1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Westerwelle kërkon sanksione të reja kundër Koresë

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar provën e re bërthamore të Koresë së Veriut. KS i OKB-së mblidhet sot (12.02.) për të diskutuar rreth sanksioneve të reja kundër regjimit në Penjan.

Testet atomike të Koresë së Veriut

Testet atomike të Koresë së Veriut

Përkundër të gjitha paralajmërimeve ndërkombëtare Koreja e Veriut ka kryer provën e saj të tretë bërthamore. Testi u zhvillua në mënyrë të sigurt dhe të përsosur, njoftuan mediet shtetërore. Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e përshkroi provën si "pjesë e masave për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe sovranitetin."

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) e ka dënuar të martën (12.02.) provën bërthamore të Koresë së Veriut. "Kjo provë është thellësisht për keqardhje dhe një shkelje e qartë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", tha shefi i IAEA-së, Yukiya Amano në prononcimin e parë për opinion. 

Westerwelle kërkon sanksione të reja kundër Koresë

Ndërkaq ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle (FDP) bëri thirrje për sanksione të reja kundër Koresë së Veriut pas provës së fundit bërthamore. Westerwelle foli të martën për një "shkelje flagrante" të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Komuniteti ndërkombëtar tani duhet të ketë një "qëndrim të qartë". "Tani duhet parashikuar edhe sanksione të tjera kundër regjimit në Phenian", tha shefi i diplomacisë gjermane. Westerwelle njoftoi përmes një deklarate të shpërndarë nga ministria e Jashtme se kjo çështje do të jetë temë edhe në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së të hënën e ardhshme.

Westerwelle për sanksione të reja kundër Koresë

Westerwelle për sanksione të reja kundër Koresë

Nga ana tjetër Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot për të diskutuar për provën e kryer nga Korea e Veriut. Korea e Veriut kishte paralajmëruar në janar një provë të re bërthamore dhe prova të tjera me raketa në shenjë proteste kundër zgjerimit të sanksioneve të OKB-së të vendosura në muajin dhjetor.

Në burgjet e vendit mbi 200 000 të burgosur politikë

Me rreth 1.2 milionë ushtarë Korea e Veriut e pllakosur disa herë nga uria ka një prej ushtrive më të mëdha në Azi. Në krye të diktaturës së ndërthurur mes Partisë së Punës dhe Ushtrisë ndodhet Kim Jon Un. Ai ka zëvendësuar në dhjetor të vitit 2011 në këtë post  babain e vdekur Kim Jong Il. Nën udhëheqjen e gjyshit të  Kim Jong Un-it, Sung Kim Il në vitin 1948 u themeluar "Repubika Popullore Demokratike e Koresë".

Vendi i izoluar nga pjesa tjetër e botës ka 24.6 milionë banorë. Shkelja e të drejtave të njeriut është në rend të ditës në këtë vend në burgjet e të cilit mendohet se mbahen mbi 200 000 të burgosur politikë.

Autor: Esat Ahmeti (dpa)

Redaktoi: Auron Dodi