1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Willy Brandt: Gjerman, evropian, qytetar i botës

Ai luftoi kundër Hitlerit dhe fashistëve në Evropë duke pajtuar Lindjen dhe Perëndimin, vendet industriale dhe ato në zhvillim. Willy Brandt kishte një vizion: një botë më të drejtë.

Më 7 dhjetor 1970 Willy Brandt vizitoi Poloninë. Ai donte të nënshkruante një marrëveshje për dorëheqjen e ndërsjelltë nga dhuna dhe njohjen e kufijve të pasluftës. Nuk ishte rrugë e lehtë ajo që ai po bënte, 25 vjet pas luftës. Si i pari kancelar gjerman Willy Brandt shkoi në këtë vend, i cili ishte sulmuar brutalisht dhe pushtuar nga Gjermania. Varshava, qyteti ku nazistët tubuan qindra mijëra hebrenj në geto, të cilët i dëbuan dhe i vranë në kampet e përqendrimit, dhe qyteti i cili u shkatërrua plotësisht. Ai e di se duhet një gjest i veçantë për t'u kërkuar polakëve pajtim. Dhe ai e gjen momentin e duhur. Kur vë një kurorë në përmendoren e "Herojve të getos" Brandt jo vetëm përkul kokën për viktimat, por bie në gjunjë dhe qëndron në atë pozicion më shumë se një minutë duke mbajtur zi. Në mesin e të pranishmëve heshtje varri. Vetëm shkreptjet e aparateve fotografikë dëgjohen.

Pamjet e "rënies në gju në Varshavë" u përhapën nëpër botë dhe janë ndër momentet më të famshme në historinë gjermane. "Ai që kishte luftuar gjithë jetën e tij kundër Hitlerit, mori barrën e së kaluarës mbi supet e tij - jo fajin" kujton Alfred Grosser. Edhe për të që i përndjekur nga nazistët kishte ikur në vitin 1933 me prindërit e tij hebrenj nga Frankfurti mbi Main në Francë, ky është "një moment i madh", i cili ka ende rëndësi.

Në Gjermani - dhe edhe në Poloni - kancelari gjerman u kritikua nga disa, e madje u përbuz, për këtë gjest përulësie. Por një gjë u bë për botën e qartë: Willy Brandt mishëron një Gjermani tjetër, një Gjermani paqësore. Një vit më vonë, Brandt u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në Oslo.

Fëmijë i shekullit XX

Willy Brand lindi më 18. dhjetor 1913 në Lybek si Herbert Ernst Karl Frahm. I gjyshi e vuri atë në kontakt që herët me SPD, më vonë, ai kaloi tek partia më radikale Partia Socialiste e Punëtorëve (PSA), e cila u ndalua menjëherë pasi Hitleri erdhi në pushtet në vitin 1933. Nën pseudonimin Willy Brandt ai mund të arratisej në pranverën e vitit 1933 për në Norvegji. Aty ai nuk lufton vetëm kundër regjimit të Hitlerit, por kundër të gjithë sunduesve fashiste të Evropës, duke vepruar edhe në Luftën Civile në Spanjë.

Në vitin 1947 Brandt u kthye në Gjermani ku i duhej të dëgjonte fjalë të tilla si: "Një gjë lejohet t'ju pyes zt. Brandt, çfarë bëtë dymbëdhjetë vjet jashtë vendit." Me këto fjalë Franz-Josef Strauss u mundua ta paraqiste atë si tradhtar të vendit." Politologu francez Alfred Grosser mendon se është e pabesueshme se sa shumë u sulmua Brandti në Gjermani në atë kohë.

Willy Brandt dhe Mihail Gorbashov, Moskë, 1985

Willy Brandt dhe Mihail Gorbashov, Moskë, 1985

Megjithë sulmet Brandt arriti që në vitin 1957 të bëhej kryetar i bashkisë së Berlinit. Në vitin 1966 ministër i Jashtëm dhe në vitin 1969 kancelar. Ai ndoqi politikën e "hapave të vegjël" për afrimin mes Perëndimit dhe Lindjes dhe mes Veriut dhe Jugut. Edhe rënia e murit 1989 është gjithashtu edhe meritë e tij.

Vizioni i një bote

"Willy Brandt qëndronte mbi identitetin kombëtar, racën apo fenë. Ai qe një kozmopolit i vërtetë", thotë sir Shridat Ramphal. "Ai besonte se atdheu i tij qe e gjithë bota dhe se detyra e tij si qytetar i botës ishte për të bërë këtë botë një vend më të mirë" - thotë Ramphal. "Ai pranohej dhe admirohej nga vendet në zhvillim të Afrikës dhe Azisë. Brandtit i besonin," thotë Ramphal. Edhe Ramphal ishte një qytetar i botës - ai ka lindur në Guajanë, qe për shumë vjet Sekretari i Komonuelthit të Kombeve dhe anëtar i disa organizatave ndërkombëtare.

Sir Shridath Ramphal, Jimmy Carter dhe Willy Brandt

Sir Shridath Ramphal, Jimmy Carter dhe Willy Brandt

Që nga fundi i viteve 70-të ai ka punuar ngushtë me Brandtin. Brandti qe drejtues i Komisionit Veri-Jug ku merrnin pjesë poltikanë dhe shkencëtarë nga 18 vende të botës nga Britania e Madhe te Kuvajti, nga Kolumbia e Indonezia deri në Japoni dhe Suedi, që punonin për të gjetur një rrugë të përbashkët për rend më të drejtë botëror. Të gjitha kërkesat e Komisionit Brandt janë ende me rëndësi të madhe: çarmatimi, çështjet e mjedisit, rritja e popullsisë, transferimi i teknologjisë, të drejtat e grave, proteksionizmi bujqësor. "Meritat e Brandtit qenë të mëdha edhe për Evropën dhe për këtë ai u nderua me Çmimin Nobel. Me këtë çmim nuk mund të nderohesh dy herë, por në rast se kjo do të qe e mundur Brandt e meritonte atë edhe për punën me komisionin Veri-Jug." - vlerëson Ramphal.