1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Wowereit: Ndërtimi i Murit të Berlinit nuk ka qenë i domosdoshëm

Në intervistë për radion Kombëtare Gjermane (Deutschlandfunk) kryebashkiaku i Berlinit Klaus Wowereit thekosn, se diktatura e RDGJ-së izoloi veten me ngritjen e murit ...

default

Klaus Wowereit, kryebashkiak i Berlinit

Ndërtimi i Murit të Berlinit dhe ngritja e kufirit të brendshëm gjerman ishte momenti më i vështirë në kuptimin e vërtetë të fjalës në historinë gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore, më 8 maj 1945. Me rastin e 50 vjetorit të fillimit të ndërtimit të murit më 13 gushti 1961 sivjet po zhvillohen veprimtari përkujtimore të kësaj ngjarjeje dramatike. Edhe në Berlin janë organizuar disa veprimtari. Në intervistë për radion Kombëtare Gjermane (Deutschlandfunk) kryebashkiaku i Berlinit Klaus Wowereit, i cili asokohe ishte shtatë vjeç, kujton se si e ka përjetuar këtë: "Ne fëmijët ndienim shqetësimin e të rriturve, megjithëse duhet të them se si fëmijë njeriu ka kufizime të caktuara lëvizjeje. Ne jetonim afër Murit, dhe vëllezërit e mi më të mëdhenj, shkonin për të bërë banjë në Mahlov, por pas ndërtimit të murit kjo nuk ishte më e mundur."

DLF: Si e ka përjetuar vitet më pas Wowereit dhe familja e tij, vëllezërit dhe motra murin, nëse ato u ambjentuan ndonjëherë me të?

Wowereit: "Nuk mund të thuash se u mësuam, por njeriu nuk mund të jetojë ditë për ditë në frikë dhe tmerr, megjithatë Berlini ishte vazhdimisht në rrezik, kjo ndjenjë mbeti gjithnjë, njeriu ishte i rrethuar, sigurisht që brenda këtij rrethimi ne kishim hapësirë të lirë jete, por sa herë që të duhej të largoheshe nga qyteti duhet të kaloje nëpër korridore, në distanca tranziti, njeriu ishte në dorë të arbitraritetit të shtetit në RDGJ, kjo ndihej. Gjithnjë ndodhnin kontrolle, hiqi flokët nga veshi i majtë, keni armë me vete, hapni bagazhin, ngrini ndenjësen e makinës, të gjitha këto ishin ngacmime dhe kërcënime të vazhdueshme."

DLF: Por kush e ka pasur fajin në ndërtimin e Murit zoti Wowereit: Lufta e Ftohtë, forcat globale si të thuash, apo Partia e Unitetit Socialist (SED)?

Wowereit: "Unë mendoj se faji nuk ka qenë i një faktori, por i gjithë situatës së përgjithshme. Nuk ka asnjë arsye që të përpiqesh të justifikosh dikë, dhe ta quash të domosdoshëm ndërtimin e murit. Njerëzit ikën, inteligjenca u largua nga RDGJ, ndërtimi i murit ishte kundër natyrës, ishte kundër njerëzve dhe mbeti dhe i tillë! Të gjitha debatet që bëhen sot, nëse ishte apo jo i domosdoshëm, i largohen çështjes! Këtu ka pasur një diktaturë, e cila u izolua dhe që i mbajti njerëzit me forcë. Në vend që të ndërronte politikën."

DLF: Gjithnjë bëhen sondazhe, dhe një i fundit thotë se dhjetë përqind e berlinezëve thonë se ndërtimi i murit nuk ka qenë vetëm gabim, pra ka nga ata që e justifikojnë ndërtimin e Murit. Dhe në ish-Berlinin Lindor, 41 përqind e njerëzve mendojnë se ndërtimi i Murit ka qenë i gabuar. Pse mendojnë qytetarët në Berlinin Lindor ndryshe nga ata në atë Perëndimor?

Wowereit: "Çështja është shumë më e komplikuar se sa përgjigja me po dhe jo në një sondazh. Unë nuk kërkoj të justifikoj askënd, megjithatë ka ende njerëz që nuk kanë mësuar ende prej historisë, që mendojnë se në RDGJ ka qenë gjithçka më mirë. Këta njerëz ekzistojnë edhe sot, por ata përbëjnë një përqindje të vogël. Pjesa më e madhe mendojnë në mënyrë historike për këtë çështje, siç e bëtë edhe ju pyetjen, a ishte ndërtimi i murit i domosdoshëm. A ishte ai përgjigje e konfrontomit të forcave apo rezultat i aktiviteteve konkrete të qeverive të veçanta? Duhet bërë punë sqaruese dhe pikërisht ky është koncepti ynë. Ne nuk duam të harrojmë, por duam të sqarojmë brezin e ri se çafrë do të thotë diktaturë e RDGJ-së, dhe të kujtojmë ngjarjet dhe viktimat, por edhe të paralajmërojmë për të ardhmen në mënyrë që të mos përsëritet më."

Autor: Friedbert Meurer/VFB

Redaktoi: Bahri Cani