1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Wikileaks rrezik për bashkëpunimin midis vendeve

WikiLeaks përbën rrezik për bashkëpunimin midis vendeve, mendon zëdhënësi i shtypit i ambasadës së SHBA-së në Berlin, Mitchell Moss.

Logoja e Wikileaks

Logoja e Wikileaks

DLF: Nëse përzgjedh lajmet nga agjencitë e lajmeve, në të cilat citohet platforma e internetit Wikileaks nuk mëson detyrimisht të vërtetën, por mëson të vërtetën ashtu siç e paraqesin atë ambasadat e SHBA-së. P.sh. sipas zbulimeve të fundit nga kjo platformë, Franca është vendi, që i spiunon më fuqishëm ndërmarjet industriale të partnerëve të vet evropianë. Në Gjermani spiunazhi industrial i francezëve shkakton shumë më tepër dëme se sa spiunazhi kinez apo ai rus. Kështu shkruante gazeta norvegjeze "Aftenposten" javën e kaluar duke iu referuar një telegrami diplomatik të ambsadës së SHBA-së në Berlin. I konfrontuar me këtë publikim në intervistë për radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk (DLF) zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së në Berlin Mitchel Moss vë në dukje: "Për diplomacinë amerikane aktualisht Wikileaks nuk është ndonjë emër i bukur, e njëjta gjë vlen edhe për diplomatë të tjerë në mbarë botën. Kjo për faktin, se Wikileaks mbron idenë e mbizotërimit të anarkisë së informacionit, që asnjë qeveri të mos ketë sferë private, ku të mund të punojë."

Atë që Moss e quan anarki, Wikileaks e konsideron liri, një vlerë e vjetër kjo amerikane. "Vendi im e vlerëson shumë lart lirinë e mendimit, dhe në qoftëse qeveria do t'ua kufizojë qytetarëve lirinë e mendimit, kjo nuk është e thjeshtë. Por Wikileaks, çfarë unë shoh në të, nuk është liri, ky është më shumë një rrezik për bashkëpunimin midis vendeve. Ne në fakt kemi nevojë për këtë bashkëpunim, për ta bërë botën më të sigurtë, thekson Moss.

Çfarë nënkupton rreziku?

Moss: "Në fakt ajo që ka dalë prej këtyre telegrameve ka dëmtuar dhe mund të dëmtojë besimin midis kontakteve, midis partnerëve, midis vendeve." Parimi gazetaresk është, që një informacion që e merr ta publikosh, por sipas zëdhënësit Moss: "Gazetarët kanë edhe një etos, ata kanë edhe një përgjegjësi të madhe dhe duhet të peshojnë, nëse informacioni që kanë është aq i rëndësishëm dhe nëse potenciali i dëmit të këtij informacioni është kaq i madh, sa nuk ia vlen që ta botosh atë."

I pyetur lidhur me atë, që thotë Wikileaks, se nuk i ka publikuar të gjitha, Moss vëren: "Unë nuk besoj, se Wikileaks do të vazhdojë ta mbajë timonin. Eshtë tani edhe gazeta norvegjeze "Aftenposten", që shkruan se i ka të gjitha 250.000 raportet dhe se "Aftenposten" do t'i vendosë në internet raportet. Pra Wikileaks nuk i ka publikuar të gjitha njëherësh, por ajo që bën Wikileaks është vërtetë e dëmshme për bashkëpunimin midis shteteve."

Nuk do të jetë më e mundur, që dikush diku të shkarkojë të tilla informacione

I pyetur së fundi se si do të mbrohet politika e SHBA-së në të ardhmen ndaj të tilla publikimeve, kur dihet që Wikileaks nuk i ka vjedhur këto dokumenta, por vetëm i ka publikuar ato, zëdhënësi i ambasadës amerikane në Berlin Moss, përgjigjet: "Nuk është e qartë, nëse Wikileaks është implikuar në një mënyrë të tillë, përmes së cilës i ka marrë këto dokumenta. Këtë do ta verifikojë Ministria jonë e Drejtësisë. Ajo që kemi bërë ne në Uashington është se: Nuk do të jetë më e mundur, që dikush në ndonjë vend të botës të mund të shkarkojë të tilla informacione. Kjo ishte rrjedhojë nga reagimet pas 11 shtatorit. Ne duam ta nivelojmë hierarkinë tonë të informacionit dhe duam të mundësojmë, që kolegët tanë në të tjera dikastere të mund të shohin çfarë shkruajmë ne dhe ne të mund të shohim çfarë shkruajnë ata. Kjo është ajo që ne nxorrëm si mësim pas 11 shtatorit, në rast se ne do t' i kishim ndarë në kohën e duhur informacionet, ndoshta to të kishim mundur t' i evitonim këto atentate."

Intervistoi Ch. Heinemann / Përshtati V. Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 10.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zvYN
  • Data 10.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zvYN