1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Xhihadja bjonde Xhanë - Fytyra e re e terrorizmit islamik

Amerikane, bjonde me sy bojëqielli, 1.50 e gjatë, 45 kg. A e përfytyrojmë kështu një terroriste islamike? Sigurisht që jo. Prandaj të çudit fakti që një femër e tillë të mbahet në burg si e dyshuar për terrorizëm.

Colleen LaRose

Colleen LaRose

"Terrorizmi në SHBA mund të marrë një pamje të re", - thotë një moderatore dhe kolegu i saj shton: "Ajo që të shton frikën është se terrorizmin e ke këtu drejtpërdrejt, në afërsi dhe jo përtej oqeanit. Ajo e quan veten "Xhana e Xhihadit" dhe donte të bënte patjetër diçka për t'u ardhur në ndihmë muslimanëve që vuajnë," - citon moderatori nga deklaratat e "Xhanës së Xhihadit" në faqen e saj në portalin e internetit MySpace.

Shtëpiake krejt e zakonshme

Në jetën e përditshme "Xhana e Xhihadit" quhet Colleen LaRose. Ajo është 46 vjeç, ka qenë e martuar të paktën dy herë dhe nuk ka fëmijë. "Ajo dukej si një shtëpiake krejt e zakonshme,".- thotë fqinja e saj Renee Herbert.

Deri në gusht të vitit të kaluar Colleen LaRose kishte bashkëjetuar për pesë vjet në rrethinat e Filadelfias me Kurt Gorman. Atij i ra si bombë, kur mësoi për jetën e dyfishtë të shoqes së vet, e cila sikurse tha ai për televizionin CNN, ishte kujdesur për babain e tij deri sa ai vdiq në gusht të vitit 2009. "Një njeri fisnik, që kujdesej për një plak, s'e kuptoj se si mund të donte të sulmonte dikë." - thotë Gorman.

LaRose u konvertua në fenë islame

Por sipas hetuesve amerikanë ky ishte qëllimi i Colleen LaRose-s. Pas vdekjes së babait të shokut të saj verën e vitit të kaluar 46-vjeçarja u zhduk duke i vjedhur pasaportën edhe shokut të saj. Ajo donte të shkonte në Suedi, ku mendonte se si amerikane, bionde dhe me sy bojëqielli nuk do të binte në sy, shkruante ajo në internet. LaRose ishte konvertuar ndërkohë në fenë islame dhe donte të përpiqej të gjente në Suedi dhe ta vriste karikaturistin, që e kishte portretizuar në vitin 2007 Mohamedin si qen. Veç kësaj ajo donte të martohej edhe me një person që dyshohej si terrorist, për t'i mundësuar atij ardhjen në Evropë.

Grupi terrorist i Sauerland-it i dënuar tashmë- Daniel Schneider, Atilla Selek, Fritz Gelowicz dhe Adem Yilmaz.

Grupi terrorist i Sauerland-it i dënuar tashmë- Daniel Schneider, Atilla Selek, Fritz Gelowicz dhe Adem Yilmaz.

Terroristë bjondë

Tetetorin e vitit të kaluar ajo u kthye nga Suedia në SHBA ku edhe u arrestua. Colleen LaRose nuk është amerikania e parë që është bashkuar me luftën e shenjtë, Xhihadin. Aktualisht numri i terroristëve me pasaportë të SHBA-së është thuajse një duzinë. Një zhvillim shqetësues ky, mendon Bruce Hoffman, ekspert për terrorizmin në Universitetin Georgetown në Uashington: "Kaq të ndryshëm janë ata që e ndjenë veten të lidhur me organizatat terroriste, sa që nuk ke më mundësi të thuash, se kush është terrorist, ose se ai ka një pamje ndryshe nga ne."

Duket qartë se shumë amerikanë e kanë tepër të vështirë të mësohen me idenë se terroristët mund të duken vërtet si biondina Colleen LaRose.

Autor: Anke Engelke / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MSkj
  • Data 15.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MSkj