1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Xhavit Haliti: Shumica e akuzave janë bërë nga armiqtë e UÇK-së

Njeri nga personat e përmendur në raportin e Këshillit të Evropës të Dick Martyt është Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai ishte sot në Strasburg, ku në Komision e ligjeve të KE u miratua raporti.

default

Deutsche Welle: Zoti Haliti, në raportin e hetuesit të Këshillit të Evropës Dik Marti, thuhet se UÇK-së gjatë periudhës së luftës është marrë me trafikimin e organeve të serbëve të rrembyer dhe një seri akuzash të tjera edhe pas luftës, ku përmendet edhe emri juaj. Si i përgjigjeni ju këtij raporti?

Xhavi Haliti: Unë sot në Komisionin për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës jam ballafaquar drejtpërdrejt me zotin Dik Marti, në emër të PDK-së dhe parlamentit të Kosovës dhe me Komisionin për të drejtat e njeriut, lidhur me raportin i cili sot ka miratuar një projektrezolutë, që mund të miratohet ose jo në Këshillin e Evropës. Megjithatë, unë si njëri nga protagonistët e themelimit të UÇK-së, mund të them se shumica e akuzave janë bërë nga armiqtë e UÇK-së, të cilët kanë denoncuar nëpër zyra të ndryshme menjëherë pas luftës, por që nuk ka të bëjnë me të vërtetën. UÇK-ja nuk ka patur kurrë në projeksionin e saj as kontrabandimin e drogave dhe as që ka pranuar kurrë ndonjë ndihmë nga kontrabanda e drogave. Çështja e trafikimit të organeve, për mua është shumë e çuditshme akuza dhe nuk mund të argumentohet kurrë, sepse nuk ka pasur diçka të tillë asnjëherë dhe në asnjë rast. Çështja e kontrabandimit të armëve mendoj, që çdokush e di që ne kemi qenë të interesuar që të kemi armë sepse kemi qenë në luftë me Serbinë. Por, ne nuk kemi bërë kontrabandë me armë për përfitime materiale, por ne kemi blerë armë për të luftuar dhe këtë s`kemi nevojë që ta fshehim dhe këto janë akuza për qëllime politike. Megjithatë, kjo është një çështje e hapur dhe në një mënyrë ose në një tjetër nga raporti akuzohet edhe UÇK-ja, përmes antarëve të Shtabit të përgjithshëm, akuzohet edhe Shqipëria në të cilën sipas raportit kanë ndodhur veprime të caktuara. Mendoj se domosdoshmërisht duhet ta kemi një qëndrim dhe ta themi hapur që ne duhet të pranojmë dhe të incistojmë në krijimin e një komisioni të specializuar jo të politikanëve por të specialistëve të fushës nga Evropa dhe SHBA-se dhe protagonistët e tjerë normalisht, të cilët do të hetonin me imtësi secilin prej nesh dhe secilin veprim që është përshkruar në raport. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo lloj hetuesie të karakterit ndërkombëtar, sepse këto të tjerat nuk janë valide sepse raporti e konteston mundësinë e hetimit edhe të KFOR-it edhe të EULEX-it dhe të UNMIK-ut. Pse jo le të vijnë të hetojnë dhe e njëjta gjë do të thuhet sepse nuk ka fakte nuk ka argumente dhe nuk ka të vërteta. Prandaj mendoj se nuk duhet t'i hapim rrugë kërkesës për të hetuar pavarësisht nga ajo se si do të përfundojnë hetimet, sepse është detyrim i yni. Çështja tjetër, unë dua sepse vërtetë si protagonist i apostrofuar dhe si një nga themeluesit e UÇK-së, i mohoj të gjitha ato që janë shkruar kundër UÇK-së dhe kundër njerëzve që e kanë drejtuar atë.


Deutsche Welle: Yoti Haliti, ju thatë se jeni ballafaqur sot me zotin Dik Marti në komisionin për të drejtat e njeritu të Këshillit të Evropës dhe ju keni folur në cilësinë e nënkryetarit të PDK-së. Dik Marti në raportin e tij, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi e cilëson si bosin e mafias në Kosovë. Kjo është një akuzë e rëndë?.

Xhavit Haliti: Për mua është një akuzë shumë e rëndë dhe e pa argumentuar, sidoqoftë, unë nuk i jap të drejtë vetes, që ta marr në mbrojtje askënd, por mendoj se një kryeministër i zgjedhur me votat e popullit nuk ka nevojë të merret me çështjet për të cilat akuzohet. Një djalë, i cili ia ka kushtuar më shumë se gjysmën e jetës së tij çlirimit të vendit nuk do t'ia lejonte vetës që të impikohet në gjërat që janë si këto akuza. Po flas shumë njerëzisht pa atë pjesën që do ta quaja politike dhe e cila është e ndërlidhur me emocionet e mia. Po them se mund t'i nënshtrohet një hetimi sepse ne nuk mund t'i themi jo një institucioni si Këshilli i Evropës. Po them, nëse miratohet rezuluta dhe nuk mund t+i themi që ne nuk pranojmë hetime sepse jemi në rregull. Mendoj se do të jemi në rregull në qoftëse vërtetë bëhen hetime të duhura nga specialistët për të gjithë të apostrofuarit pa përjashtim.

Deutsche Welle: Zoti Haliti, cili ishte reagimi i anëtarëve të komisionit për të drejtat e njeriut të Keshillit të Evropës dhe a mund ta dimë se çfarë përmbanë rezoluta e cila mund të miratohet në Këshillin e Evropës?.


Xhavit Haliti: Reagimi ka qenë tepër aktiv. Kanë qenë delegacioni rus, ai serb dhe delegacioni spanjoll që kanë kërkuar kalimin e rezolutës në Komisionin për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës për arsye që të përshpejtohet pastaj debati në Këshillin e Evropës. Pastaj ka pasur kërkesa të tjera që të shtyhet miratimi i rezolutës për shkak se materiali është dëguar me vonesë. Pra ka qenë vetëm një votë abstenuese në miratimin e këtij projekti, pra një deputet ka abstenuar, të tjetër kanë votuar pro projektrezolutës. Është kërkuar që të ndryshohen dy pasuese, për të cilat thuhet se KFOR-i dhe EULEX-i nuk kanë kompetenca që të ndërhyjnë në territorin e Shqipërisë, por përmes një pasuesi të vecantë i kërkohet Shqipërisë që të krijojë mundësi për hetime të pavarura në territorin e Shqipërisë në vendet ku janë të përfolura në raportin e Dik Martit, në Kukës, Cahan, Burrel dhe ku ta di unë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 16.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qd83
  • Data 16.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qd83