1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhelati i Festës së Birrës

Insa Moog / Esat Ahmeti5 Tetor 2013

Oktoberfest është festa më e madhe e birrës në botë. Ekzekutimi është pika kulmore e estradës tradicionale "Vendimin e merr ‚kadiu’". Kjo shfaqje shfaqet çdo vit për vizitorët, që vijnë në Oktoberfest.

https://p.dw.com/p/19u8y
Fotografi: DW/I. Moog

"Mos kini frikë, veç kafkës nuk fluturon gjë tjetër në tokë," thotë në dialektin bavarez burri shtatlartë me fytyrë lyer me pudër të bardhë dhe mustaqe si shkurre. Në kokë ai ka një cilindër të zi. Ai është ekzekutuesi, xhelati "Ringo". Në krah të tij në skenën e vogël është edhe një grua veshur me një fustan të zi, mbërthyer me korse. Edhe ajo ka në kokë një cilindër. "Atij që ekzekutohet, i veshin një kapuç, që as të mos dëgjojë dhe as të mos shohë se çfarë po ndodh përreth tij". Tani gruas, që luan rolin e gjykatëses dhe xhelatit u duhet edhe vetëm një viktimë.

400 shfaqje për sezon

Ata bëjnë çdo ditë rreth 25 ekzekutime, gjatë gjithë 16 ditëve të Festës së Birrës, e cila quhet edhe Oktoberfest, apo në dialektin bavarez "Wiesn". Oktoberfest është festa më e madhe e birrës në botë. Ekzekutimi është pika kulmore e estradës tradicionale "Vendimin e merr ‚kadiu'". Kjo shfaqje ekziston që nga viti 1869 dhe shfaqet rishtas çdo vit për vizitorët, që vijnë në Oktoberfest . Nga viti 1810 Oktoberfest zhvillohet në lëndinën Theresienwiese në Mynih, kryeqyteti i Bavarisë. Xhelat Ringo ka tashmë gati 30 vjet që luan këtë rol dhe ka përvojë të madhe.

Pamje nga Oktoberfest
Pamje nga OktoberfestFotografi: DW/I. Moog

Edhe këtë herë gjendet shpejt ushqim për gijotinën, e cila gjendet në pjesën e prapme të skenës. Një grua nga një grup grash të veshura me kostumin tradicional dirndl do të jetë viktima e radhës. Ringo i bën me dorë që të hipë në skenë. "E dënuara" niset e shoqëruar nga të qeshurat dhe ulurimat e miqve të saj. Pasi hipën në skenë asaj i lidhin sytë dhe i vënë në kokë kapuçin e zi.

Një …, dy …, tre … - bie sëpata

"Mbaje, kokën drejt se vdes më lehtë", thotë Ringo – sërish të qeshura në publik. Gruaja, me sytë e mbyllur tashmë zë vend pas gijotinës. "Ja pra", thërret Ringoja, duke tërhequr një levë, leva lëviz një dhogë dhe gruaja gjendet e shtrirë në bark. Gjendja bëhet serioze, tehu i mprehtë i gijotinës shkëlqen dhe e gjithë vëmendja e rreth 30 spektatorëve në sallën e errët përqendrohet në të. Ata pëshpërisin. Gjykatësja thotë numërojmë të gjithë deri në tre. Kur të themi tre teha e giotinës bie dhe ndan kokën nga trupi". " Oans, zwoa, tre," thërret ajo në dialekti bavarez. Dhe tehu i giotinës bie. Po për të vdekur, kuptohet që nuk vdes njeri.

Në foto, xhelati Ringo dhe ndihmësi i tij
Në foto, xhelati Ringo dhe ndihmësi i tijFotografi: DW/I. Moog

Xhelati Ringo ka pas shfaqjes pak kohë për një intervistë të shkurtër. Por ai nuk ka shumë kohë, sepse pas disa minutash fillon shfaqja tjetër 15 minutëshe. Ekzekutimi në gijotinë është vetëm kulmi i kësaj shfaqjeje, e cila ofron edhe numra prestigjatorësh, xhonglerësh dhe valle. Grupi përbëhet nga 11 anëtarë. Ringo tregon se gjatë Oktorberfest punon 14-orë në ditë. Emri i vërtetë i Ringos është Hjalmar-Maximilian Praetorius. Ai thotë se "kur shtrihem në shtrat, duhet të presë dy orë deri sa të më zërë gjumi - sepse çdo gjë më vjen rrotull."

Sensacion me mjete të thjeshta

Por ai thotë se kjo i pëlqen dhe ia vlen. "Ndjenja, që të krijohet në Oktoberfest, është shumë e bukur. Po ashtu më pëlqen që bashkëpunoj në një grup estrade kaq të lashtë, ku përdoren mjete të thjeshta dhe pa ndonjë elektronikë. Ne bëjmë diçka, që i bën njerëzit ende sot të argëtohen." Për spektatorët ofrohet sot një shfaqje si në fund të shekullit XIX, dhe ata mund të përjetojnë ndjesinë e të qënit në një ekzekutim. Pas shfaqjes reagimet janë gjithmonë pozitive, thotë shefi i trupës së estradës Manfred Schauer.

Xhelati Ringo kërkon një viktimë nga publiku
Xhelati Ringo kërkon një viktimë nga publikuFotografi: DW/I. Moog

70-vjeçari Praetorius ka kryer në vitet e tij në rolin e xhelatit deri tani rreth 14.000 ekzekutime. Ai thotë se në fakt ka dalë në pension, por se ky rol i jep ende kënaqësi dhe prandaj ai vjen çdo vit nga Hungaria, ku jeton prej disa vitesh, për të luajtur këtë rol në shfaqjet, që jepen për Oktoberfest. Ai tregon se paraardhësi i tij e kishte bërë këtë punë deri në moshën 92 vjeçare.