1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Xi si kreu i parë i shtetit kinez mysafir i BE-së

Me të vërtetë ngjarje historike: Për herë të parë një lider i shtetit dhe partisë kineze viziton institucionet e Bashkimit Evropian. Xi Jinping përsërit edhe njëherë vendosmërinë për bashkëpunim me evropianët.

Objektivi strategjik u përsërit edhe njëherë në Bruksel: BE-ja dhe Republika Popullore e Kinës duan të thellojnë marrëdhëniet e tyre. Në thelb këto ishin deklaratat e të dy palëve gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping të hënën (31.03.) në Bruksel. Pas diskutimeve me presidentin e Parlamentit, Martin Schulz, presidentin e Këshillit Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso nuk kishte asnjë deklaratë publike të mysafitit të largët, por vetëm një deklaratë të thatë me shkrim. Xi nuk donte të kishte konferencë për shtyp.

Xi në Bruksel me Barroso-n dhe Van Rompuy-n (31.03.2014)

Xi në Bruksel me Barroso-n dhe Van Rompuy-n (31.03.2014)

"Të dy palët kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për të punuar në dekadën e ardhshme për të çuar më tej përparimin në marrëdhëniet BE-Kinë", thuhet ndër të tjera në komunikatën e përbashkët. Çështjet e tregtisë dhe ekonomisë gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në bisedime. "Kina gjithashtu ka shprehur dëshirën që të ecet përpara me një marrëveshje të tregtisë së lirë", vuri në dukje një diplomat i BE-së. Megjithatë, një gjë e tillë është e imagjinueshme për BE-në vetëm në një kohë afatmesme. Së pari, duhet të ketë përparim në marrëveshjen për investime, për të cilën po negociohet aktualisht. Në fazën e parë ajo duhet të rezultojë me një hapje më të madhe të tregut.

Kina si një mundësi

Presidenti i Parlamentit të BE-së, Schulz u deklarua pas takimit të tij me Xi për bashkëpunim më të ngushtë. Ka "potencial të madh të pashfrytëzuar": Edhe pse qarkullimi ditor në fushën e tregtisë kap shumën e rreth një miliardë eurove prapëseprapë mund të ketë zgjerim në fushën e shërbimeve dhe investimeve. "Për të siguruar që marrëdhënia jonë mund të lulëzojë, dialogu dhe besimi në të gjitha dimensionet e saj duhet të forcohen", tha Schulz.

Xi në Bruksel me Martin Schulz (31.03.2014)

Xi në Bruksel me Martin Schulz (31.03.2014)

Sipas një njoftimi të agjencisë kineze të lajmeve Xinhua, Xi ka thënë se "marrëdhëniet mes Brukselit dhe Pekinit duhet të arrijnë lartësi të reja". "Ujëvarat dhe gurët nuk mund të pengojnë asnjë lumë që të rrjedhë në det. Dhe ashtu unë besoj se nuk ka vështirësi që mund të pengojë rritjen e miqësisë dhe bashkëpunimit tonë", ka deklaruar Xi për gazetën belge "Le Soir" . Disa organizata kishin bërë thirrje për demonstrata kundër Xi për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë.