1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Wolfgang Schäuble: shpëtuesi i Euros

Ministri i vjetër është edhe i riu. Wolfgang Schäuble është i pazëvendësueshëm në kabinetin e tretë të Merkelit dhe në Evropë shihet si komisar i paepur kursimesh. 71 vjeçari po e provon edhe njëherë fatin.

Dy të tretat e gjithë gjermanëve sipas një sondazhi duan që Wolfgang Schäuble të mbetet ministër. Kancelarja Merkel e dëgjon vullnetin e zgjedhësve, edhe sepse në fund të fundit, ministri i Financave konsiderohet si një pol i rëndësishëm qetësie në kabinetin e saj të tretë. "Ndërkohë unë kam ardhur në një moshë dhe në një situatë politike, kur me të vërtetë kam një masë të madhe lirie personale. Nuk më duhet të bëhem më diçka, nuk më duhet të dëshmohem më për shumë gjëra", tha para pak kohësh për veten konservatori 71 vjeçar në një intervistë me "Radion Berlin Brandenburg".

Në foto, Wolfgang Schäuble

Në foto, Wolfgang Schäuble

Për Wolfgang Schäublen është e qartë se me siguri ai ka marrë tani postin e fundit në politikën aktive. Postet më të larta, të cilat i synonte ai, si kryetar qeverie dhe president i vendit, ai nuk arriti t'i marrë. Përfshirja në aferën e donacioneve të partisë 13 vjet më parë, bëri që karriera e Schäubles, i cili shihej si princi trashëgimtar i kancelarit Helmut Kohl, të merrte një kthesë të beftë. Në vend të tij ishte Angela Merkeli që arriti në krye të partisë dhe të qeverisë. Në pamje të jashtme, Schäuble është sjellë gjithmonë besnik ndaj Merkelit. Në fillim si ministër i Brendshëm, pastaj si ministër i Jashtëm, të cilit iu desh të shpëtonte euron vitet e fundit, pa e futur takspaguesin gjerman në rreziqe të mëdha.

Prej kënaqësisë së detyrës

Edhe pas 41 vjetësh në Bundestag dhe posteve të ndryshme në parti dhe në qeveri ai ka akoma shumë fuqi, tha Schäuble, të cilin revista "Der Spiegel" e ka konsideruar edhe si "bashkëkancelar" krahas "nënës Merkel": "Unë e bëj (detyrën), sepse e bëj me dëshirë dhe jo sepse më detyron dikush. Unë jam mirënjohës, kur e kam shansin. Prandaj më jep gëzim edhe puna e mundimshme e ministrit të Financave, aq më tepër kur në Evropë ne luajmë sot natyrisht një rol qendror, ne ministrat e Financave. Aq më tepër minstri gjerman i Financave." Detyra e Wolfgang Schäuble-s do të jetë që të gjejë paratë për projektet që kushtojnë miliarda, për të cilat u ra dakord në marrëveshjen e koalicionit midis CDU, CSU dhe SPD. Si ministër i Financave ai ka të drejtën e vetos përballë kolegëve të kabinetit të tij. Disa gjëra atij me siguri do t'i duhet t'i anulojë, për të mos rrezikuar synimin e një buxheti të balancuar. Ngritjen e taksave Wolfgang Schäuble e përjashton. Por këtë qytetarët nuk ia besojnë. Në bazë të anketimeve, shumica e të pyeturve besojnë se dikur taksat do të rriten, për të financuar vepra të reja bamirësie si "pensionin për nënat" ose "pensionin për bilancin jetësor".

Në foto, Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble

Në foto, Angela Merkel dhe Wolfgang Schäuble

Respekt dhe gjuhë e mprehtë

Wolfgang Schäuble thotë për vete se jo të gjithë e kuptojnë humorin e tij ironik. Ai mund të tregohet i vrazhdë dhe shumë i ashpër për një çështje. Përsa u përket miqësive, ai është i kursyer. Kancelares, edhe pas shumë viteve bashkëpunimi ai i drejtohet me "ju", njësoj si kryetarit të partisë motër konservatore, CSU, Horst Seehofer. Schäuble është besnik, por jo njeri që të bëhet shok. "Në jetën time të gjatë kam mësuar që marrëdhëniet personale dhe respekti për tjetrin janë diçka tjetër nga pozicioni i kundërt politik. Kjo është e ngjashme si te dy futbollistë: kur luajnë kundër njëri-tjetrit, atëherë tregohen të pakursyer. Prandaj megjithatë ata mund të jenë sërish shokë. Të paktën nuk duhet të jenë armiq. Unë i respektoj edhe të tjerët."