1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Xaver" prek veriun e Gjermanisë dhe vendet fqinjë në veri

Moti me erë, shi dhe borë ka paralizuar jetën e miliona njerëzve, jo vetëm në veri të Gjermanisë, por edhe në vendet fqinjë veriorë dhe në Skoci. "Xaver" në Gjermani shkaktoi vetëm dëme materiale.

Me një shpejtësi prej më shumë se 120 kilometra në orë, stuhia e fuqishme "Xaver" është ndjerë gjatë natës duke gdhirë dita e premte në gjithë Gjermaninë. Komunikacioni detar për anijet, ai ajror dhe tokësor për trenat është ndërprerë për arsye sigurie. Institucionet administrative kanë ndërprerë punën. Shkollat në Hamburg, Schlesvig - Holstein dhe në Bremen këtë të premte janë të mbyllura. Aktualisht aeroportet e goditura më shumë nga anulimet apo vonesat janë ai “Schiphol” në Amsterdam dhe ai i Hamburgut. Ekspertët meteorologë regjistruan stuhinë më të fortë në Hamburg, me rreshje më të dendura dhe erëra më të mëdha. Lartësia e nivelit të ujit sot në mëngjes kishte arritur gati gjashtë metra i lartë. Këtë lloj moti qyteti i Hamburgut e ka përjetuar edhe në shkurt të vitit 1962. Nga era e fortë, veçanërisht në Detin e Veriut ka pasur shumë dëme materiale, si dëmtime të çative të shtëpive, thyerje pemësh, xhamash, ndërsa në rajonet e tjera ka pasur më pak dëme.

Stuhia "Xaver" preku pothuajse gjithë Veriun e Europës duke shënuar të paktën tre të vdekur dhe dy marinarë të humbur. Një prej urave më të mëdha të kontinentit, ajo që lidh Danimarkën me Suedinë është mbyllur. Për shkak të erërave mjaft të fuqishme, dhjetëra mijëra shtëpi janë aktualisht pa energji elektrike. Në Skoci shpejtësia e erës arriti deri në 228 kilometra në orë. Moti me erë, shi dhe borë ka paralizuar jetën e miliona njerëzve jo vetëm në veri të Gjermanisë, por edhe në vendet fqinjë veriorë dhe në Skoci. Fillimisht ky ciklon preku Britaninë e Madhe ku humbën jetën dy njerëz. Edhe në jug të vendeve skandinave, "Xaver" ka shkaktuar vdekjen e një gruaje. Ndërsa në bregdetin jugor të Suedisë, dy marinarë nga era e fortë ende nuk janë gjetur pasi ranë në det nga peshkarexha e tyre për shkak të erës së fortë.