1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Windsorët përgjithmonë - Përse monarkia britanike do të jetojë gjatë

Martesa e princit britanik William Mountbatten-Windsor me Kate Middleton të premten (29.4.) shtron pyetje kritike – ndër të tjera a ka nevojë Britania e Madhe për një monarki?

Në foto princi William dhe Kate Middleton

Në foto princi William dhe Kate Middleton

Mbretëresha britanike Elizabeta e II-të

Mbretëresha britanike Elizabeta e II-të

Ata që mendohen të vdekur, jetojnë më gjatë. Kjo me sa duket është motoja e familjes Windsor. Ashtu si Elisabeta II, që duket sikur është mbretëreshë e përjetshme, ashtu edhe monarkia konstitucionale duket se është forma e përjetshme e qeverisjes në Britaninë e Madhe. Edhe ish-kryeministri dhe ish-kreu i partisë Laburiste, Tony Blair, lavdëron rolin e familjes mbretërore në shoqërinë britanike. "Herë pas here shtrohet pyetja, nëse në botën moderne ka akoma vend për monarki. Eshtë interesant, unë do të thoja se shtëpia mbretërore sot është më e qëndrueshme, nga ç'ka qenë dikur.“

Blair aludon për ditët dramatike pas vdekjes së princeshës Diana në vitin 1997, kur mbretëresha u tërhoq në pronën e saj në Skoci, duke bërë sikur nuk kishte të bënte aspak me zinë e përgjithshme për gruan e divorcuar të djalit të saj. Këtë krizë Windsorët mundën ta kapërcenin, meqenëse britanikët kanë nevojë për monarkët e tyre, tha Tony Blair: "Në atë kuptim, që njerëzit thonë: gjithë këto ndryshime dhe pasiguri, gjithë ky presion, por ka ende diçka, që është pjesë e historisë sonë dhe nuk ndryshon kurrë.“

Lojalë ndaj mbretëreshës

Pamje nga martesa e princit Charles me Dianën

Pamje nga martesa e princit Charles me Dianën

Anti-monarkistët në Britaninë e Madhe mbrojnë republikën, por ato janë plot lëvdata për drejtimin e mbretëreshës. Aktivisti për të drejtat e njeriut, Peter Tatchell, dëshiron fundin e monarkisë, por ai nuk është i sigurtë, nëse do ta përjetojë atë. "Sapo mbretëresha të mos jetë më gjallë, më shumë njerëz do të jenë për republikanët. Momentalisht ekziston një besnikëri e fortë personale ndaj mbretëreshës, që nuk do ta gëzojë djali i saj dhe pasardhësi, princi Charles."

Edhe kryeredaktorja e revistës glamoroze The Lady, Rachel Johnson, e admiron drejtimin e Elisabetës. Ajo nuk beson se monarkia është tejkaluar dhe është e sigurtë, se brezi i ardhshëm do ta sigurojë ekzistencën e mbretërisë përmes martesës së William dhe Kate: "Martesa i ofron familjes mbretërore mundësisë, që të detoksifikohet pas një serie të zjarrtë ndarjesh dhe skandalesh. Mbretëresha ndryshe nga katër fëmijet e saj mund të bëjë një bilanc të pastër të jetës së saj. Këtë duhet ta pranojmë.."

Ndërmjet traditës dhe modernizimit

Martesë mbretërore në Londër

Martesë mbretërore në Londër

Peter Kellner, drejtor i institutit për hulumtimin e opinionit, YouGov, thekson rrugën e vështirë të familjes mbretërore ndërmjet ruajtjes së traditës dhe modernizimit. "Monarkia britanike nuk ka qenë gjithmonë e mirëpritur nga populli dhe ka ditur gjithmonë që ta nxjerrë kokën nga laku. Që në kohët e mbretëreshës Victoria në shekullin e 19-të familja mbretërore ka qenë gjithnjë mjaft e zgjuar, që të jetë një hap përpara, për të bërë modernizimet e mjaftueshme, për ta kuptuar frymën në popull që të mos humbasë pushtetin. Ky proces përshtatjeje do të vazhdojë. Edhe vendimi i Williams për t'u martuar me Kate, është pjesë e këtij procesi."

Princi dhe qytetarja e thjeshtë: Kjo përrallë moderne i ka dhënë monarkisë magji të re. Të gjithë britanikët janë të mendimit se çifti i ri është nën presion të madh. Mbarëvajtja e monarkisë varet edhe nga suksesi i kësaj martese. Në thelb Tony Blair ka të drejtë, kur e quan familjen mbretërore si shkëmb graniti. Sepse kohë më të qeta për britanikët nuk duken aktualisht në horizont.

Autor: Sebastian Hesse/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti