja e normave të larta të interesit është në fakt e rrezikshme sepse dobëson stërlinën, por do të ishte një hap i parë."


Konservatorja vjeneze "Die Presse" merret me gjendjen politike në Kroaci pas atentatit të fundit ndaj një gazetari:


"Jo pak njerëz që gjatë regjimit të Tuxhmanit luftonin në pozita kyç për atdheun, bënë këtu edhe pasuri personale. Dhe ish-shokë që u kthyen më vonë në armiq politikë dhe biznesi, fajësojnë sot njëri-tjetrin se i luajnë rrengjet bashkë me kriminalitetin e organizuar. Kjo trashëgimi e kohës së luftës; përshtypja se nëpër Kroaci gërshetohet një thurje e politikës, ekonomisë dhe mafiës; vrasjet në mes të rrugës si tani e gazetarit Pukaniç: Të gjitha këto hedhin një hije të keqe mbi vendin. Qeveria duhet të ndryshojë shpejt diçka në këtë drejtim. Përndryshe rruga drejt Bashkimit Evropian mund të bëhet shumë e gjatë."