1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"YU-go!", "Jugo" dhe "jugoviçët"

"Ex-YU-gos" - një libër që ka dalë kohët e fundit në tregun gjerman portretizon imigrantë dhe refugjatë me prejardhje nga ish-Jugosllavia.

default

Autori Rüdiger Rossig dhe Tito

"Jugo" - ishte emërtimi që u dhanë gjermanët imigrantëve (Gastarbeiter) nga Jugosllavia, në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë. Pastaj erdhën të ashtuquajturit 'YU-go', që është një emërtim që e ka shpikur një shoku im. YU ishte targa e Jugosllavisë ndërsa 'go' në anglisht do të thotë 'ik'! Dhe këta ishin refugjatët", rrëfen gazetari gjerman Rüdiger Rossig.

40-vjeçari ka tashmë 20 vjet që shkon e vjen mes Ballkanit dhe Berlinit. Në librin e botuar prej tij "Ish-YU-go në Gjermani", ai portretizon 18 imigrantë dhe ish-refugjatë nga vendet e ish-Jugosllavisë. Analiza dhe fotografi e ilustrojnë të ashtuquajturin "jugosllavizim të Gjermanisë" dhe anasjelltas.

Njëri nga autorët është analisti Patrick Moore. Përmes historisë së restoranteve jugosllave në Gjermani ai përshkruan se si lufta arriti deri tek tenxheret e gatimit: "Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë filluan ndryshimet në restorantet e 'jugove'. Ndërsa më parë vareshin fotografi me nënshkrimin 'Bregu i dalmatin - Jugollavi', tani të njëjtat pamje mbanin nënshkrimin 'Kroaci'," - thotë Moore tek pret biftekun në restorantin "Dalmacija" në qendër të Bonn-it.

"Pronari ka mbetur i njëjti. Në prill të këtij viti restoranti mbush 36 vjet. Më parë ai quhej "Ballkan", pastaj i vumë emrin Primoshten dhe tani e kemi quajtur Dalmacija", rrëfen kamerierja, e cila vetë shërben aty që prej 21 vjetësh. "Dalmacija" është një nga restorantet e pakta të cilësisë së mirë, që kanë mbetur nga koha e 'jugo'-ve. Shkaku nuk është vetëm lufta, por zhvillimi i turizmit masiv në vende të tjera. Dalëngadalë restorantet 'jugo' u detyruan t'ua lënë vendin atyre indianë, tajlandezë dhe japonezë.

Me krijimin e qendrës kulturore "Sued-Ost" (Jug-Lindje) në Berlin Bosiljka Schaedlich, donte të rikthente besimin e humbur tek afro 32 mijë ish-jugosllavët, që jetonin në kryeqytetin gjerman në fillim të viteve 90-të. Pastaj erdhën refugjatët: "Ata kishin nevoja elementare. Herë duhej të mblidhnim rroba për ta, herë na duhej të mblidhnim para për të ndihmuar familjet e tyre. Punës sonë iu shtua një element tjetër: solidariteti dhe ndihma konkrete, si ura themelore e asaj që lidh njerëzit", rrëfen 60-vjeçarja, të cilën ish-presidenti gjerman Johannes Rau, e pat nderuar me "Kryqin Federal të Meritave".

Të parët që u erdhën në ndihmë refugjatëve nga ish-Jugosllavia, ishin gjermanët që edhe vetë kishin kaluar peripecitë e përndjekjeve mbas Luftës së Dytë Botërore. Sued-Ost u kthye kështu në një vend të terapisë jo vetëm për ballkanasit, por edhe për gjermanët, të cilët filluan të thyenin heshtjen e të flisnin për pozitën e tyre si viktima, një temë që asokohe ishte ende tabu.

Ndërmjet imigrantëve të brezit më të ri afrimi ndodhi me anë të të ashtuquajturit 'riciklim kulturor', siç e ka pagëzuar atë Dj Robert Soko, nga "Balkan Beats". Soko, vetë me prejardhje nga Bosnje-Hercegovina, organizonte nëpër klubet e Krojzbergut rregullisht mbrëmje në datat e festave socialiste të ish-Jugosllavisë, si për shembull me rastin e 25 majit, ditëlindjes së Titos. Frekuentues të rregullt të tyre ishin ata që Rossig i quan "jugoviçë". "Jugoviçët janë fëmijët, pra "jugot" e rinj. Shumica e tyre nuk dinë serbokroatisht, por e ndjejnë veten të lidhur me Ballkanin për shkak të prindërve ose gjyshërve. Këta janë shumë shpesh vëzhguesit më të vëmendshëm të Ballkanit ose të prejardhjes së prindërve të tyre. Janë pikërisht jugoviçët ata, që luajnë tani rolin kryesor në këmbimin kulturor mes Gjermanisë dhe vendeve të prejardhjes."

Rossig e zgjeron termin e "jugoviçëve" me një grup tjetër: Ata gjermanë, që për shkak të lidhjeve të ndryshme që kanë pasur me Ballkanin, tashmë mund të quhen të ballkanizuar. Njëri prej tyre është vetë ai, jo vetëm si balkanolog, baba i një "jugoviçi" 9-vjeçar, por edhe si folës shkëlqyer i asaj gjuhe që "jugoviçët" preferojnë ta quajnë serbo-kroatishte.

18 'ish-jugo', 'yu-go' dhe 'jugoviçë' portreton Rossig në librin e tij. Ata nuk janë përfaqësues të gjithë ish-Jugosllavisë. Shqiptarët dhe romët, për shembull, mungojnë fare. Të parët për faktin, se ndërsa këto tri grupe nga fundi i viteve 90-të po kërkonin afrim me njëri-tjetrin, shqiptarët po largoheshin gjithmonë e më shumë nga identiteti ish-jugosllav. Ndërsa romët: "Kur fillova të merrem me ta e kuptova që duhen trajtuar më vete", thotë Rossig. Dhe me të drejtë, sepse elementi ribashkues i popujve jo vetëm të Jugosllavisë por të gjithë Ballkanit, ishte pikërisht - e thënë në gjuhën e austriakut me prejardhje rumune Chantel - ciganizimi.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 04.04.2009
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HQ3n
  • Data 04.04.2009
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HQ3n