1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Westerwelle: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle tha në Prishtinë pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Këtë realitet të ri duhet ta njohin edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Guido Westerwelle takon Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu

Guido Westerwelle takon Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu

Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha në Prishtinë se pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial i saj, janë realitet dhe këtë realitet sipas tij e ka vërtetuar së fundi edhe mendimi këshilldhënës i Gykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në një konferencë për media pas një takimi që zhvilloi me udhëheqësit kryesorë të institucioneve të Kosovës, shefi i diplomacisë gjermane u bëri thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Ka shqetësime në disa vende të botës se njohja e pavarësië së Kosovës mund të nxisë konflike në shtete të tjera. Kjo nuk do të ketë pasoja. Rasti i Kosovës dhe njohja e Kosovës është një rast sui-generis dhe ky është një mesazh i qartë edhe për Bashkimin Evropian. 22 vende në Bashkimin Evropian kanë vendosur ashtu sic ka bërë Gjermania, ndërsa, pesë të tjera po hezitojnë. Ne u kërkojmë atyre, tash pas vendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të ndjekin shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo është një shumicë e qartë”, tha Guido Westerwelle.

Kërkohet kompromis për rezolutën e Serbisë

Shefi i diplomacisë gjermane qëndroi në Kosovë pas një vizite që bëri në Serbi, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Serbia nëpërmes një rezolute kërkon fillimin e bisedave të serishme për statusin e Kosovës. Guido Westerwelle tha se për momentin nuk ka arritur ta bindë presidenit serb Boris Tadiç që të heqë dorë nga rezoluta.

“Mund të them se ne nuk jemi dakorduar në këtë moment për rezolutën e Serbisë që do ta paraqesë në Nju Jork, por ne duhet të punojmë për kompromis. Bashkimi Evropian i mbështet bisedat e drejtpërdrejta për interes të përbashkët dhe kërkojmë nga të gjitha pjesmarrësit në këtë proces që të jenë bashëkpunues për një dialog konstruktiv. Kjo për faktin që në një plan afatgjatë, vendet e Ballkanit Perendimor e kanë përspektivën dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian. Modeli dhe vlerat e Bashkimit Evropian janë bashkëpunimi dhe jo konfrontimi”, thotë shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle.

"Në asnjë rrethanë nuk do të jetë në axhendë shkëmbimi i territoreve e autonomia"

Westerwelle:vlerat e Bashkimit Evropian janë bashkëpunimi dhe jo konfrontimi

Westerwelle:vlerat e Bashkimit Evropian janë bashkëpunimi dhe jo konfrontimi

Grupi Ndërkombëtar i Krizave një ditë më parë sugjeroi një autonomi për Veriun e Kosovës, apo shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse palët dakordohen. Për këto ide, shefi i diplomacisë gjermane tha se qëndrimi tij ishte shumë i qartë, pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë të paprekshme. Në këtë linjë shprehet edhe kryeministri Kosovës, Hashim Thaci.

“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë ide në axhendën tonë shtetërore për ndonjë shkëmbim teritori apo autonomie. Për çështjet tona të brendshme vendosin institucionet e shtetit të Kosovës”, thotë kryeministri Hashim Thaçi.

Shefi i diplomacisë gjermane kërkoi nga autoritetet kosovare që të bëjnë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe për të drejtat e pakicave. Ai tha se institucionet e Kosovës duhet të ofrojnë siguri për pakicat dhe pjesëmarrje të tyre në jetën institucionale.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 27.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oxs2
  • Data 27.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oxs2