1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Westerwelle: Të mos përsëritim gabimet e së kaluarës

"Të mos përsëritim gabimet e së kaluarës", e titullojnë artikullin e botuar në numrin e sotëm të gazetës FAZ, Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle dhe ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague.

Guido Westerwelle

Guido Westerwelle

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle dhe ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague kanë botuar në numrin e sotëm të gazetës FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG një artikull të përbashkët me titullin "Të mos përsëritim gabimet e së kaluarës". Pas analizës së situatës politike botërore ndër të tjera në botën arabe, në Lindjen e Mesme e në Afganistan, ministrat e Jashtëm ndalen në artikullin e përbashkët edhe në situatën në Kosovë.

"Për shumicën e evropianëve, paqja e vazhdueshme dhe stabiliteti janë një përvojë e përditshme. Por vrasja dy javë më parë e një polici kosovar në afërsi të kufirit me Serbinë tregon se këto nuk janë të vetëkuptueshme kudo në Evropë. Gati 17 vjet pas fundit të konfliktit, që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë, vendet e Ballkanit kanë bërë përparime të mëdha në drejtim të demokracisë dhe fqinjësisë së mirë. Të dyshuar si kriminelë lufte janë dorëzuar tek gjykatat ndërkombëtare.

Ftesa ndaj Kroacisë për t'u bërë anëtare e BE tregon se vendet e rajonit mund të arrijnë shumë. Por ngjarjet më të fundit në Kosovë dëshmojnë se përparimet e viteve të fundit kërcënohen edhe më tej nga rreziku i përçarjes etnike. Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë një zgjidhje diplomatike për mosmarrëveshjet e tyre, e cila respekton kufijtë e Kosovës, përmirëson jetën e të gjithëve dhe që i çon të dyja shtetet në drejtim të anëtarësimit të BE. Nëse nuk e bëjnë këtë, ato hedhin dëm një shans historik. Kjo do të ishte në kundërshtim me interesat e njerëzve në të dyja shtetet. Ne mbështesim shprehimisht dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilin e ndërmjetëson Lady Ashton në emër të BE. Në vjeshtë BE do të zhvillojë konsultime për marrëdhëniet me Serbinë dhe Kosovën. Ne do të shohim me vëmendje përparimet që kanë arritur të dyja vendet deri atëherë."

Autor: FAZ/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama