1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Wolfgang Ischinger: Ndryshimi i qëndrimit rus ndaj pavarësisë së Kosovës nuk pritet shpejt, por kjo mund të ndodhë

Përmirësimi i raporteve mes Uashingtonit dhe Moskës mund të ndikojë edhe në ndryshimin e qëndrimit rus ndaj Kosovës, thekson -eksluzivisht për DW-në - ish-përfaqësuesi evropian në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit.

default

Wolfgang Ischinger, Kryetari i Konferencës së Sigurisë në Mynih


DW: Z. Ambasador, si e shihni Kosovën sot, një vit pas shpalljes së pavarësisë?


Ischinger: Ka njerëz, të cilët gotën e mbushur përgjysmë gjithmonë e shohin si gjysmë të zbrazur. Unë i takoj grupit të optimistëve. Kosova është larg kapërcimit të të gjitha problemeve, por është në rrugën e mirë. Gjatë kësaj periudhe, për fat të mirë, në Kosovë situata ishte e qetë, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian ka filluar të ushtrojë rolin që i takon. Pra megjithë vështirësitë, unë jam optimist.


DW: Cilat janë sfidat më të mëdha që ka Kosova përpara?


Ischinger: Sfidat më të mëdha janë në dy lëmi: Së pari, rimëkëmbja ekonomike, që varet edhe nga stabiliteti dhe paqja në Kosovë. Dhe së dyti, raportet me Serbinë. Mirëpo, për raporte të mira mes dy shteteve apo njerëzve, përgjegjësinë e mbajnë të dyja palët. Do të ishte mirë, sikur qeveria e Kosovës të vazhdojë që Serbisë t'i dërgojë sinjale të fqinjësisë së mirë. Nuk mund të pritet përmirësimi i gjendjes brenda javësh apo muajve, por do të vije koha kur Prishtina dhe Beogradi do të kërkojnë rrugë bashkëpunimi, në interesin e të gjithë qytetarëve.


DW: Beogradi kërkon vazhdimin e negociatave për statusin, ndërkohë që Prishtina është kundër. Për çfarë çëshjesh duhet dhe mund të bisedojnë Kosova dhe Serbia?


Ischinger: Duhet të bisedojnë për gjërat me interes për qytetarët, nga të dy anët e kufirit. Nuk duhet të bisedojnë për çështjen e statusit, sepse palët në këtë çëshjte, nuk mund të dakordohen. Në interesin e qytetarëve është që të mundësohet bashkëpunimi në sektorin e doganave, policisë, furnizimit me energji, shkëmbimit ekonomik dhe në arsim. Rruga drejt Evropës nuk do të thotë vetëm vendosje e raporteve të mira me Brukselin, sepse duhet të vendosen edhe raporte të mira fqinjësie. Me fjalë të tjera, pa marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, rruga drejt Brukselit do të jetë shumë e vështirë. Miqve tanë në Beograd gjithmonë duhet t'u themi se rruga e Serbisë drejt BE-së, nuk është e mundur pa marrëveshje me Prishtinën.


DW: Pra, Ju mendoni se Beogradi dhe Prishtina fillimisht duhet t'i normalizojnë marrëdhëniet e më pas të kërkojnë anëtarësim në BE?


Ischinger: Këto dy synime mund të realizohen edhe paralelisht. Por në fund të kësaj rruge, pragu i futjes në BE mund të kalohet vetëm në qoftë se janë zgjidhur të gjitha çështjet e kontestuara territoriale. BE-ja kurrë më nuk do të pranojnë ndonjë shtet me çështje të pazgjidhura territoriale. Këtë leksion e ka mësuar në 50 vitet e kaluara.


DW: Dy herë folët për rëndësinë e gjendjes së sigurisë në Kosovë: Mendoni se ajo është e mirë?


Ischinger: Gëzohem për faktin që gjatë vitit të kaluar në Kosovë nuk ka pasur incidente serioze. Shpresojmë se edhe serbët do ta ndiejnë veten si qytetarë të Kosovës, ku mund të jetojnë pa eskortimin nga policia dhe të fitojnë mjaft për të jetuar. Detyrë e rëndësishme e qeverisë në Prishtinë është që të angazhohet për bashkëjetesën e popujve dhe të qytetarëve. Mendoj se edhe kjo është në drejtim të mirë.


DW: A ka bërë qeveria e Kosovës sa duhet në këtë drejtim?


Ischinger: Shikoni, në këtë drejtim gjithmonë mund të bëhet më shumë. Mirëpo nuk kam asnjë shkak për kritika ndaj qeverisë së Kosovës. Ajo duhet të bëjë sa më shumë që është e mundur, në mënyrë që askush, pra as Beogradi, të mos mund ta kritikojë, me fjalët se serbët janë të shtypur ose të rrezikuar.


DW: Z. Ambasador, pas Konferencës së Sigurisë në Mynih, të cilën e organizuat Ju vetë, u tha se janë përmirësuar raportet mes Uashingtonit dhe Moskës. A mund të ndikojë kjo edhe në çështjen e Kosovës?


Ishinger: Natyrisht, natyrisht që po. Mendoj se në Kosovë ka pasur vështirësi edhe për shkak të mosmarrëvshjeve mes Uashingtonit dhe Moskës. Fillimi i ri në këto raporte, hap shanse të reja për marrӕdhëniet bilaterale dhe multilaterale. Askush nuk duhet të dyshojë se po vjen një kohë e re në raprotet mes SHBA-së dhe Rusisë. Besoj se kjo do të reflektohet edhe në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin.


DW: Mendoni se fjala është vetëm për ndryshime retorike, apo ndryshimet janë faktike?


Ischinger: Javën e kaluar, këtu në Mynih, isha prezent kur SHBA-ja i ofroi Rusisë, oferta të reja në çështjen e armatimit, Iranit, Afganistanit... Reagimi i Moskës ishte shumë pozitiv. Prandaj, besoj se në javët e ardhshme do të kemi ndryshime serioze në raportet mes Uashingtonit dhe Moskës.


DW: Mendoni se Rusia mund ta ndryshojë qëndrimin edhe ndaj Kosovës?


Ischinger: Askush nuk mund ta përjashtojë një gjë të tillë. Nuk pres ndryshimin e shpejtë të qëndrimit të Rusisë ndaj Kosovës, por mendoj se gjërat do të qetësohen dhe se në vitet e ardhshme pozicionet e Moskës dhe Uashingtonit do të afrohen edhe në çështjen e Kosovës. Kjo do të ishte mirë, sepse do t'i kontribuonte stabilizimit të gjendjes dhe foricimit të rolit të Kosovës së pavarur në rajon.

  • Data 17.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gw6f
  • Data 17.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gw6f