1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Williamson: Ende nuk ka dëshmi për trafikim organesh

Prokurori special i Eulexit, Clint Williamson paraqiti në Bruksel raportin për krime në Kosovë. Ai tha se ende nuk ekzistojnë dëshmi për trafikim organesh, por hetimet do të vazhdojnë. Ka prova për krime të tjera.

Prokurori special i Eulexit, Clint Williamson bëri të ditur para gazetarëve në Bruksel se Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) "ka gjetur prova të bindshme" për të paraqitur një aktakuzë kundër disa ish-zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për krime lufte. Këto të dhëna përputhen në masë të madhe me raportin e Këshillit të Evropës, nga viti 2011. Por aktakuza do të paraqitet pasi që të sigurohet mundësia dhe mekanizmat për mbajtjen e gjyqit krejtësisht të pavarur, të paanshëm, transparent dhe të sigurt.

Clint Williamson theksoi se "TFHS ka gjetur prova të bindshme kundër ish-zyrtarëve të lartë të caktuar të UÇK, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës". Ai nënvizoi se viktimet e këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera, por edhe shqiptarë të cilët u etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve apo ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së.

Individë të caktuar kanë keqpërdorur UÇN-në

TFHS-ja ka konstatuar që individë të caktuar në udhëheqësinë e lartë të ish-UÇK-së përdorën elementë të asaj organizate të kryejnë dhunë për të fituar fuqi politike dhe pasuri personale për vetën. Kryeprokurori Williamson pohon se këta individë duhet të bartin përgjegjësinë për krimet e tyre.

Duke folur për pjesën e akzave të pretenduara për trafikim organesh, nga raporti i Dick Marty, Willliamson tha se nuk ka dëshmi për qindra raste të nxjerrjes dhe trafikimit të organeve në Kosovë apo Shqipëri. Hetimet për këto akuza do të vazhdojnë, por TFHS "nuk ka dëshmi për qindra viktima të nxjerrjes dhe trafikimit të organeve". Por TFHS ka gjetur dëshmi se janë bërë krime dhe se "elementë të caktuar të UÇK e kanë vënë në shënjestër popullatën pakicë, me qëllim të persekutimit, që përfshinë edhe vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje, burime dhe mbajtje të paligjshme në kampe në Kosovë dhe Shqipëri, dhunë seksuale dhe forma të tjera të trajtimit jonjerëzor". E gjitha kjo ka rezultuar me "spastrimin etnik të sasive të mëdha të popullatës serbe dhe rome në anën jugore të lumit Ibër, me përjashtim të enklavave".

Williamson bëri të ditur se mbi bazën e këtyre të dhënave pritet të ngritet aktakuzë kundër përsonave që kanë bërë këto krime. TFHS beson se provat janë bindëse dhe se krimet nuk janë kryer në mënyrë të organizuar dhe janë mbështetur nga individë të caktuar në krye të ish UÇK-së.

Dick Marty

Dick Marty

Sfidat gjatë hetimeve

Clint Williamson bëri të ditur se hetuesit në rastin e akuzave për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve janë ndeshur me sfida të shumta, me rastin e gjetjes së provave. Dëshmitarët janë të frikësuar apo dhe kanë vdekur, ndaj edhe mbledhja e provave është shumë e vështirë. Por TFHS nuk ka hedhur poshtë "në asnjë mënyrë pretendimet për vërtetësinë e pohimeve në raportin e Marty". Hetimet do të vazhdojnë. Megjithatë aktualisht nuk ka dëshmi të mjafuteshme për ngritjen e ndonjë aktakuze.

Aktakuzat mbi bazën e dëshmive të mbledhura deri tani priten pas krijimit të një gjykate speciale. Williamson shpreson se kjo do të ndodhë në fillim të vitit që vjen. Deri tani nuk është folur asgjë për emrat e personave të lartë të UÇK të cilët do të mund të akuzoheshin për krime.