1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Westerwelle: Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit është i panegociueshëm

Ministri i Jashtëm gjerman thotë se konfliktet zgjidhen vetëm me dialog e me zgjidhje paqësore. Ai kërkon që Serbia dhe Kosova të tregojnë gatishmëri për bisedime.

Guido Westerwelle

Guido Westerwelle

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP), nisur nga zhvillimet e fundit të konfliktit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që të tregohen të gatshme për zhvillimin e bisedimeve. "Ka vetëm një rrugë për zgjidhjen e konflikteve dhe kjo rrugë është dialogu", tha ai të martën në Podgoricë, kryeqyteti i Malit të Zi. Vendeve të Ballkanit ai iu drejtua me fjalët se rruga për në Bashkimin Europian udhëhiqet para së gjithash nga reformat. "Rruga për në BE kalon vetëm përmes demokracisë, përmes reformave dhe përmes një bashkëpunimi dhe zgjidhjeve paqësore të konflikteve", tha Westerwelle pas bisedimeve me kryeministrin malazez Igor Lukshiç.

Këtë thirrje ai ua drejtoi të gjitha shteteve të rajonit. Mali i Zi në këtë drejtim ka treguar tashmë një angazhim konstruktiv. Ne e vlerësojmë këtë, tha më tej politikani liberal. Integriteti territorial i shteteve në rajon është i panegociueshëm, plotësoi më tej shefi i diplomacisë gjermane. Kryeministri malazez Lukshiç tha se vendi i tij mbështet bisedimet përkatëse mes Serbisë dhe Kosovës që janë zhvilluar nën ndërmjetësimin e BE-së. "Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim", tha ai.

Vizita e Westerwelles në Mal të Zi ishte vizita e parë e një ministri të Jashtëm gjerman prej shpalljes së pavarësisë së këtij vendi në vitin 2006, kur u shkëput nga Serbia. Mali i Zi ka marrë vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për të hyrë në BE.

Më pas Westerwelle udhëton për në Kroaci. Të enjten ai do të qëndrojë në Kosovë ku është planifikuar një takim me komandantin e trupës së KFOR-it, gjeneralin Erhard Bühler dhe autoritetet kosovare.

Autor: Mimoza Cika Kelmendi (dpa)

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM