1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Wulff (nuk) cënon kancelaren Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel u deklarua për dorëheqjen e presidentit Christian Wulff. Ajo nuk lejoi pyetje të gazetarëtve. Por vetë rasti Wulff nuk ka lënë pa prekur as kancelaren Merkel

Angela Merkel dhe Christian Wullf

Na ishte një herë... urimet e kancelares Merkel për presidentin e ri!

Dorëheqja e presidenti Christian Wulff, përfaqësuesit më të lartë të shtetit, i ka sjellë probleme serioze edhe kancelares Angela Merkel. Dorëheqja erdhi në mes të negociatave për shpëtimin e euros dhe vendeve të përfshira nga kriza e borxheve. Kancelarja tani duhet të kujdeset që të gjejë një kandidat të ri për president, për të nxjerrë vendin nga kriza. Të premten në mëngjes kancelarja Merkel u detyrua të anulojë udhëtimin e saj në Itali ku do të takohej me kryeministrin Mario Monti. Tani duhet të kërkojë një kandidat tjetër për president, ndërkohë që për tejkalimin e krizës së euros kërkohet një vëmendje dhe përkushtim i madh.

Një çështje pushteti

Angela Merkel

Merkel tani duhet të jap shpjegime.

Për Angela Merkelin zgjedhja e presidentit të ri paraqet edhe një matje forcash politike brenda vendit. Presidenti i Gjermanisë zgjidhet nga Asambleja Federale, e cila përbëhet nga Bundestagu dhe Këshilli Federal. Ai duhet të nënshkruajë të gjitha ligjet e miratuara në parlament, para futjes së tyre në fuqi. Në rast se nuk i nënshkruan ligjet nuk mund të hyjnë në fuqi. Prandaj është e natyrshme që kancelarja është e interesuar që në këtë post të zgjidhet një person i afërt me politikën e saj. Kandidati duhet të ketë mbështetjen e koalicionit qeveritar të përbërë nga liberalët dhe unioni CDU/CSU. Por do të ishte mirë që kandidati i ri për president të ketë edhe pëlqimin e opozitës, që për kancelaren në këtë moment është shumë e rëndësishme.

Shumica e duhur

Christian Wulff

Wulff do të përballet me drejtësinë.

Kandidati i kancelares Angela Merkel, Christian Wulff është zgjedhur në Asamblenë Federale në vitin 2010 vetëm në raundin e tretë, kur kërkohej shumica e thjeshtë. Në dy raundet e para ai nuk fitoi dy të tretat e votave të domosdoshme. Tani gjendja do të jetë edhe më e vështirë. Asambleja federale duhet të mblidhet deri me 18 mars për të zgjedhur pasardhësin e Christian Wulffit. Kancelarja Angela Merkel mund të marrë shumicën edhe në Këshillin Federal deri me 6 maj, kur pritet të mbahen zgjedhjet në landin Shlesvig Holshtajn. Në qoftë se i humb këto zgjedhje, kancelarja dhe koalicioni i saj do të humbasin shumicën në Këshillin Federal. Ndërkohë që 16 landet e përfaqësuara në këtë Këshill Federal kanë në Asamblenë Federale gjysmën e personave që kanë të drejtë vote.

Autoriteti i kancelares deri tani nuk është dëmtuar

Kancelarja Angela Merkel duket se nuk e ka problemin e dëmtimit të imazhit, që do t'ia vështirësonte edhe qeverisjen. Javët e fundit është rritur madje imazhi i saj në të gjitha sondazhet. Popullata gjermane e vlerëson angazhimin e deritanishëm të kancelares Angela Merkel për tejkalimin e krizës së euros. Duket se kancelaren nuk e kanë prekur fare kritikat ndaj presidentit.

Christian Wulff ishte president i zgjedhur me vullnetin e Angela Merkelit. Në vitin 2010, Christian Wulff ishte kryeministër i suksesshëm i Saksonisë së Poshtme. Ai mendohej madje të kthehej në një nga kandidatët për postin e kancelarit të Gjermanisë. Analistët politikë në Berlin thonë madje se kancelarja Angela Merkel e ka propozuar pikërisht për këtë arsye Wulffin në postin e presidentit, për të eliminuar një kandidat.

Merkel dhe Wulff

wullfi ishte pasardhësi i Köhlerin, por Merkel duhet të gjejë pasardhësin e pasardhësit!

Figura e atëhershme pozitive e politikanit 51-vjeçar ishte e panjollosur, por ai tani ka dëmtuar edhe imazhin e presidentit. Kjo sepse edhe vet Wulffi në vitin 2010 është zgjedhur si pasardhës i ish-presidentit Horst Köhler, i cili papritur dha dorëheqjen. Planet ishin që në vend të tij të zgjedhet një person i cili nuk do të sjellë kancelaren Merkel në një pozitë të keqe.

Në qoftë se me të vërtetë dëshmohen akuzat ndaj Christian Wullfit si të vërteta kjo do të thoshte se edhe vlerësimi i kancerales Merkel ishte shumë i gabuar. Ajo mund të kritikohet për mbështetjen për një kohë të gjatë të një personi që nuk e ka merituar. Kohët e fundit janë dëgjuar kritika të opozitës që shkojnë në këtë drejtim. Por dëmtimi i kancelares mund të ketë pasoja vetëm brenda vendit, sepse në përmasat ndërkombëtare kjo çështje nuk luan ndonjë rol.

Të shtunën (18.2.2012) do të takohen krerët e partive në koalicion për t'u këshilluar lidhur me pasardhësin e mundshëm të Christian Wulffit. Kancelarja Merkel sërish do të detyrohet të ndryshojë planet e mëparshme.

Autor: Wolfgang Dick/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama