1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle së shpejti viziton Tiranën

Arben Muka / Tiranë4 Korrik 2012

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle po përgatit nje vizitë në Shqipëri, që do të realizohet në një të ardhme të afërt. Kështu njoftoi ambasadorja Müller–Holtkemper.

https://p.dw.com/p/15RLM
Fotografi: DW/K. Danetzki

Këtë njoftim e ka bërë të mërkurën ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri Carola Müller–Holtkemper gjatë një takimi prezantues që ka zhvilluar me ministrin e sapo emëruar të jashtëm, Edmond Panariti.

Në foto, Carola Müller-Holtkemper Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 19.12.2011 Place: German Embassy in Tirana / Albania
Në foto, ambasadorja gjermane Carola Müller-HoltkemperFotografi: DW

Sipas burimeve diplomatike nga ministria e Jashtme në Tiranë që i referohen takimit, ambasadorja gjermane pasi e ka uruar zotin Panariti për detyrën e re ka shprehur dhe gadishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe aktivitetit diplomatik mes dy vendeve. Në komunikatën që është shpërndarë për mediat thuhet se ambasadorja Müller –Holtkemper “informoi se ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle po përgatit nje vizitë në Shqipëri, që do të realizohet në një të ardhme të afërt”.

Gjermania partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë

Një ditë pas dekretimit zyrtar nga Presidenti i Republikës, shefi i ri i diplomacisë shqiptare Edmond Panariti ka njohur ambasadoren gjermane për ecurinë e reformave dhe punën që bëhet për plotësimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE. “Duke u ndalur në reformën zgjedhore dhe reformën e procedurave parlamentare, ministri evidentoi se tashmë palët janë ulur, po dialogojnë dhe kjo është një shenjë pozitive dhe shprese që brenda afateve të gjendet kompromisi për çështjet e mbetura pezull. Ministri Panariti gjithashtu theksoi se mazhoranca është plotësisht e angazhuar për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

20 vjet bashkëpunim gjermano-shqiptar
20 vjet bashkëpunim gjermano-shqiptarFotografi: DW

Sa i takon marrëdhënieve mes dy vendeve z. Panariti, “duke vlerësuar Gjermaninë si një partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë, kërkoi mbështetjen e Berlinit për avancimin e Shqipërisë në procesin e saj të integrimit, duke synuar marrjen sa më të shpejtë të statusit të vendit kandidat në BE”.