1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Winnenden një vit pas amokut

Qyteza Winnenden përkujton përvjetorin e parë të incidentit më të rëndë me armë zjarri që ka ndodhur deri më sot në një shkollë gjermane. Pikëllimi shoqërohet me pyetjen: A mund të parandalohen sulme të tilla?

Qyteza Winnenden përkujton përvjetorin e parë të incidentit më të rëndë me armë zjarri

Ngjarja e një viti më parë ende e pranishme

Në orën 9:33 të ditës së sotme këmbanat e kishave të Winnendenit ranë njëkohësisht duke shënuar një vit që prej ngjarjes së papërfytyrueshme në këtë qytet tërheqës në rrethinat e Shtutgartit.

Më 11 mars 2009 17-vjeçari Tim Kretschmer hyri me tërbim në shkollën e mesme Albertville me armën gjysmë-automatike të prindërve dhe vrau nëntë nxënës dhe tre mësues. Më pas djaloshi u largua prej andej, rrëmbeu një automjet dhe vrau edhe tre vetë përpara se të kryente vetëvrasje.

“Ngjarja e vitit që shkoi është ende e pranishme,” - thotë për Deutsche Wellen drejtoresha Astrid Hahn. Hahn kishte shprehur dëshirën për një përvjetor ku jo vetëm të mbahej zi dhe të përkujtohej, por edhe për një përvjetor të shpresës, një moment me rëndësi, gjatë të cilit shkolla mund të “kujtojë të kaluarën, por edhe të hedhë vështrimin drejt së ardhmes.”

Jahresrückblick 2009 Flash-Galerie Amoklauf Winnenden

Wegmann: Çdo vit do të jetë njëlloj, dhe edhe pas 50 vjetësh kjo do të jetë një ngjarje me rëndësi.

Procesi i mbylljes së plagës në këtë shkollë, ku stresi post-traumatik është kthyer në realitet të përditshëm, nuk ka qenë i lehtë. Sipas psikologut Thomas Weber, bashkërendues i trajtimit psikologjik në Winnenden, midis 60 dhe 70 për qind e nxënësve të shkollës Albertville janë ende në trajtim psiko-terapik të rregullt dhe tre mësues janë shpallur të paaftë për punë. Për të shmangur traumat e mëtejshme shkolla është zhvendosur përkohësisht në një ndërtesë tjetër.

Reagime të përziera

Megjithëse sulmi i vitit të kaluar e tronditi qytezën me 28.000 banorë, shumë banorë të Winnendenit i kanë kritikuar përmasat e ceremonisë përkujtimore, që përfshin edhe një fjalim të presidentit gjerman Horst Këhler.

"Këtu ka ndodhur kaq shumë dhe tani kujtimet po rikthehen, gjë që mendoj se nuk është e mirë,” thotë një nga banoret, Brigitte Wegmann. “Prej nesh pritet që të mendojmë për ngjarjen, por ne e bëjmë këtë tashmë vetiu. Çdo vit do të jetë njëlloj, dhe edhe pas 50 vjetësh do të jetë një ngjarje me rëndësi. Në një moment të caktuar kalohet kufiri,” - thotë ajo.

Trauerfeier in Winnenden Deutschlandfahne mit Trauerflor

Schade: Ua kemi borxh këtë përkujtim familjeve të viktimave.

Por banorë të tjerë shqetësohen se qyteza mund të mos ketë bërë mjaft për të përkujtuar sulmin. “Në fakt jam ca i frikësuar për atë se sa shpejt e kanë harruar njerëzit incidentin me armë zjarri,” thotë Karin Schade, e cila jeton afër shkollës. “Ne ua kemi borxh këtë përkujtim familjeve të viktimave,” shton ajo.

Parandalimi i sulmeve në të ardhmen

Një komision i ngritur prej Ministrisë së Arsimit të landit Baden-Württemberg pas sulmit përgatiti një raport me 85 faqe, ku rekomandon punësimin e më shumë mësuesve, të më shumë punonjësve socialë, dhe një kuptim më të mirë të karakteristikave psikologjike të incidenteve me armë zjarri. Shkollat në mbarë Gjermaninë po stërvisin mësues për të dalluar shenjat paralajmëruese nga nxënës me sjellje potenciale të dhunshme.

Autor: David Levitz /Eliana Xhani
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 11.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MPVW
  • Data 11.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MPVW