1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wikileaks: SHBA kanë spiunuar edhe qeverinë braziliane

av/(afp, dpa) 5 Korrik 2015

Presidentja Rousseff deklaroi në vizitë e fundit në Shtëpinë e Bardhë se përgjimi kundër saj është tanimë çështje e mbyllur. Tani bëhet e njohur se edhe zyrtarë të lartë të qeverisë janë përgjuar në mënyrë sistematike.

https://p.dw.com/p/1FsxS
Fotografi: Getty Images/C. Somodevilla

Shërbimi i fshehtë amerikan NSA sipas informacioneve të Wikileaks nuk ka spiunuar vetëm presidenten e Brazilit Dilma Rousseff, por edhe një pjesë të madhe të qeverisë. Siç bëhet e ditur nga dokumentet e sapopublikuara, gjatë mandatit të parë të Rousseff nga viti 2010 deri 2014 objekt i spiunazhit kanë qenë ndër të tjerë edhe ministri i Jashtëm dhe i Ekonomisë, shefi i Bankës Qendrore, asistenti i Rousseffit, si dhe shefi i shtabit të saj. Ato iu prezantuan nga Wikileaks mediave braziliane dhe portalit të internetit "The Intercept".

Në listën e NSA-së ishin 29 numrat e telefonit të qeverisë braziliane. Bëhej fjalë kryesisht për çështjet ekonomike. "Edhe në udhëtimet e saj zyrtare presidentja Rouseff nuk ka qenë e mbrojtur nga përgjimet," tregon platforma Wikileaks. Sipas të dhënave të saj është përgjuar edhe telefoni satelitor në avionin presidencial.

Sipas "Intercept" përgjimi ka nisur më së voni në vitin 2011. Nuk ka asnjë provë që ai të ketë përfunduar tashmë, informon me tej portali, duke theksuar se shërbimi sekret amerikan nuk ka reaguar ndaj pyetjeve të portalit.

Marrëdhënie të ngrira prej një kohe të gjatë

Njoftimet e para në lidhje me aksionet e përgjimit të NSA kundër Rousseff i rënduan marrëdhëniet midis SHBA dhe Brazili që para dy vjetësh. Presidentja braziliane pati anuluar atëherë një vizitë shtetërore, të cilën e ka zhvilluar kohët e fundit. Me presidentin Barack Obama ajo ka patur si një lloj takimi pajtimi. Rousseff deklaroi se i beson Obamës dhe se gjërat kanë ndryshuar.

Pa tensione të reja

Akuzat e reja të spiunazhit u bërë të njohura pas kthimit të Rousseff. Zëdhënësi i qeverisë braziliane Edinho Silva komentoi zbulimet e reja me fjalët, se bëhet fjalë për ngjarje "të kapërcyera".

Wikileaks edhe më parë kishte treguar dokumente, sipas të cilave NSA për vite me rradhë ka spiunuar përfaqësues të qeverisë në Francë dhe Gjermani, duke përfshirë edhe presidentin francez dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.