1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA WikiLeaks

29 Nëntor 2010

Çfarë mendon superfuqia SHBA për aleatët e saj në botë? SHBA-ja duhet të japë shpjegime. Platforma e internetit Wikileaks boton pjesërisht dokumenta tepër sekrete të Ministrisë së Jashtme.

https://p.dw.com/p/QL3E

Rasti është i pashembullt: ambasadorët amerikanë nga e mbarë bota japin përmes dokumentave sekrete mendimet e tyre për aleatët. Pa i zbukuruar gjërat, duke besuar në karakterin sekret të komunikimit të tyre pjesërisht flitet edhe për çështje të ndjeshme politike. Dhe tani ato mund të lexohen në mbarë botën. Lexuesi mund të krijojë tani një imazh se mbi ç' bazë qëndron politika e jashtme e superfuqisë - SHBA. E kjo fal një protokoli të internetit, në të cilin kanë akses rreth dy milionë njerëz ndërkohë që porositë e koduara mund të lexohen nga 800 mijë syresh. Dokumenta me përmbajtje tejet delikate papritur bëhen dokumente të thjeshta, shkresat e besueshme të emisarëve politikë shfaqen si në një akuarium, prej të cilit politika e jashtme amerikane si një fuqi botërore i bën të tjerët qesharakë. Ky është një dështim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

DW ZPR Zentrale Programmredaktion Daniel Scheschkewitz
Daniel ScheschkewitzFotografi: DW

Asnjëherë më parë nuk është tronditur në këtë shkallë besimi i partnerëve të Amerikës ndaj superfuqisë

Ministrit të Jashtëm gjerman Westerwelle i duhet të lexojë që nga diplomatët amerikanë ai vlerësohet si jokompetent. Ministri i Ndihmave për Zhvillim vlerësohet si "përzgjedhje e çuditshme". Vet kancelarja Angela Merkel përshkruhet si me drojë ndaj rrezikut dhe pak kreative. Shuplaka të vogla diplomatike këto, të cilat fitojnë para së gjithash peshë për shkak se tani i ofrohen publikut të gjerë nga shtypi ndërkombëtar si një roman me seri.

Edhe më të ndjeshme janë rekomandimet pjesërisht aventureske që vendet mike si Izraeli, apo disa vende arabe u bëjnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mënyrën se si duhet të trajtohet Irani. Njeriu mbetet pa frymë kur lexon se si Amerika këtu masivisht nxitet për ndërhyrje ushtarake. Pa e imagjinuar se çfarë reagimesh mund të shkaktojnë këto analiza politike tek kundërshtarët e SHBA-së, bota ndodhet ende në prag të një lufte bërthamore si në fazën kulmore të Luftës së Ftohtë. Këtu nuk bëhet fjalë për atë që kanë bërë diplomatët. Ata kanë bërë atë që ka qenë gjithmonë puna e tyre: t'i kalojnë qeverisë së tyre vlerësime të pazbukuruara dhe të sinqerta për raportet poltike dhe të politikanëve në vendet ku ata veprojnë. Në vetvete kjo nuk ka asgjë të keqe. Kjo është pjesë e jetës së përditshme të diplomatëve në mbarë botën. Por skandaloze është që edhe një superfuqi teknologjike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk arrijnë më t'i mbajnë sekret ato. Diplomacia ndërkombëtare përjeton kështu "Vaterlonë" e saj.

Interneti dhe rrjetet sociale si Twitter apo Facebook kanë ndryshuar siç duket rregullat e komunikimit global

Në kohën kur vet NATO-ja ushtron luftën cyber (cyberwar - lufta virtuale përmes internetit sh. përkth.) as shërbimi diplomatik nuk mund të pretendojë sikur vlejnë ende rregullat e dikurshme të sigurisë për informtatat sekrete. Por sekreti mund të mbetet edhe sot sekret. Kjo për faktin se diplomacia ndërkombëtare nuk mund të funksionojë pa heshtje dhe konfidencialitet. Kjo vlen për marrëdhëniet e besueshme në mes të aleatëve, të cilët nuk mund të fyhen publikisht. Edhe më shumë kjo është conditio sine qua non, në qoftë se rrezikohen çështjet e ndjeshme të sigurisë. Edhe pse tani nuk mund të ndryshohen në mënyrë retroaktive parametrat e komunikimit ndërkombëtar: kjo nuk çliron askënd nga detyrimi për kujdes: Dhe me siguri as superfuqinë që ka e shpikur vet internetin.

Koment nga Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora