1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

William Hague viziton Prishtinën

Vizita në Kosovë e shefit të diplomacisë britanike, William Hague, ndodh vetëm disa ditë para vizitës në rajon të sekretares amerikane e shtetit Hillari Clinton dhe shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

William Hague, ministri britanik i Jashtëm

William Hague, ministri britanik i Jashtëm

Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, tha në Prishtinë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë. Ai tha se dialogu duhet zhvilluar, por ai nuk duhet të jetë pafund. Këto komente, shefi i diplomacisë britanike, i bëri gjatë një vizite që po realizon në Kosovë, ku takoi krerët më të lartë të shtetit të Kosovës.

William Hague, shprehu mbështetjen e tij për nismën e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke theksuar se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. “Është me rëndësi që të bëhet një lloj përparimi i vazhdueshëm në të gjitha fazat dhe që të vazhdojë puna. Në fazën e parë Baronesha Ashton do të identifikojë fushat që do të zgjojnë interesin e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë”, tha William Hague pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vizita në Kosovë, e shefit të diplomacisë evropiane, William Hague, ndondh vetëm disa ditë para se Kosovën dhe Serbinë ta vizitojnë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Clinton dhe shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Clinton dhe Ashton në Prishtinë e Beograd, do të flasin për çështje të bashkëpunimit bilateral dhe do ta përsërisin qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së që Serbia dhe Kosova duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të avancojnë në dialogun e tyre, si dhe do t'i inkurajojnë palët në marrjen e hapave konkret që do tu mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian, thuhet mes të tjerash në një komunikatë nga Departamenti amerikan të Shtetit.

Takimi i parë i nivelit të lartë ndërmjet kryeminitrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, ndodhi të premtën e shkuar në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton. Lidhur me këtë takim, kryeministri Hashim Thaçi, tha se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, do të jetë në interes të rajonit. “Ka kaluar koha e konflikteve në rajon ndërsa është hapur koha e integrimeve euro-atlantike. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë do të jetë në interesin e të gjithë popujve në rajon. Nuk duhet të presim që Serbia ta njeh shtetin e Kosovës në ditët javët apo muajt e ardhshëm. Por, presim sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën”, tha kryeministri Thaçi, pas takimit që zhvilloi me shefin e diplomacisë britanike, William Hague.

Serbia vazhdon të kundërshtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i është vënë kusht nga Bashkimi Evropian, për nisjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Evropian.

  • Data 25.10.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Fjalët kyç Hague, Prishtine
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/16W9L
  • Data 25.10.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Fjalët kyç Hague, Prishtine
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/16W9L