1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Westerwelle uron Kosovën për dritën e gjelbër për MSA

Përparimi në dialogun politik me Serbinë i mundësuan Kosovës që ta marrë datën e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Vendimi i KE është përshëndetur nga ministri i jashtëm gjerman Westerwelle.

default

Presidentja e Kosovës dhe Qeveria kanë mirëpritur vendimin e datës 28.06 të Këshillit Europian për nisjen e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian. “Ky vendim paraqet hapin e parë zyrtar në rrugën e Kosovës drejt antarësimit në Bashkimin Europian”, thuhet në një deklaratë për media nga qeveria e Kosovës.

“MSA-ja është marrveshja e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE, po ashtu është forma më e avancuar e asociimit që një vend kandidat potencial mund të këtë me Bashkimin Europian”. Sipas qeverisë së Kosovës kjo marrveshje, ofron një kornizë strategjike për zhvillim të përgjithshëm shoqëror politik dhe ekonomik të Kosovës e cila aspiron anëtarësimin në BE.

Gjermania do të jetë gjithmonë një partner i fuqishëm europian i Kosovës

Sapo Këshilli Europian mori vendim që Kosova dhe BE-ja mund të nisin negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi një telefonatë me ministrin Federal për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle. Sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës, shefi i diplomacisë gjermane, ka shprehur mbështetjen për Kosovën, duke siguruar ministrin Hoxhaj se “Gjermania do të jetë gjithmonë një partner i fuqishëm europian i Kosovës”.

“Kjo është një ngjarje shumë e madhe për Kosovën. Përgëzoj Qeverinë dhe popullin e Kosovës për punën dhe angazhimin në avancimin e axhendës integruese europiane”, citon ministria e jashtme e Kosovës, shefin e diplomacisë gjermane Guido Westerwelle.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj nga ana e tij, tha se Gjermania ka qenë shteti kyç që shtyu përpara axhendën europiane të Kosovës. “Vendimi i Këshillit Europian për MSA-në është një hap historik dhe i pakthyeshëm i të ardhmes europiane të Kosovës. Në këtë aspekt, mbështetja gjermane ka qenë vendimtare.”

Edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Europës për të avancuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë brenda strukturave Europiane.

SHBA fton Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë me përpjekjet në zbatimin e marrëveshjes për të normalizuar marrdheniet

Kosovo Protest

Parlamenti i Kosovës

“Shtetet e Bashkuara përkrahin fuqishëm integrimin Euro-Atlantik të të dyja shteteve, mënyrë kjo që fuqizon stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Inkurajohemi nga raporti i fundit i Unionit Europian mbi suksesin e negociatave gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përgëzojmë liderët e të dyja shteteve në përkushtimin për ta mundësuar këtë arritje”, thuhet në deklaratën e ambasadatës së SHBA-së në Kosovë.

SHBA fton Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë me përpjekjet në zbatimin e marrëveshjes për të normalizuar marrdhëniet dhe të demonstrojnë përkushtimin e tyre për tu bërë pjesë e Europës paqësore dhe prosperuese.

Në Beograd dhe Prishtinë, në fillim të javës së ardhshme do të qëndrojë presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, njofton zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë. Sidoqoftë, udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës, thonë se marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, mundësojnë përparimin e proceseve demokratike, thellojnë reformat gjithpërfshirëse dhe ofrojnë një perspektivë për zhvillim ekonomik të Kosovës.