1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"world wide web" mbush 15 vjet

Lechler, Pascal / Genf 30 Prill 2008

15 vjet "world wide web" - një ide nga Gjeneva revolucionoi botën. Sot askush nuk bën dot pa të. 15 vjet më parë në qendrën CERN në Gjenevë u 'shpik' "world wide web".

https://p.dw.com/p/DrPG
Sir Timothy Berners-Lee, "babai" i World Wide WebFotografi: AP

15 vjet më parë CERN hodhi në rrjet programin soft "www". Askush nga shkencëtarët pjesëmarrës në projekt nuk mund të dinte se çfarë fitorje do të korrte ai.

Sot tre "w-të" janë me siguri seria më e shtypur e shkronjave. Në fund të viteve '80 fizikanti britanik Tim Berners-Lee dhe belgu Robert Cailliau në Qendrën Europiane të Studimeve Nukleare CERN në Gjenevë patën idenë e krijimit të një rrjeti mbarëbotëror informacioni. Interneti ndërkohë egzistonte. Me anë të tij shkencëtarët në të gjithë botën ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Por, tregon Robert Cailliau:

"Ne na nevojitej një standart i njësuar. Ai nuk egzistonte. Egzistonin të dhëna në të cilat mund të kishe akses në të gjithë botën por ato kishin nevojë për terminale të caktuara, fjalëkalime dhe duheshin paguar taksa. Gjithçka ishte shumë e ndërthurur."

Sfida për shkencëtarët atëherë ishte e qartë. Duhej gjetur një sistem i përbashkët për këmbimin e të dhënave.

"Ne na lindi ideja e krijimit të një sistemi me anë të të cilit mund të gjeheshin dokumente dhe link-e. Tim Berners-Lee zgjodhi internetin si infrastrukturë. Ai ishte ndërkohë i përhapur në të gjithë botën akademike. Edhe emrin "worldwideweb" e kishin zgjedhur përpara se të zhvillonim prototipin e parë. Pasi sapo një gjë e tillë paraqitet ai merret nga të gjithë. Rrjeti nuk mund të ishte më i vogël se e gjithë bota."

Në vitin 1989 Berners Lee filloi të zhvillonte programet përkatëse. Ato bazoheshin në një të ashtuquajtur "hyper-tekst" me të cilin përdoruesi mund të kalohej nga një tekst tek tjetri pa komanda të komplikuara. Me ndihmë të një "browser-i" mund të lexoheshin edhe tekste të cilat ndodheshin në server-a të largët. Natyrisht ide të ngjashme kishte patur edhe më parë, thotë Cailliau, por:

"E veçanta ishte thjeshtësia në përdorim. Tani ishte më e lehtë të gjehej një faqe interneti. Përdoruesit mund të lexonin çfarë të donin. Ata mund të klikonin dhe me një "link" i çonte më tutje. Mund të navigonin në një univers gjigand dokumentesh."

Për herë të parë kishte dhe një sistem fare të qartë adresash. Një sistem përdorimi i të cilit është sot i vetëkuptueshëm për çdo përdorues interneti.

Në vitin 1993 pra plot 15 vjet më parë CERN-i hodhi në rrjet programin "www". Pa pagesë, të shoqëruar vetëm nga një e drejtë autori. Të gjithë kishin mundësi t'a përdornin. Dhe kjo u bë me qëllim.

"Kushdo mund t'a përdorë pa pagesë, mund të bëjë me të çfarë të dojë. Por e drejta e autorit duhet të garantojë që askush tjetër të mos e përvetësojë programin dhe të detyrojë të tjerët të paguajnë."

Hartuesit e programit ishin të interesuar për krijimin e një standarti unik, për akses universal në internet dhe jo për të fituar shumë para. Kjo është një tjetër arsye pse "www" pati sukses dhe kështu filloi dhe triumfi i internetit.