1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

WikiLeaks - një veprim i papërgjegjshëm

30 Nëntor 2010

Wikileaks ka goditur përsëri. Platforma e internetit ka publikuar qindra mijëra nga dokumentet konfidenciale dhe sekrete të diplomatëve amerikanë. Një aksion, që nuk ka të bëjë fare me transparencën

https://p.dw.com/p/QLwr

Rrjedhja e padëshiruar që del nga një e çarë e krijuar në produkt, apo në sistem, nga kjo vjen emri WikiLeaks. Gjoja për t'i shërbyer transparencës dhe demokracisë platforma e internetit nxjerr në shesh në mënyrë të përsëritur dokumente sekrete. Në disa raste janë bërë të njohura shkelje të rënda, si një sulm i një helikopteri amerikan ndaj civilëve, apo tolerimi sistematik i torturave nga autoritetet e SHBA. Megjithatë publikimi i fundit nuk është më vetëm rrjedhje, por çarje dige. Pasojat janë shkatërrimtare dhe për këtë duhet të përgjigjget vetëm WikiLeaks. Sepse më shumë se 250 mijë raportet e ambasadave amerikane në gjithë botën, drejtuar qeverisë së tyre në Uashington, nuk kanë përse të publikohen. T'i bësh ata publike nën pretekstin e fetishizimit të transparencës, është budallallëk dhe papërgjegjësi.

Marc Koch, kryeredaktori i Deutsche Welle-s
Marc Koch, kryeredaktori i Deutsche Welle-sFotografi: DW

Asnjë diplomat në botë nuk mund të jetë më i sigurtë

Dokumentet jo vetëm se shkaktojnë komplikiacone diplomatike të pashpresa dhe i bëjnë qesharakë politikanët aktivë në mbarë botën. Por kjo do të jetë harruar shpejt, sepse më të rënda janë pasojat për punën e ambasadave dhe të diplomatëve të tjerë. Gjithmonë ka qenë pjesë e punës së tyre të japin vlerësime për politikanët dhe zhvillimet politike, apo të përfaqësojnë interesat e shteteve të tyre. Për këtë u duhet një mjedis, ku të jenë të mbrojtur, ku të sundojë besimi dhe fshehtësia. Ky mjedis është shkatërruar në afat të gjatë pas goditjes së fundit të WikiLeaks. Asnjë diplomat në botë nuk mund të jetë më i sigurtë, se bisedat e tij konfidenciale, shënimet, apo raportet nuk do të dalin dikur në publik.

Natyrisht që është e drejtë, që gazetarë investigues, që bëjnë punë të përgjegjshme dhe të pastër, të zbulojnë keqadministrimin, skandalet politike, apo shkeljet e ligjit. Ata marrin pak a shumë material konfidencial, të cilin ata e strukturojnë dhe e klasifikojnë. Por aksioni i fundit i Wikileaks nuk ka të bëjë aspak me këtë. Ajo zëvendëson cilësinë e arritur me përgjegjësi me sasinë e pakuptimtë, duke i vënë në dispozicion secilit qindramijëra dokumente në gjendje të papërpunuar. Pasojat janë të paparishikueshme. Citate nga këto dokumente merren jashtë kontekstit, paraqiten të shtrembëruara, apo shfaqen në kombinime të reja për të mbushur sërish faqet e shtypit. Nga kjo do të përfitojë vetëm vetë Wikileaks-i.

Publikimi i dokumenteve nuk e bën botën as më paqësore, as më transparente

Dhe Wikileaksi nuk ofron aspak informata të reja. Ajo shërben vetëm të kënaqë vanitetin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, fakt, të cilin edhe zëdhënësi gjerman i organizatës e ka kuptuar para disa javësh dhe ka vepruar, duke u larguar nga Wikileaks.

Pas këtij skandali qëndron edhe një tjetër. Nëqoftëse aksioni i WikiLeaks ka shërbyer për diçka, kjo tregon se SHBA nuk është siç duket në gjendje të garantojnë fshehtësinë në epokën digjitale, edhe kjo duhet të ketë pasoja. Megjithatë për tani vlen të thuhet. E çara mund të çojë në ndërprerjen e funksionimit të të gjithë sistemit. Kështu që duhet mbyllur sa më parë të jetë e mundur.

Autor: Marc Koch

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi