1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Wikileaks dhe Shqipëria

Autoritetet zyrtare tregojnë përmbajtje në komentet mbi lëndën diplomatike të bërë publike prej Wikileaks. Ekspertët thonë se ato nuk do të ketë ndikim në raportet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve apo vendeve të tjera.

default

Në fluksin e raporteve konfidenciale diplomatike që u bënë publike nga website-i i Wikileaks këto ditë përfshiheshin dhe opinione mbi Shqipërinë.

Ato kanë zënë një hapësirë të madhe në mediat vendore, ndërkohë që është paralajmëruar dhe një seri e pritshme dokumentash që kanë lidhje me ngjarje të bujshme që kanë ndodhur, si trazirat e 1997-s, caktimi i kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, tragjedia e Gërdecit etj.

Në valën e parë të lëshimit në publik të një morie raportesh konfidenciale diplomatike me burim nga faqja e internetit Wikileaks ishin prezente dhe mjaft çështje që kishin lidhje me Shqipërinë. Qëndrimi i Tiranës zyrtare për të sistemuar disa të burgosur nga kampi i Guantanamos, procesi i plotësimit të detyrimeve nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO, një aferë konkurence e mbuluar me dyshime dhe mister korruptiv në zonën naftëmbajtëse rreth Patosi-it janë deri më tani disa nga temat kryesore që u bënë të njohura nga mediat ndërkombëtare. Pavarësisht nga paralajmërimet për të tjera publikime, që përfshijnë tema të debatuara dhe ende te pasqaruara, siç janë trazirat e dhunshme të vitit 1997, tragjedia e Gërdecit, apo relatat Shqipëri - Greqi në caktimin e kufirit detar mes tyre, autoritetet zyrtare në Tiranë po tregojnë përmbajtje.

Kryeministri Sali Berisha i ka përshkruar si “një akt shumë të rëndë” publikimet nga Wikileaks: “Përbën një thyerje të të gjitha ligjeve dhe rregullave. Në mbarë botën ekzistojnë ligje dhe rregulla në administrimin dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare. Ajo që është e papranueshme është kërcënimi i sigurisë së jetës së njerëzve, apo i sigurisë në shoqëritë e lira. Ndaj dhe në tërësi, ky është një akt shumë i papërgjegjshëm, i rrezikshëm, këcënues dhe i shëmtuar.”

Fatos Klosi, ish-shef i Shërbimit Informativ në Shqipëri

Fatos Klosi, ish-shef i Shërbimit Informativ në Shqipëri

Fatos Klosi mendon se dozën e kuriozitetit në publik për rrjedhjen e këtij informacioni e ka rritur fakti se është dekonsipiruar një nga “armët” e diplomacisë që janë fshehtësia dhe komunikimet konfidenciale. Duke u fokusuar tek ato që janë botuar deri tani, por dhe pjesën e pritshme, Klosi thotë për DW-në se ato nuk mund të cënojë raportet mes Shqipërisë dhe Uashingtonit, por dhe marrëdhëniet me vende fqinje apo me vende të tjera të globit.

“Marrëdhëniet mes shteteve përcaktohen nga interesat shumë më të mëdha se opinionet e një njeriu të veçantë, ose disa njerëzve të veçantë. Interesat amerikane në botë janë shumë më të rëndësishme se raportet personale mes diplomatëve. Po kështu dhe interesat tona, apo dhe vendeve të tjera të rajonit. Nuk e dëmton qeverinë amerikane, por ndofta etikën e diplomatëve lidhur me udhëheqësit në vendet ku ata kanë shërbyer. Ky është një informacion i brendshëm i tyre, ndaj dhe ata mund të justifikohen se ‘ne kështu flasim me njeri tjetrin'. Nuk besoj se do të ketë probleme dhe në këtë aspekt”

Zylyftar Bregu

Zylyftar Bregu

Pedagogu i Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Zylyftar Bregu, mendon se media shqiptare është treguar mjaft kurreshtare dhe i ka lënë mjaft hapësirë lëndës informative që ka rrjedhur nga Wikileaks. Deri tani janë botuar disa lajme dhe opinione fragmentare, por sipas tij vëmendja është përqëndruar tek dokumente konfidenciale që janë paralajmëruar për botim, sidomos ato që lidhen me trazirat e dhunshme të vitit 1997 e më pas në Shqipëri. Për gjithçka që botohet duhet të ketë një raport të drejtë mes treguesit të transparencës dhe interesit të publikut, thotë Bregu për DW.

“Kjo situatë e re që është krijuar për shkak të publikimit të raporteve nëpermjet një faqeje interneti shtron para ekspertëve të medias të shohin se si duhet të sillen gazetarët përballë teknologjisë së re që aplikohet sot. Teknologjia duket se është para nesh në këtë pikë. Personalisht jam i prirur nga transparenca. Por transparencë në emër të kujt? Për çfarë po i publikojmë këto gjëra? A i intereson opinionit që të dalin dhe të bëhen publike këto dokumente? Në një përgjigje të parë mendoj se kjo nuk i intereson. Pavarësisht se siç thashë më parë unë jam i prirur nga transparenca”.

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 06.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QQVS
  • Data 06.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QQVS